GJYKOHEN ISH-DREJTORI I ARSIMIT  KOMUNAL DHE DREJTORI I SHKOLLËS PËR LARGIM TË KUNDËRLIGJSHËM TË MËSUESES NGA PUNA

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Në Gjykatën Themelore në Gjilan, të mërkuren, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj Bujar Nevzadit ish-Drejtorë i Arsimit në Gjilan dhe  Ahmet Aliu ish-Drejtor i Shkollës Fillore  “Selami Hallaqi” në Gjilan, të cilët akuzohen për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Të  akuzuarit Bujar Nevzadi, Ahmet Aliu nuk e kanë e pranuar fajësinë për veprën penale për të cilin akuzohen.

Prokurori Arben Kadriu, në fjalën hyrëse tha se akuza ka mbështetje në prova në bazë të të cilave do të mundë të vërtetohen veprimet inkriminuese që i kanë ndërmar të akuzuarit dhe konsideron se në fund të shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve.

Mbrojtësi i Bujar Nevzadi, avokati Selami Rexhepi në fjalën hyrëse tha se janë të pa qëndrueshme pretendimet e prokurorisë se i pandehuri Bujar t’i ketë kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë sipas aktakuzës gjithashtu i njëjti me as një veprim të tij nuk ka ra ndesh  me dispozitat ligjore dhe aq më pakë të ketë keqpërdor pozitën apo autoritetin zyrtar. Gjithashtu konsideron se të gjitha veprimet e ndërmarura nga i pandehuri kanë qenë me qëllim të fillimit të procesit mësimor, pas situates së krijuar, ndërprerjes së mësimit nga ana nxënësve andaj mbi këtë bazë konsideron se i njëjti nuk është fajtor për veprat penale për të cilat akuzohet.

Ndërsa mbrojtësi i Ahmet Aliut, avokati Begzad Hajrullahu në fjalën hyrëse tha se në tërësi e kundërshton aktakuzën, meqenëse e njëjta nuk gjen mbështetje në prova dhe fakte.

Seanca vazhdoi me marrjen në pyetje të dëmtuarës në cilësinë e dëshmitares Luljeta Hoxha. Dëshmitarja tha që në shkollën “Selami Hallaqi’ ka punuar që nga viti 1991 deri në vitin 2013. Ajo tha se kur kishte filluar viti shkollor në listën e nxënësve ajo kishte 26 nxënës, mirëpo në klasë kanë hyrë vetëm 4 nxënës, ndërsa të tjerët nuk kanë hyrë në klasë po kanë qëndruar në oborrin e shkollës dhe pse ka dalë i ka ftuar ata nuk kanë dashurë të hynë në klasë dhe kjo situatë kishte vazhduar një javë. Dëshmitarja tha se sa i përket aftësive të saj prindërit nuk kanë pasur njohuri ngase ishte klasa e parë, ndërsa sa i përket fjalëve të prindrëve  ata i kishin thënë se drejtori ju ka thënë se nuk ka përgatitje profesionale. Ndërsa më 6 shtator 2013, drejtori e ka ftuar në zyre dhe ja kishte dhënë aktvendimin për suspendim. Ajo tha se pas dy jave ka ardhur një mesuese tjetër dhe atë herë nxënësit kishin hyrë në klasë. Ajo tha se para se të vinte mësuesja tjetër, kishte shkuar tek Drejtori i Arsimit dhe të njëjti ju ka drejtuar me fjalët se “pse të largohet nga puna pas 23 viteve përvojë?”. I njëjti ju kishte drejtuar me fjalët se ajo nuk e njihte lëndën e matematikës. Ajo tha se Drejtori i Arsimit i kishte propozuar të shkon në një shkollë tjetër ose të punonte në biblotekën e qytetit. Por një propozimi të tillë ajo e kishte refuzuar.

Në pyetjen e të akuzuarit Ahmet Aliu se a kishte edhe nxënës tjerë duke pritur në oborrin e shkollës ditën kritike apo vetëm nxënësit e saj, ajo tha se atë ditë vetëm nxënësit e saj kanë qenë duke qëndruar në oborrin e shkollës.

Drejtori i Arsimit në Gjilan, Bujar Nevzadi, akuzohet se ka keqpërdorë pozitën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që t’i shkaktoj dëm personit tjetër. Më 6 shtator 2013, duke vepruar në kundërshtim me neni 70 par 2 të ligjit të punës, merr aktvendim për suspendim nga marrëdhënia e punës ndaj Luljeta Hoxhës, mësimdhënëse në Shkollën Fillore “Selami Hallaqi“ në Gjilan pa ndërmar as një veprim paraprak për vlerësimin performancës, ndërsa këtë vendim të kundëligjshëm e zbaton Ahmet Aliu, Drejtori i Shkollës “Selami Hallaqi’.

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë