GJYKOHET AVOKATI PUBLIK I PRIZRENIT PËR MOSMBROJTJE TË PRONËS KOMUNALE

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, është mbajtur seanca e radhës ndaj të akuzuarit Besim Morina, avokat publik në Komunën e Prizrenit, nën akuzën se ka keqpërdorur pozitën zyrtare, duke mos e mbrojtur pronën e komunës në dy raste, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëme të pariparueshme, Komunës së Prizrenit.

Në këtë seancë, prokurorja Ervehe Gashi është deklaruar në lidhje me një shkresë të zyrës së kryeprokurorit, të cilën e ka dorëzuar i akuzuari, në seancën e kaluar, për shkak të së cilës edhe ishte ndërprerë shqyrtimi, me qëllim të vërtetimit të saj, ku ndër të tjera ka thënë se shkresa me të cilën zyra e kryeprokurorit ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë, me të cilën i është marrë prona komunës, nuk ka shkelje ligjore, megjithatë nuk është relevante për rastin pasi që i pandehuri po akuzohet për lëshimin e afateve ligjore për të goditur aktgjykimet.

Pas kësaj, palët kanë paraqitur fjalët e tyre përfundimtare. Në fjalën e saj prokurorja e çështjes Ervehe Gashi, ka thënë se me provat e administruara gjatë shqyrtimeve gjyqësore, nga dëshmia e përfaqësuesit të palës së dëmtuar dhe nga provat tjera materiale, me padyshim është vërtetuar gjendja faktike e përshkruar si në dispozitiv të aktakuzës, se i akuzuari nuk ka vepruar në mbrojtje të pronës së Komunës  së Prizrenit, duke mos i atakuar vendimet e gjykatave të shkallës së parë, me të cilat i janë marrë pronat komunës, në shkallë të dytë.

I akuzuari, Besim Morina, fjalën në fjalën  e tij përfundimtare ka thënë se ndihet i pafajshëm dhe se në këtë rast nuk bëhet fjalë për ndonjë vepër penale e as për ndonjë përgjegjësi të tij konkrete, andaj i ka kërkuar trupit gjykues që aktakuzën ta refuzojë si të pabazë.

Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, e ka shpallur të përfunduar shqyrtimin gjyqësor në këtë rast dhe shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar me datë 14 mars 2016, në ora 15:00

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë, pranë Gjykatës Themelore në Prizren, ndaj avokatit publik të Komunës së Prizrenit, me arsye se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që, pasi pranon dy aktgjykime nga gjykatat e shkallës së parë, me të cilat Komuna e Prizrenit i ka humbur dy prona ndaj paditësve privatë, i njëjti nuk bën ankesë ndaj këtyre aktgjykimeve në shkallë të dytë, që sipas prokurorisë e ka pasur obligim me detyrat e punës dhe ligjet pozitive.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë