GJYKOHEN DY PUNONJËSIT E BANKËS PËR PËRVETËSIM TË PARAVE

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të martën, është mbajtur seanca gjyqësore ndaj Ahmet Shehut dhe Milaim Bytyqit, të cilët akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës, duke punuar si arkëtar në Filialen e Bankës Private për Biznes (BpB), në Komunën e Hanit të Elezit, duke kryer pagesa dhe duke mos i lëshuar fletpagesa klientëve.

Në seancën e së martës, ka dëshmuar i dëmtuari Arben Mazreku, i cili tha se kishte punuar në firmën “Nita Comerce” , e cila firmë ishte në pronësi të babait të tij, dhe gjatë kohës sa kishte punuar aty ai disa herë kishte kryer pagesa doganore në BpB për zhdoganimin e mallit, përkatësisht cisternave të naftës, pagesa këto që arrinin shumën rreth 10.000 euro. Sipas tij, me rastin kryerjes së këtyre pagesave atij asnjëherë nuk i ishte lëshuar kopje e fletëpagesave,  dhe  lidhur me këtë ai akuzon bankën, konkretisht zyrtarët e saj Ahmet Shehun dhe Milaim Bytyqin.

Tutje, i dëmtuari tha se dyshon se edhe pas kryerjes së pagesës kesh, në filialen e BpB-së në Han të Elezit, kjo e fundit për të njëjtat pagesa i kishte marr mjete edhe nga xhirollogaria e firmës së tyre, ”Nita Comerce”, ku sipas tij, ishin kryer nga dy herë të njëjtat pagesa.

Në vazhdim i dëmtuari është ballafaquar me pyetjet e tërthorta të mbrojtësit të të akuzuarit Ahmet Shehu, avokatit Admir Salihu, i cili ka prezantuar dokumente lidhur me pagesat e kryera si dhe për të vërtetuar nënshkrimet që gjenden në to. I dëmtuari ka vazhduar të mbrojë deklaratat e dhëna dhe tha se nuk i njeh nënshkrimet e prezantuara nga avokati.

Në seancë është paraqitur dëshmitari Isa Livoreka, i cili ishte përfaqësues i BpB-së, i cili tha se nuk është e mundur që për çdo pagesë kesh të mos lëshohet kopje e fletëpagesës së kryer dhe sipas tij, për çdo fletëpagesë duhet që klienti dhe zyrtari i bankës të nënshkruaj, pastaj t’i lëshohet kopja e fletëpagese. Livoreka tha se nuk është në dijeni se në rastin konkret nuk janë lëshuar këto fletëpagesa për klienti.

Gjatë kësaj seance nga përfaqësuesi i të dëmtuarëve u propozua që në seancën e radhës të ftohet eksperti i çështjeve ekonomike për të vërtetuar se a janë bërë këto pagesa si dhe nga ana e mbrojtësve të të akuzuarëve është propozuar që të nxirret një raport i bankës i saktë rreth datave të pagesave. Gjithashtu mbrojtësit kanë propozuar që të ftohet në cilësinë e dëshmitarit  përfaqesuesi i Qendrës së BpB-së për të sqaruar këto rrethana kontestuese. Këto propozime u refuzuan nga trupi gjykues, ndërsa seanca e radhës do të mbahet pas gjashtë ditësh.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë