Gjakovë, 12 shkurt 2016 – Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, të premtën, është mbajtur seanca gjyqësore ndaj ish inspektorëve të ndërtimit Faik Bordoniqi, Bajram Gjoshi, Ilirjana Mamusha-Luzha dhe Behar Vula, të cilët akuzohen nga prokuroria, për shpërdorim detyre në bashkëkryerje.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, inspektorët akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën e tyre zyrtare, duke mos kryer detyrat e tyre sipas ligjeve në fuqi dhe detyrat e punës, duke mos i ndaluar dhe rrënuar ndërtimet pa leje, në pesë raste të ndërtimeve të larta në qytetin e Gjakovës. Të akuzuarit pretendojnë se ky rast është ngritur ndaj tyre si rezultat i ndikimeve politike dhe se nuk janë akuzuar ata që kanë qenë përgjegjës për mbikëqyrje të këtyre ndërtimeve.
Në këtë seancë është dëgjuar eksperti financiar, i cili e ka elaboruar ekspertizën e tij rreth objekteve që janë pjesë e akuzës, për të cilat tha që përveç njërës që i ka pasur dokumentet e lejes së ndërtimit të tjerat kanë pasur vetëm lejet urbanistike dhe jo ato të ndërtimit, po ashtu është ankuar se Komuna e Gjakovës nuk ka qenë bashkëpunuese me rastin e kërkesës për qasje në dokumentet e duhura për ekspertim.
Rasti është gjykuar njëherë nga kjo gjykatë me gjykim lirues, por Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë dhe e ka kthyer çështjen në ri-gjykim, me arsyen se duhet të vërtetohet me prova bindëse gjendja faktike, e sidomos nëse pronarët e ndërtimeve kanë bërë apo jo pagesat për lejet e ndërtimit.
Më 28 shtator 2011, Prokuroria ka bërë propozim akuzë, ndaj të akuzuarve Faik Bordoniqi, Bajram Gjoshi, Ilirjana Mamusha-Luzha dhe Behar Vula, me të cilën i akuzon se nuk i kanë kryer detyrat e tyre si inspektorë dhe kryeinspektorë për ndalimin dhe rrënimin e nderimeve pa leje në Komunën e Gjakovës. Me këto veprime sipas organit të akuzës ata kanë kryer veprën penale, shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit, në bashkëkryerje. Seanca e radhës është caktuar për datën 11 mars 2016.