GJYKOHEN TË AKUZUARIT PËR DALLAVERET ME TENDERIN E BARNAVE

Raporton: Gëzim HASANI

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, ka vazhduar shqyrtimi kryesor ndaj Ekrem Maliqit , Bekim Fushës dhe Berat Marmullakut, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me një tender të furnizimit me barna esenciale në vitin 2010.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, tre të akuzuarit Berat Marmullaku, Bekim Fusha dhe Hajrullah Fejza, në cilësi të anëtarëve të Komisionit Vlerësues në Ministrinë e Shëndetësisë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe autoritetin zyrtar gjatë vlerësimit të
tenderit për furnizim me barna nga lista esenciale e Ministrisë së Shëndetësisë, duke i tejkaluar kompetencat dhe duke rekomanduar si kompani fituese “Medical Group”, edhe pse e njejta nuk i kishte plotësuar kriteret e tenderit.

Ndërsa, i akuzuari i katërt, Ekrem Maliqi, në cilësi të ushtruesit të detyrës së menaxherit të Prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë, duke i tejkaluar kompetencat e tij kishte shpallur kompaninë farmaceutike “Medical Group” si fituese në tenderin me furnizim me barna, pa e pasur autorizimin për këtë tender nga prodhuesi.

Nga ky bashkëpunim i është mundësuar kompanisë farmaceutike “Medical Group” marrja e kontratës në vlerë prej 74,200.00 euro pa i përmbushur kriteret, të cilat kanë qenë të përcaktuara për fitimin e tenderit të lartëcekur.

Në seancën e së hënës, prokurorja Dulina Hamiti, tha se në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara, do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen.

Në këtë seancë, ka dëshmuar Skender Kutllovci, udhëheqës i kompanisë “Medical Group” që nga viti 2006. Gjatë dëshmisë Kutllovci, ka përmbledhur historikun e kompanisë në fjalë dhe degët e saj nëpër botë. Sipas tij, në këtë aktakuzë të ngritur nga prokuroria, nuk është bërë ndonjë shkelje penale por e gjitha është vetëm një keqkuptim i pabazuar. Tutje Kutllovci ka shtuar se mbetet pas dokumenteve të nënshkruara dhe certifikuara nga njëra prej degëve kryesore për Evropë të kompanisë “Johnson and Johnson”, kompani kjo e prodhimit të barnave që gjendet në Slloveni dhe që sipas dëshmitarit, ato vërtetojnë pafajësinë e të akuzuarve.

Në seancën e radhës, e cila është caktuar më 2 mars 2016 prej orës 14:00, do të jepen fjalët përfundimtare.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë