GJYKOHET DOGANIERI PËR KORRUPSION, AKUZOHET SE LIRONTE MALLIN NGA TAKSAT E SHTETIT, MERRTE PARA PËR VETE

Raporton: Valdet HAJDINI

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, është mbajtur seanca gjyqësore, ndaj doganierit Iliaz Kapllani, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi kishte lejuar një palë që të kalonte kontrollin doganor pa paguar taksën doganore, dhe të njëjtit ia kishte marr 165 euro.

Gjatë kësaj seance ka dëshmuar dëshmitari Kamer Cena, i cili u përgjigj në shumë pyetje të prokurorit, avokatit mborjtës të akuzuarit dhe anëtarëve të trupit gjykues.

Në pyetjet e prokurorit, Sefer Morina, rreth natës kur dyshohet të jetë kryer vepra penale, dëshmitari tha se më 28 mars 2014, kishte qenë në detyrë zyrtare nga ora 20:00-22:00, ndërsa me të akuzuarin Kapllani kishte kontaktuar vetëm për raporte pune. Sa i përket natës kritike, kur kishte kaluar një automjet pa i’u nënshtruar doganimit, dëshmitari tha se i akuzuari e kishte njoftuar për atë automjet, por që nuk kishte pasur nevojë t’i nënshtrohet doganimit të mallit, për faktin se i njejti ishte mall personal. Më tej dëshmitari Cena tha se i akuzuari, së bashku me palën kishin shkuar në zyrën e tij me listën e mallit në automjet, por që pas verifikimit ishte vërtetuar që i njëjti ishte mall personal dhe malli ishte liruar, pa paguar doganimin. “Parimisht është dashur të lëshohet një dokument për lirim nga pagesa e doganës, mirëpo në praktikë nuk lëshohej një dokument i tillë”, tha dëshmitari Cena.

Në pyetjen e mbrojtëst të akuzuarit, avokatit Shaban Berisha, nëse në momentin e ardhjes së veturës në pikën doganore në Vërrmicë, kishte pasur edhe ndonjë person tjetër, dëshmitari tha se në atë kohë dhe së bashku me të akuzuarin kishte qenë edhe një polic i Policisë Doganore.

Në pyetjet e anëtarëve të trupit gjykues se kur ka marr vesh që i njëjti automjet që kishte kaluar në kufi dhe ishte liruar nga dogana dhe që ishte ndaluar nga policia në Malishevë, dëshmitari tha se “pas disa orësh, nga i akuzuari kishte kuptuar që palës i ishte konfiskuar malli, të cilin e kishte kontaktuar shefi i policisë doganore”. Në një pyetje tjetër të trupit gjykues se çfarë ndodhë me mallin, në rastet kur doganieri thotë se i njëjti duhet të lirohet nga pagesa, dëshmitari tha se në këto raste, menaxheri ka të drejtë ta refuzoi atë lirim dhe pala i nënshtrohet një procedure të shpejtuar të pagesës së taksës doganore.

Seanca e së martës është ndërprerë me përfundimin e dëshmisë së dëshmitarit Cena, ndërsa do të vazhdojë më 23 mars 2016, në ora 9:00.

Ky proces gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, në bazë të cilës i akuzuari Iliaz Kapllani ngarkohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Sipas pretendimit të prokurorisë, i akuzuari Iliaz Kapllani, më 28 mars 2014, në vendkalimin kufitar të Vërrmicës, në cilësi të zyrtarit doganor, nuk i kishte përmbushur kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete. Me këtë rast ai kishte lejuar të dëmtuarin Visar Gashi të kalonte kontrollin doganor, ku në vend të pagimit të doganës të përcaktuar me ligj, nga i dëmtuari kishte marr shumën e të hollave prej 165.00 eurove.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë