GJYKOHEN ZYRTARËT E KOMUNËS SË VITISË PËR KORRUPSION
Raporton: Syzana REXHEPI
Gjilan- Me kërkesë të prokurorit Afrim Shefkiu, të premten në Gjykatën Themelore në Gjilan, ka dëshmuar Frok Ballabani kundër zyrtarëve të Drejtorisë për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Vitisë, Hidajete Aliut, Tajar Nezirit dhe Fadil Hoxhës, të akuzuar për veprën penale ‘shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit’.
Dëshmitari Frok Ballabani deklaroi se kjo pronë ka qenë e tyre dhe është njohur si mulliri i “Ballabanëve” por kohë pas kohe ia kishte marrë shteti pa kurrfarë kompensimi. Ai tha se kjo ka qenë e regjistruar në Kadastër në emër të babait të tij Nuhë Ballabani, mirëpo më vonë kjo pronë ka kaluar në emër të vëllait të tij Laz Ballabanit
Dëshmitari tha se në shtëpinë e tyre kishte shkuar Fadil Hoxha dhe Hidajete Aliu dhe kishin kërkuar nga ata të nënshkruajnë disa dokumente sepse ju kishin thënë se janë në pozitë të keqe më AKP. Gjithashtu tha se Fadili i’u ka kërkuar ťia japin një autorizim lidhur me pronën e mullirit mirëpo ai nuk e ka nënshkruar atë autorizimin. Ai tha se Fadili i’u kishte thënë se ata e dinë se kjo pronë ishte e Ballabanëve.
Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarës Hidajete Aliu avokati Mustafë Musa, dëshmitari deklaroi asnjëherë nuk i kanë paguar shtetit tatim për këtë pronë. Ai tha se nuk e dinte se ishte bërë padi në gjykatë lidhur me pronën e marrë.
Zyrtarët e Kadastrit të Komunës së Vitisë akuzohen se më 2 prill 2014, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, ku fillimisht e pandehura Hidajete Aliu, në cilësinë e zyrtares ligjore në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër e Pronë në Viti, me kërkesë të N.SH “Agromorava“ ka hartuar dhe nënshkruar aktvendimin me nr.248/14, duke bërë në mënyrë të kundërligjshme ndërrimin e titullarit nga pronari Laz Ballabani në N.SH “Agromorava’ në Viti. Ndërsa të pandehurit Fadil Hoxha, si përgjegjës i Kadastrit, si dhe Tajar Neziri si ushtrues detyre i Drejtorit kanë nënshkruar këtë vendim.