Gjykimi për vrasjen në tregun e gjelbër të Mitrovicës, dëshmitari deklaron se nuk kishte qenë në dijeni se i akuzuari ishte i armatosur

Raporton: Doruntina MEHMETI

Mitrovicë- Në vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit për vrasje të rëndë, Shefki Asllanit, të premten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë është dëgjuar dëshmitari Lulzim Rrustemi, me të cilin i akuzuari kishte qenë në shoqëri ditën e ngjarjes kritike, ku nga të shtënat me armë mbeti i vdekur shitësi i fidaneve në treg, V.F.

Dëshmitari deklaroi se nuk kishte qenë në dijeni se i akuzuari Asllani po mbante armë me vete atë ditë, pasi deklaroi se kishin dalë për të blerë fidane në treg, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, i pandehuri Shefki Asllani po akuzohet se pas një fjalosje verbale lidhur me rritjen e fidanit të fikut vije deri tek konflikti fizik, ku së pari tani i ndjeri e godet me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i shkakton plagë në kokë, ndërkaq i pandehuri Shefki Asllani nxjerr revolen dhe e godet viktimën i cili ndërron jetë si pasojë e lëndimeve të marra.

Ndërkaq, të pranishëm në seancën e sotme ishin prokurori i Njazi Rexha, i akuzuari Shefki Asllani me mbrojtësit, avokatin Mahmut Halimi (si mbrojtës kryesor) dhe avokatin Hajzer Salihu, përfaqësuesi ligjor i viktimës, Agim Fazliu, përfaqësuesi i familjes së viktimës avokati Abit Asllani, i dëmtuari Lutfi Fazliu si dhe dëshmitari Lulzim Rrustemi.

Por, të pranishëm në seancë nuk ishin i dëmtuari Agim Abdullahu, dhe dëshmitari Bedri Pllana për të cilët kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Veljko Vuqetiq konstatoi se gjykata nuk ka të dhëna nëse e kanë pranuar ftesën në mënyrë të rregullt.

Dëshmitari Lulzim Rrustemi duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit, në lidhje me ngjarjet e ditës kritike ku kishte mbetur i vrarë V.F, deklaroi se ishin takuar me të akuzuarin Asllani, me të cilin deklaroi se janë miq për më shumë se 20 vite, dhe kishin shkuar në tregun e gjelbër në Mitrovicë, për të blerë fidane.

Ndërsa, deklaroi se ishin ndalur tek shitësi i fidaneve, tashmë i ndjeri V.F, për të shikuar fidane të lajthisë, derisa tha se kishin bashkëbiseduar në lidhje me rritjen e fidaneve të fikut në Kosovë, pasi të njëjtët kishin pasur dilema në lidhje me këtë, ndërsa i ndjeri V.F kishte pasur në shitje edhe fidane të fikut.

“Shefkiu me shitësin kanë biseduar në lidhje me temperaturën e nxehtë që nevojitet për t’u rritur fidanet, mirëpo ka qenë një bashkëbisedim normal, tutje shitësi iu ka drejtu Shefkiut me fjalët “ti po lexojshe shumë”, ndërsa Shefkiu iu përgjigj se atij nuk i intereson nëse lexon apo jo dhe se pazari bëhet me qejf”, deklaroi tutje dëshmitari.

Në ato momente ai shtoi se shitësi, tashmë i ndjeri V.F i’u kishte afruar shumë afër Shefkiut dhe kishte shfaqur sjellje temperamente, dhe në ato momente deklaroi se e kishte nxjerrë ID-në policore për t’ia treguar shitësit, pasi i njëjti me profesion është zyrtar policor.

“I’u kom prezantu si zyrtar policor edhe i thash se pazari bëhet me qejf, nuk ki nevojë me u nervozu”, tha dëshmitari Rrustemi.

Ai shtoi se shitësi e kishte shpërfillur duke i thënë se nuk më intereson ajo ID, dhe iu kishte thënë ta presin në atë vend, pasi i njëjti ishte nisur drejt daljes nga tregu për rreth një minutë me një nervozizëm të theksuar.

Dëshmitari Rrustemi deklaroi se pasi e kishte parë situatën që po eskalonte, e kishte telefonuar policinë për të sjellë njësitin patrullues më të afërt në tregun e Mitrovicës, ndërsa tashmë i ndjeri V.F, ishte kthyer në vendin e ngjarjes së bashku me një person tjetër.

Ai tha se i ndjeri V.F kishte tentuar ta godasë më gërshërët e fidaneve që i kishte pasur në dorë, por të njëjtit iu ishte shmangur pasi kishte bërë rreth 4-5 hapa mbrapa, ndërsa kur e kishte kthyer kokën e kishte parë Shefkiun të gjakosur në kokë dhe me armë në dorë.

Tutje ai deklaroi se i ka dëgjuar dy të shtëna dhe se i ndjeri V.F dhe tashmë i akuzuari Shefki Asllani kishin qenë përballë, rreth një metër e gjysmë në afërsi me njërin tjetrin.

Ai shtoi se e kishte parë personin që e shoqëronte shitësin, tashmë të ndjerin V.F, dhe Shefkiun të kapur për dore, siç tha ai në luftë për të marrë armën të cilën e mbante në dorë i akuzuari Shefki Asllani.

Sipas dëshmitarit, gjithçka kishte ndodhur shumë shpejt, ndërsa e kishte parë personin që e kishte shoqëruar tashmë të ndjerin V.F, që e kishte goditur Shefkiun por se nuk e dinte saktë vendin e goditjes.

Tutje ai deklaroi se e kishte thirr policinë dhe ambulancën ndërsa tha se shumë persona kishin qenë përreth tyre, derisa deklaroi se kishte vrapuar drejt hyrjes së tregut për të orientuar policinë dhe ambulancën për tek vendi ngjarjes.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Rexha, në lidhje me momentet e shtyrjes fizike së të dëmtuarit Lutfi Fazliu, personi që e kishte shoqëruar tashmë të ndjerin V.F, si dhe Shefkiut, pasi ishin kapur me duar për arme, dëshmitari deklaroi se gjithçka kishte qenë shumë dinamike dhe se nuk i kujtohen veprimet specifike të njërit dhe tjetrit.

Dëshmitari Rrustemi deklaroi se nuk i kujtohet nëse ndonjë qytetar ishte afruar tek ta për të ndërmjetësuar apo për të parandaluar konfliktin.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e të dëmtuarit Lutfi Fazliu, se përse nuk e kishte ndaluar të akuzuarin Asllani që të vijë në Mitrovicë i armatosur, pasi i kishte thënë se këtë e kishte detyrim pasi është polic me profesion, dëshmitari Rrustemi deklaroi se nuk kishte qenë në dijeni se i akuzuari Asllani po mbante armë me vete.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të familjes së viktimës, avokatit Abit Asllani nëse ai dhe i akuzuari Asllani e kishin përqeshur apo provokuar shitësin e fidaneve, tashmë të ndjerin V.F, duke i thënë se fiqi nuk rritet në Kosovë, përveç në serrë, për shkak të kushteve klimatike, dëshmitari Rrustemi deklaroi se nuk është e vërtetë se e kanë provokuar të njëjtin

Dëshmitari Rrustemi deklaroi se në asnjë moment nuk ka pas përleshje fizike mes tyre, por vetëm diskutime verbale.

“Gjatë kontaktit të parë me shitësin V.F, ju thatë se i njëjti ka qenë agresiv ndaj jush dhe ndaj Shefkiut, a i dini arsyet që e shkaktuan këtë nervozizëm?”, ishte pyetja e rradhës së avokatit Asllani.

Dëshmitari Rrustemi deklaroi se kanë kaluar 13 muaj që nga ngjarja kritike dhe ende i ka të paqarta arsyet e frustrimit të shitësit, tashmë të ndjerit V.F.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Asllani, lidhur me profesionin e tij si zyrtar policor dhe në lidhje me parimet e intervenimit policor, dëshmitari Rrustemi deklaroi se në ditën kritike nuk ka qenë në detyrë por ka vepruar sipas situatës, duke tentuar që dëmi që shkaktohet të jetë sa më i vogël, pasi i njëjti deklaroi se e kishte telefonuar policinë për dërgim të përforcimeve.

Ai shtoi se në momentet kur e ka parë të akuzuarin Shefki Asllani me armë në dorë e kishte pasur të pamundur të intervenojë pasi ka qenë rreth pesë hapa larg tij, dhe se gjithqka kishte ndodhur brenda pak sekondash.

Ndërsa, mbrojtësit e të akuzuarit Shefki Asllani, avokatët Mahmut Halimi dhe Hajzer Salihu deklaruan se nuk kanë pyetje për dëshmitarin, pasi të njëjtat janë konsumuar nga pyetjet e parashtruara nga prokurori dhe nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës u caktua për datën 4 korrik 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me datë 28 tetor 2021, kishte ngritur aktakuzë kundër Sh.A, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 par.1 pika 1.5 të KPRK.

Sipas aktakuzës, me datë 17 prill 2021, rreth orës 12:40, në Mitrovicë, në rrugën “Adem Voca”, në brendi të tregut të gjelbër, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin V.F., në atë mënyrë që pas një fjalosje verbale lidhur me rritjen e fidanit të fikut vije deri te konflikti fizik, ku së pari tani i ndjeri e godet me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i shkakton plagë shqyese në regjionin e kokës, me ç ‘rast i pandehuri nxjerrë revolen nga brezi të markës “XDM” me nr. serik 019-04, prodhim kroatë dhe shtënë në viktimën, duke e goditur në pjesën e përparme të trupi si pasojë e të cilave vdes.

Në aktakuzë poashtu thuhet se si pasojë e të shtënave të të pandehurit janë plagosur edhe i dëmtuari L.F., si dhe kalimtari i rastit A.A./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë