GJYKOHET DREJTORESHA E DREJTORISË PËR KADASTËR NË KOMUNËN E PRISHTINËS

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, të martën, gjykatësja Valbona Musliu ka hapur shqyrtimin gjyqësor ndaj të akuzuarës Nora Kelmendi, e akuzuar për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare apo autoritetit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare si Drejtoreshë e Drejtorisë për Kadastër në Komunën e Prishtinës.

Sipas aktakuzës së prokurores Dulina Hamiti të ngritur më 9 shtator 2015, e akuzuara Kelmendi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare kishte tejkaluar kompetencat, duke i mundësuar zyrtarit Rrahim Ramadani, vazhdimin e detyrës së tij edhe pse po i njëjti kishte qenë i pezulluar nga detyra.

Prokurorja Dulina Hamiti theksoi se aktakuza është e mbështetur në prova dhe dëshmi të mjaftueshme dhe ka kërkuar nga gjykata që të shqyrtohen të gjitha këto prova dhe dëshmi të propozuara.

Avokati mbrojtës Bajram Tmava deklaroi para gjykatës se me asnjë provë nuk vërtetohet përgjegjësia penale e të mbrojturës së tij. Sipas tij, prokurorja në aktakuzën e saj nuk i ka precizuar se cilat të drejta i janë shkelur Rrahim Ramadanit.

Në seancën e sotme gjyqësore para gjykatës është paraqitur dëshmitari Rrahim Ramadani, Zyrtar i Lartë për Regjistrin e të Drejtës Pronësore të Palujtshmërisë, i cili deklaroi se vendimin për pezullim nga Komisioni Disiplinor e kishte marrë më 23 shkurt 2015, ndërsa të nesërmen kishte kontaktuar me Drejtoreshën Kelmendi dhe e kishte pyetur nëse është e njoftuar me pezullimin e tij, ku e njëjta i kishte kërkuar të kthehej në punë, pasi kishte pasur mungesë të punëtorëve, por me kusht që mos ta nënshkruaj asnjë dokument.

Dëshmitari po ashtu tha sepas kthimit të tij në punë, edhe pse me vendim për pezullim i ka kryer të njëjtat punë ashtu sikur para pezullimit vetëm se dukumentet e punuara kanë shkuar për t’u nënshkruar tek Udhëheqesja e Divizionit, Doruntina Peçani.

Sipas dëshmisë së Ramadanit e akuzuara Nora Kelmendi nga vepra penale, për të cilën akuzohet nuk ka pas asnjë përfitim për vete apo për ndonjë person tjetër.

Trupi gjykues, i përbërë nga Valbona Musliu, Nora Bllaca Dula dhe Faik Hoxha ka marr aktvendim që shqyrtimi gjyqësor të shtyhet për 29 shkurt 2016 në ora 08:30.

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë