Gjilan – Në Gjykatën Themelore në Gjilan, të martën, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj Hidajete Aliu, Fadil Hoxha, Tajar Neziri, të cilët akuzohen për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Kryetarja e trupit gjykues, Emine Salihu, me pajtimin e palëve prezente, ka hapur shqyrtimin, në të cilin është lexuar aktakuza nga prokurori Afrim Shefkiu.
Të akuzuarit Hidajete Aliu, Fadil Hoxha, Tajar Neziri nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën penale për të cilin akuzohen.
Prokurori Afrim Shefkiu, në fjalën hyrëse të tij ka thënë se kjo aktakuzë ka mbështetje të plotë në dëshminë e dëshmitarëve: Laz Ballabani, Arben Sahiti, Xhelal Shaqiri si dhe në prova materiale.
Mbrojtësi i Hidajete Aliu, avokati Mustaf Musa në fjalën e tij hyrëse tha se në tërësi e kundërshton aktakuzën, meqenëse e njëjta nuk gjen mbështetje në prova dhe fakte të cilat iu kanë bashkangjitur. Gjithashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Fadil Hoxha, avokati Ramiz Sylejmani, e kundërshton në tërësi aktakuzën, dhe të njëjtën e bën edhe mbrojtësi i Tajar Nezirit,avokati Xhymshit Xhymshiti.
Seanca vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit Arben Sahiti. Në pyetjen e prokurorit, dëshmitari tha se ka dhënë një deklaratë në prokurori dhe se e mbështet në tërësi atë. Dëshmitari deklaroi se punon në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në komunën e Vitisë, ku detyra e tij është referent i ndërrimeve të pronave. Gjithashtu dëshmitari tha sa ka njohuri lidhur me aktvendimin me nr.248/14, të datës 2 prill 2014, ku ai tha se në këtë rast është lejuar korigjimi i regjistrit kadastral të titullarit të pronës. Dëshmitari tha se kjo pronë në fillim ka qenë e Laz Ballbanit, pastaj është bërë eksproriimi në parcela dhe aty ishte ndërtuar një fermë, pastaj kjo pronë i ka takuar “Agro Moravës” në Viti. Pastaj kjo pronë është nxjerrur në shitje dhe është bartur te pronari i ri Mentor Berisha, ndërsa ky ia kishte shitur Qazim Ibrahimit.
Seanca vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit Xhelal Shaqiri. Në pyetjen e prokurorit, dëshmitari tha se punon në kadastër si operator i ndërrimeve të pronave. Dëshmitari tha se ndryshimi në librat e kadastrit bëhet me kërkesë të palëve apo të zyrtarit ligjor të kadastrit. Ai tha se nuk ka pasur qasje në aktvendimin me nr.248/14 të datës 2 prill 2014, dhe se këtë aktvendim e kishte lëshuar kolegu i tij Arben Sahiti. Ndërsa në seancën e radhës do të dëshmojë edhe Laz Ballabani.
Zyrtat e Kadastrit të Komunës së Vitisë akuzohen se më 2 prill 2014, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, ku fillimisht e pandehura Hidajete Aliu, në cilisinë e zyrtares ligjore në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër e Pronë në Viti, me kërkesë të NSH “Agromorava“ ka hartuar dhe nënshkruar aktvendimin me nr.248/14, duke bërë në mënyrë të kundërligjshme ndërrimin e titullarit nga pronari Laz Ballabani në NSH “Agromorava’ në Viti. Ndërsa të pandehurit Fadil Hoxha, si përgjegjës i Kadastrit, si dhe Tajar Neziri si ushtrues detyre i Drejtorit kanë nënshkruar këtë vendim.