GJYKOHEN POLICËT PËR MARRJE RYSHFETI

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin kundër Veton Gashit i akuzuar për “marrje ryshfeti”, ka dëshmuar Kreshnik Gashi nga emisioni “Drejtësia në Kosovë” dhe Flamur Haziraj, palë e dëmtuar e këtij rasti.

Ish-Prokuroria Komunale në Prishtinë më 30 korrik 2012 kishte ngritur propozim akuzë ndaj Hydajet Krasniqit dhe Veton Gashit. Të njëjtit në cilësinë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës – Njësia e Trafikut Rajonal, më 18 qershor 2012 në magjistralen Prishtinë – Pejë, kanë kërkuar ryshfet prej 300.00 euro, përderisa kanë marrë para në shumë prej 100 euro nga i dëmtuari Flamur Haziraj, me ç’rast këtij të fundit nuk i kanë shqiptuar tiketën ndëshkuese për shkak të kundërvajtjes së shkaktuar në komunikacion.

Në vazhdim, kryetarja e trupit gjykues Syzana Çerkini, në seancën paraprake ka njoftuar të gjithë palët se është marrë vendimi për veçimin e procedurës penale ndaj Hydajet Gashi, pasi që ky i fundit  gjendet jashtë shtetit sipas policisë

Dëshmitari Kreshnik Gashi tha se arsyeja e dëshmisë qëndron në faktin se i njëjti së bashku me ekipin e tij e kanë njoftuar inspektoratin policor për këtë ngjarje. Ai tha se ky raportim ka qenë një hulumtim i zakonshëm, ku një qytetarit pretendohet se iu është kërkuar shuma prej 300 eurove nga policia, për t’i ikur tiketës ndëshkuese. Gashi bëri të ditur se pala ankuese e që në këtë rast është Flamur Haziraj, është ndaluar nga dy polic të trafikut për shkak se përveç që ka tejkaluar shpejtësinë, i njëjti ka pasur edhe disa gram marihuanë në veturë.

Gashi deklaroi se gjatë diskutimit me palën ankuese, ai ka treguar se me vete nuk ka pasur shumën e parave të cilat i kanë kërkuar policia. Prandaj të njëjtin policia e kanë lëshuar dhe i’a kanë ndalur një pjesë të dokumentacionit, në mënyrë që të shkoj të marrë paratë dhe të ia dorëzojë policëve.

Gashi shtoi se pas kësaj pjese, Haziraj e ka kontaktuar atë në mënyrë që të filmohet pjesa kur ky i fundit do t’i dorëzojë paratë tek policët. Ai shtoi se kërkesa për të filmuar këtë ngjarje ka qenë e ankuesit dhe se ky i fundit i ka treguar se do t’i dorëzojë 100 euro. Mirëpo sipas tij ka qenë e pamundshme identifikimi i policëve brenda veturës së policisë, gjithsesi vërehet se policët kanë qenë në uniformë. Tutje ai tha se kanë qëndruar në distancë në mënyrë që të mos vërehen, meqenëse të njëjtit ishin fytyra televizive dhe nuk kanë dashur të identifikohen.

Sipas Gashit, e gjithë ngjarja është zhvilluar për dy – tre minuta. Ai tha se kanë qëndruar prapa veturës së ankuesit deri në vendin ku i njëjti supozohej se do të ua dorëzojë paratë policëve. Gashi bëri të ditur se kur kanë arritur tek parku industrial, kanë marrë telefonatën prej ankuesit i cili i’u kishte thënë “ku jeni se paratë i dhashë edhe m’i kthyen dokumentet”.

Më pas Gashi tregoi se me ankuesin janë takuar në Al – Petrol, në hyrje të Sllatinës, ku sërish e kanë intervistuar dhe në të njëjtën kohë e kanë filmuar. Në këtë moment ai tha se e kanë konsideruar se puna e tyre ka mbaruar dhe se tani duhet thirrur organet kompetente për të vazhduar me rastin. Ai bëri të ditur se së bashku me dy inspektorë kanë shkuar në stacionin regjional të trafikut në Fushë Kosovë, ku e kanë njoftuar për të gjitha veprimet paraprake. Gatë qëndrimit në stacion i njëjti tha se ka qenë prezent kur makina e policisë ka arritur aty. Tutje ai tha se është vërejtur se nga makina ka dalë vetëm njëri nga policët, ku është kuptuar se ka qenë Hydajet Krasniqi, i akuzuari tjetër në këtë rast, për të cilin është veçuar procedura. Sipas informatave të Inspektoratit Policor të Kosovës, Gashi tha se të hollat janë gjetur në xhepin e Krasniqit.

Procesi gjyqësor vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit kyç në këtë rast, Flamur Haziraj. Ai bëri të ditur se pasi që është ndalur nga policia, ka kontaktuar me dajën e tij Musli Morina. Të njëjtit i ka shpjeguar gjithë ngjarën në hollësi, ku më pas ai e ka orientuar tek gazetarët hulumtues.

I njëjti deklaroi se e ka njoftuar dajën e vet se policët kanë kërkuar shumën prej 300 eurove që kjo punë mos të bëhet e madhe. Më pas ai tha se në atë moment nuk i ka pasur shumën e kërkuar nga ana e policisë dhe se daja i tij i ka japë hua vetëm 100 euro. Tutje dëshmitari tha se pasi që ka arritur të mbledhë këtë shumë të parave është nisur që t’ia dorëzojë policisë.

Në këtë seancë Haziraj deklaroi se gjatë gjithë kohës ka biseduar vetëm me njërin prej policëve,  e të cilin e përshkruante si shtatë-shkurt, përderisa polici tjetër ka bërë vetëm kontrollimin e makinës, ku edhe i’a ka gjetur marihuanën. Më pas ai shtoi se nuk ka ditur se si të veprojë prandaj edhe ka biseduar vetëm me njërin prej policëve se si të veprojë për t’i ikur kësaj situate.

Në fund me lejen e trupit gjykues, dëshmitari Haziraj, pohoi se polici tjetër, i cili nuk ka pasur asnjë kontakt me të ishte i akuzuari Veton Gashi, i cili gjendej në sallën e gjykimit.

Gjykata caktoi seancën e radhës më 13 shtator, në ora 13:30.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë