Gjykimin për korrupsion ndaj ish-shefit të Prokurimit në Gjilan, eksperti financiar thotë se tejkalimi i vlerës së paraparë me kontratë është afër 80 mijë euro

Raporton: Adelina Ajeti

Gjilan- Eksperti financiar, Riza Blakaj, ka deklaruar që është bërë tejkalimi i vlerës së paraparë me kontratë rreth 79,999.70 euro, në rastin ku Salih Kqiku, ish-shef i Prokurimit në Komunën e Gjilanit, po akuzohet se i shkaktoi dëm kësaj komune, duke i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror operatorëve ekonomik “Elektring” dhe “Engrup – Edona”.

Këtë deklarim Blakaj e bëri gjatë seancës së të enjtes në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca gjyqësore ka vazhduar me dëgjimin e ekspertëve financiar Riza Blakaj dhe Bashkim Uka, të cilët kanë deklaruar që si grup ekspertësh kanë përpiluar ekspertizën sipas aktvendimit të Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Eksperti Blakaj tha se ekspertiza financiare është përgatitur në grup ndërsa si kryesues i grupit është përpiluar nga i njëjti me pëlqimin e anëtarëve të tjerë.

“Në pjesën e ekspertizës mendim dhe konstatim janë paraqitur të dhënat lidhur me kontraktimin për tenderët e përfshirë në këtë lëndë dhe atë tenderin me numër GI 651 13 108 221 me titull “Mirëmbajtja e ndriçimit publik nëpër fshatrat e komunës së Gjilanit” vlera e të cilit sipas kontratës kornizë ka qenë 55, 558.00 euro në nivel vjetor që për tri vite bëjnë 166,674.00 euro , lidhur me këtë tender është dhënë konstatimi për personat përgjegjës për implementimin e tij si dhe tejkalimin  vlerës së paraparë me kontratë e cila është 79,999.70 euro”, ka deklaruar eksperti Blakaj.

Ai shtoi se për kontratën kornizë të lidhur me numër të prokurorit GI 651 15 004 221, me titull “Hartimi i projekteve kryesore në Komunën e Gjilanit”, vlera e të cilës ka qenë 18.364,54 euro, lidhur me këtë është dhënë sqarimi për personat përgjegjës për implementimin e tij si dhe për tejkalimin e vlerës së kontratës.

Eskperti Blakaj tha se në pjesën mendim dhe konstatim në formë të shkurtuar janë theksuar edhe dispozitat ligjore me të cilat parashihen obligimet dhe përgjegjës e menaxherit të kontratës dhe menaxherit të projektit.

“Se sa ai përket kontratës për tenderin mirëmbajtja e nderimit publik nëpër fshatrat e komunës së Gjilanit ka rezultuar se tejkalimi ka qenë në shkallë 32.43%, ndërsa për projektin hartimi i projekteve kryesore ne Komunën e Gjilanit tejkalimi ka qenë 1542%”, tha eksperti Blakaj.

Po ashtu, shtoi se në kohën kur ishte bërë tejkalimi i vlerës financiare menaxher i kontratës kishte qenë Salih Kqiku.

Eksperti Blakaj tha se urdhër blerjet e tejkalojnë sasinë totale indikative ose vlerën totale idikavetve të kontratës publike kornizë duke përfshirë plus 30%, pa marrë parasysh datën origjinale të skadimit të kontratës publike kornizë, kontrata do të ndërpritet automatikisht.

Tutje, shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me administrimin e provave materiale.

Seanca gjyqësore ka vazhduar me marrjen në pyetje të pandehurin Salih Kqiku, i cili ka deklaruar që mbetem pranë deklaratave të dhëna në polici dhe në prokurori.

I pandehuri Kqiku tha se me datë 19.08.2014 ishte caktuar drejtor i Prokurimit në Komunën e Gjilanit.

I njëjti tha se sa i përket projektit të parë për ndriçimin publik të fshatrave të Gjilanit, nuk e kishte nënshkruar kontratën dhe nuk e kishte udhëhequr aktivitetin e prokurimit deri me datën 06.08.2016, ku menaxhimin e kontratave financiare e kishte bërë menaxheria e prokurimit Hatixhe Daku.

I akuzuari Kqiku vazhdoi deklaratën e tij duke thënë se pasi operatori ekonomik i kishte kryer shërbimet me urdhrin e drejtorit të shërbimeve publike pa e njoftuar aty ishin tejkaluar shërbimet e kontraktuara sipas kontratës në fjalë, e më tutje kryetari i komunës kishte nxjerr një vendim duke e caktuar menaxher të projektit Kujtim  Bajramin për vlerësimin e shërbimeve të kryera.  Mbi bazën e kësaj, ishte tejkaluar kontrata kornizë mbi fshatrat e komunës së Gjilanit.

I njëjti tha se nuk kishte pasur asnjë informatë lidhur më këtë çështje.

“Pasi që kemi të bëjmë me dy aktivitete të prokurimit inicimi i këtyre kontratave është bërë para se me hy në fuqi udhëzimi administrativ për kontratat konrnizë”, tha i akuzuari Kqiku.

Lidhur me këtë rast, seanca e radhës është caktuar me datë 27 maj 2022.

Sipas aktakuzës, kontrata në fjalë ka zgjatë deri më 14 tetor 2016, përkundër që është dashur ta përmbyll të njëjtën gjatë kohës sa ka qenë menaxher, ka vazhduar me pagesa, nënshkrimin e urdhër-blerjeve duke tejkaluar vlerën e kontratës në shumë prej 79 mijë e 999 euro e 70 centë.

Tutje thuhet se derisa me këtë i solli përfitim të kundërligjshëm pasuror operatorit ekonomik “Elektring” nga Ferizaj, ka sjellë rrezikun e rritjes së obligimeve jashtë kontraktuale dhe në këtë mënyrë ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjilanit.

Gjithashtu Salih Kqiku akuzohet edhe për kontratën “Hartimi i projekteve kryesore në Komunën e Gjilanit Lot II”, e lidhur mes Komunës së Gjilanit dhe kompanisë “Engrup – Edona” e cila kontratë ka qenë trevjeçare, e që ka tejkaluar vlerën në shumë prej 278 mijë e 438 euro e 21 centë, duke dëmtuar Komunën e Gjilanit e duke i diskriminuar operatorët e tjerë potencial.

Për këto veprime, sipas dispozitivit të parë dhe të dytë të aktakuzës, Kqiku akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryesi i së cilës dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë