GJYKOHEN DALLAVERET ME TENDERIN E EKSKURSIONIT TË MATURANTËVE PËR NË SHQIPËRI

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjtën, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Shaip Buduri (drejtor), Bujar Nerjovaj (sekretar) dhe Beqir Letaj (zëvendës drejtor), të cilët akuzohen nga prokuroria se në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, duke i shkaktuar dëm personit tjetër, me eliminim të padrejtë nga tenderi për ekskursion të nxënësve për në Shqipëri.

Në seancën e së enjtës, ka dëshmuar i dëmtuari në këtë rast, Ruzhdi Kurtishaj, drejtor i kompanisë “Sharr Travel”, i cili, në pyetjet e prokurores Ervehe Gashi, rreth kësaj çështje, ndër të tjera ka thënë se në shtator 2013 kishin konkurruar si kompani në tenderin e shkollës së mesme “Gjon Buzuku” në Prizren, për dërgimin e maturantëve në ekskursion për Shqipëri. Sipas tij, në këtë tender ishin eliminuar padrejtësisht nga të akuzuarit, duke e shpallur kompaninë si të papërgjegjshme në mungesë të një licence, të cilën sipas tij, nuk kanë qenë të obliguar ta kenë sipas UA 27/2013 dhe ligjeve në fuqi.

Dëshmitari, më tej ka shtuar se vetë kushtet e kërkuara nga tenderi publik kanë treguar se tenderi ishte favorizues, pasi që ishte ndërruar vendi nga Durrësi në Shëngjin dhe kapacitetet që duhet t’i kishte hoteli i rezervuar, që në atë kohë i kishte plotësuar vetëm hoteli “Rafaello” në Shëngjin. Sipas dëshmitarit, kur kishin kontaktuar me këtë hotel, ata i kishin thënë se nuk mund të rezervojnë aty sepse i akuzuari Shaip Buduri u kishte thënë atyre se nëse dëshirojnë t’i akomodojnë maturantët e shkollës së tij, duhet t’u jepet mundësia e rezervimit vetëm kompanisë “Atmaxha”, që sipas të dëmtuarit, që nga 2009, kjo kompani shpërblehet vazhdimisht me tenderin e ekskursionit.

Në këtë seancë, poashtu, ka dëshmuar edhe Drejtori i Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj, i cili ka treguar se e ka anuluar njëherë këtë tender të vitit 2013 për dërgimin e maturantëve në Shqipëri, por në ri-tenderim nuk kishte pasur mundësi të bënte asgjë për anulimin e sërishëm sepse operatori fitues ishte shpallur dhe pas dy dite maturantët ishin nisur për Shqipëri, në datën për të cilën edhe kishin qenë të njoftuar paraprakisht se do të nisen.

Ishte paraparë që seanca e radhës, në këtë shqyrtim, të mbahej më 19 shkurt 2016, por kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi ka njoftuar se për shkak të angazhimit të antares së trupit gjykues Shpresa Emra në mbledhjen e Forumit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, nuk do të mbahet dhe të njëjtën e ka caktuar për 29 mars 2016.

Në këtë rast, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 gusht 2015, kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Shaip Buduri, Bujar Nerjovaj dhe Beqir Letaj, me akuzën se me qëllim të shkaktimit të dëmit, personit tjetër, kanë eliminuar, në mënyrë të padrejtë, operatorët Sharr Travel dhe Halimaj Raisen nga tenderi për ekskursionin e maturantëve në Shqipëri, me të cilat veprime, kanë kryer veprën penale, në bashkëkryerje, të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë