Gjykohen Sindikalistët e Ndërmarrjes “Jometal” dhe XIQ “Karaqevë”, për dallavere në përpilimin e listave për përfituesit e skemave pensionale
Raporton: Valdet HAJDINI
Gjilan – Ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor kundër ish-sindikalistëve të ndërmarrjes “Jometal” dhe XIQ “Karaqevë”, Xhemail Berishës dhe Fadili Kastratit, të akuzuar për veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar’.
Në këtë seancë të mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjilan ka dëshmuar Refik Jakupi, i cili edhe ishte i dëmtuar në këtë rast, duke mos u përfshirë në listat e përfituesve nga skemat sociale për pensionim të parakohshëm.
Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurori Arben Kadriu, se kur e ka fituar të drejtën nga skema sociale, dëshmitari Jakupi tha se këtë të drejtë në bazë të ligjit e ka fituar në 2006.
“Në bazë të ligjit, të drejtën për pensionim të parakohshëm e kam fituar në vitin 2006, ndërsa kjo e drejtë nga drejtuesit e sindikatës më është njohur në fund të vitit 2013 dhe këtë e gëzoi edhe sot” tha dëshmitari Jakupi.
Dëshmitari Jakupi para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Agim Ademi, deklaroj se disa herë kishte dorëzuar dokumentacionin për futje në listat e pensionimit të parakohshëm, por që drejtuesit e sindikatës, tani të akuzuarit nuk e kishin bërë një gjë të tillë.
Në pyetjen e prokurorit Kadriu se çfarë ka të bëjë sindikata me këto lista, dëshmitari tha “ata kanë pasur obligim t’i përpilojnë listat me përfitues të pensionit, ndërsa Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale-MPMS i ka paguar parat”.
Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Xhemail Berisha, avokatit Ramadan Leka, se nga kush e kërkon kompensimin e dëmit, dëshmitari Jakupi tha se kompensimin e kërkon nga MPMS, por që dëmi i është shkaktuar me dëmin e të akuzuarve.
Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Fadil Kastrati, avokatit Ilmi Dalipi, për nxjerrjen e një vërtetimi në AKP, dëshmitari tha “pasi e ka dorëzuar lëndën në prokurori, së bashku me Xhemail Berishën kanë shkuar në AKP dhe e kanë nxjerr vërtetimin që ai ka të drejtë në përfitim të pensionit të parakohshëm”.
Seanca e radhës u caktua për 30 gusht 2016 në ora 9:00.
Ndryshe, proces gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, e cila i akuzon Xhemail Berisha dhe Fadil Kastrati, se duke qenë përgjegjës për përpilimin dhe dorëzimin e listave të përfituesve të para-pensionit për punëtorët e ndërmarrjes “Jometal” dhe XIQ “Karaqevë” në MPMS, në mënyrë të kundërligjshme kanë përfituar të hyra nga Buxheti i Kosovës. Me veprimet e tyre, në mënyrë të kundërligjshme e kanë listuar edhe emrin e tyre në lista, në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për pensionim të parakohshëm. Me këto veprime, i akuzuari Xhemail Berisha ka dëmtuar Buxhetin e Kosovës dhe ka përfituar për vete shumën prej 700 eurove, ndërsa i akuzuari Fadil Kastrati ka dëmtuar Buxhetin dhe ka përfituar për vete shumën prej 1.900 eurove. Në listë dhe në mënyrë të kundërligjshme e kishin futur edhe tani të ndjerin Heset Krasniqi, përkundër faktit se i njëjti ka qenë në marrëdhënie pune, duke i mundësuar të njëjtit përfitim në shumën prej 3.200 euro.