GJYKOHEN DY TË AKUZUAR PËR SHITJE NARKOTIKËSH

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Lek Veseli dhe Besfort Kajmakqi, të cilët akuzohen për shitblerje të substancave narkotike.

Në seancën e së martës, janë marrë në pyetje të akuzuarit. I akuzuari Lek Veseli ka mohuar të ketë përdorur ndonjëherë substanca narkotike ose të ketë biseduar me ndokënd për blerjen apo shitjen e tyre, më tej ka shtuar se nuk i njeh fare dëshmitarët e propozuar nga prokuroria,  të cilët kanë dëshmuar në këtë rast penal.

I akuzuari tjetër, Besfort Kajmakqi ka deklaruar se më parë ka përdorur substanca narkotike për një periudhë prej 5-6 muajsh, më tej ka shtuar se të akuzuarin Lek Veseli e njeh sepse ka luajtur letra me të, në bastore dhe se në fshatin  e të njëjtit kishte shkuar për të rregulluar një pjesë motorike për veturë.

Prokurori i çështjes, Genc Nixha, ka kërkuar që t’i jepet një afat kohor, për të përgatitur fjalën përfundimtare, të cilën kërkesë mbrojtësi i të akuzuarit Lek Veseli, avokati Nikë Shala, e ka kundërshtuar me arsye se fjala përfundimtare në këtë rast, pasi që nuk është ndonjë rast i madh ose vrasje e sidomos pasi që i akuzuari i tij është në paraburgim.

Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, ka pranuar kërkesën e prokurorit dhe e ka shtyrë seancën për 11 mars 2016 në ora 15:00, në të cilën do të paraqiten fjalët përfundimtare të palëve.

Ky proces gjyqësor zhvillohet sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 22 shtator 2015 ndaj Lek Veselit dhe Besfort Kajmakqit, të cilët i akuzon se pa autorizim kanë shpërndarë, shitur dhe transportuar substanca të cilat janë të shpallura me ligj si të ndaluara.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë