Prizren – Të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prizren, në paraqitjen para gjyqtarit të vetëm të trupit gjykues Xheladin Osmani, u mbajt shqyrtimi dytësor ndaj personave, të cilët akuzohen për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ky proces gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga prokurorja Erheve Gashi, e cila akuzon Sedat Jeminin, Hamza Kolgecin, Hasan Buzhalën, Agim Gashin, Bashkim Gashin dhe Agim Shalën për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, pasi të njëjtit në cilësinë e personave përgjegjës të njësisë komunale për pylltari në Suharekë i kanë mundësuar Xhemali Destanit dhe Riza Hajdarit t’i largojnë traktorët nga vendi i ngjarjes, të cilët ishin të ngarkuar me dru të prerë në mënyrë ilegale në bjeshkët e Fshatit Delloc. Në këtë mënyrë sipas aktakuzës të pandehurit kanë shkelur ligjin, lidhur me detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për vete ose për personin tjetër.
Shqyrtimi i dytë i kësaj çështje penale u përshkua me paraqitjen e kundërshtimeve ndaj aktakuzës nga ana e mbrojtjes.
Gjyqtari Xheladin Osmani, tha se të gjitha kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe ligjshmërisë së provave janë refuzuar përderisa mbrojtësit e të akuzuarëve thanë se për shkak të ekonomizimit dhe mos prolongimit të kësaj çështje penale kanë vendosur që të mos paraqesin ankesë ndaj këtij aktvendimi.
Në vazhdim të gjithë mbrojtësit e të akuzuarëve deklaruan se në këtë fazë të shqyrtimit nuk posedojnë ndonjë provë tjetër por do t’a shfrytëzojnë të drejtën e rezervimit gjatë shqyrimit kryesor ku do të paraqesin propozimet e reja.
Gjykatësi Osmani tha se për shqyrtimin e ardhshëm palët do të njoftohen përmes ftesave të gjykatës.