Gjykimi për vrasjen me sëpatë, ekspertët thonë se tek të akuzuarit nuk kishte ndonjë çrregullim mendor apo të personalitet

foto Feridi
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Tetor 9, 2018

Pejë – Me dëshminë e ekspertëve, Ajet Bunjaku dhe Jeton Zogaj, ka vazhduar edhe të martën në Gjykatën Themelore në Pejë, gjykimi ndaj të akuzuarit për vrasje, Fatmir Llonqari dhe të akuzuarit për tentim vrasje, Ferid Gega.

Llonqari, po akuzohet se në shtator të vitit të kaluar kishte vrarë më sëpatë, Idriz Gegën dhe për këtë vepër, i njëjti e kishte pranuar fajësinë, ashtu siç e kishte pranuar fajësinë edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Mirëpo, Llonqari ishte deklaruar i pafajshëm sa i përket veprës tjetër për të cilën akuzohet, atë të vrasjes në tentativë në rrethana të mbrojtjes së nevojshme.

Kurse, Ferid Gega, i cili është djali i të ndjerit Idriz Gega, po akuzohet për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë, për të cilën vepër nuk e kishte pranuar fajësinë, si dhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje për të cilën ishte deklaruar fajtor në shqyrtimin fillestar të 13 shkurtit 2018.

Lidhur me gjendjen psikike të të akuzuarve në ditën kritike, në seancën e së martës, u deklaruan ekspertët, Ajet Bunjaku dhe Jeton Zogaj.

Në dëshminë e tij, eksperti Bunjaku tha se tek i akuzuari Ferid Gega, kanë konstatuar se në momentin kritik kur kishte ndodhur ngjarja, tek i akuzuari Gega ishte shfaqur një çrregullim stresant akut, mirëpo, tek i njëjti, siç tha Bunjaku nuk janë gjetur elemente që mund të vërtetojnë një sëmundje mendore  apo çrregullim mendor.

“Ekzaminimi dhe vlerësimi i dhënë për të akuzuarin Ferid Gega theksohet se te i akuzuari nuk janë gjetur elemente që mund të vërtetojnë një sëmundje mendore të përkohshme apo të përhershme, çrregullim mendor apo prapambetje mendore. Por te i akuzuari duke marr parasysh dinamiken e veprës dhe ecurinë e tërë ngjarjes, e kemi konstatuar se në momentin kritik tek i njëjti është shfaqur një çrregullim stresant akut”, deklarojë Bunjaku.

Ky çrregullim, siç tha Bunjaku, do të thotë se tek i akuzuari kishte një shqetësim në lidhje me atë se çka kishte parë dhe për shkak të këtij çrregullimi tek i njëjti janë shfaqur shqetësimi, hidhërimi dhe frika nga pasojat e mundshme për babin e tij.

“Të gjitha këto elemente kanë bërë që edhe të logjikuarit dhe pasojat e veprimeve të tij të jenë të zvogëluara por jo në shkallë esenciale, pra ky çrregullim ka qenë aty për aty”, vazhdoi dëshminë e tij, Bunjaku.

Po ashtu, eksperti i psikiatrisë, Bunjaku, shtoi se i akuzuari Ferid, në momentin që e ka kuptuar lajmin për vdekjen e babait, vetë marrja e këtij lajmi ka qenë stresante por kulmin e ka arritur në kohën kur ka mbërritur në shtëpi, në vendin e ngjarjes dhe kur e ka pa gjakun në tokë.

Po ashtu, sipas ekspertit të psikiatrisë së forenzikës, Jeton Zogaj, as tek i akuzuari Llonqari nuk janë gjetur ndonjë element i ndonjë çrregullimi të personalitetit dhe siç tha Zogaj, ekspertët nuk kanë pasur të dhëna për sa i përket të një kaluar recidiviste të të akuzuarit Llonqari.

Ndryshe, në seancën e së martës ishte paraparë që të jap mbrojtjen e tij edhe i akuzuari Llonqari, mirëpo, seanca u desh të ndërpritet, pasi që Llonqari tha se ishte i lodhur dhe nuk mund të deklarohej në këtë seancë.

“Unë për këtë çështje juridike penale do të deklarohem ndërkaq nuk jam në gjendje që sot ta jap mbrojtjen për shkak të lodhjes’’, deklarojë i akuzuari Llonqari.

Pas deklarimit të Llonqarit, trupi gjykues morri aktvendim me të cilën e ndërpreu seancën ashtu që e njëjta u vendos të vazhdojë më 6 nëntor 2018, ora 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë me 25 janar 2018, i pandehuri Fatmir Llonqari me 14 shtator 2017, rreth orës 15:15, me dashje para derës së shtëpisë së tij, pas një mosmarrëveshje e ka privuar nga jeta viktimën, tani të ndjerin Idriz Gega, të cilin e ka goditur dy herë me sëpatë në pjesën e sipërme të kokës dhe në vetullën e djathtë, ku i njëjti si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në Spitalin Regjional të Pejës.

Për çka, prokuroria e ngarkon Llonqarin, me veprën penale të vrasjes nga neni 178 të KPK-së.

I njëjti, po në datën e lartcekur, ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Ferid Gega, në atë mënyrë që në ditën kritike kur Feridi e kishte kuptuar që babai i tij Idrizi ishte goditur me sëpatë nga Fatmiri, dhe nga plagët e marra ka ndërruar jetë, ai me armë shkon tek dera e oborrit të pandehurit Fatmir dhe shtënë me armë disa herë në drejtim të tij me qëllim që ta privojë nga jeta, dhe në këtë rast, i pandehuri i cili ishte në ballkonin e tij, kur e vëren viktimën duke gjuajtur, shtënë me armë ndaj viktimës për ta zmbrapsur nga vetja rrezikun, me ç’rast ka shtënë shtatë herë, dhe nga këto të shtëna, viktima Ferid goditet me tre plumba ( dy herë në pjesën e poshtme të stomakut dhe një herë në krahë).

Për këtë vepër, i akuzuari Llonqari ngarkohet me veprën penale vrasje e mbetur në tentativë në rrethana të mbrojtjes së nevojshme nga neni 178 e lidhur me nenin 28 dhe 12 par 3 të KPK-së.

Vepra e tretë e cila i vihet në barrë të pandehurit Llonqari, është mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPK-së, në bazë të së cilës edhe e ka kryer veprën penale të dytë ndaj viktimës Ferid Gega.

Kurse sipas aktakuzës, i pandehuri i dytë, Ferid Gega, pretendohet se me 14 shtator 2018, rreth orës 15:30, me armë ka tentuar ta privon nga jeta të dëmtuarin Fatmir Llonqari, në atë mënyrë që kur i pandehuri kishte dëgjuar se kishte ndërruar jetë babai i tij, si pasojë e plagëve të marra nga goditjet me ëe Fatmirit, me ç’rast shtënë me armë disa herë ndaj viktimës, por të cilin nuk arriti ta godet.

Me ç’rast Prokuroria të pandehurin Ferid Gega e ngarkon me vepren penale vrasje e mbetur në tentativë nga neni 178 e lidhur me nenin 28 të KPK-së.

I njëjti, sipas aktakuzës, pa autorizim ka mbajtur në posedim armë dhe municion dhe atë një revole të tipit “TT’ M-57”, ca.7.62  dhe një karikator të zbrazët, me të cilën i pandehuri në ditën kritike kishte tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Fatmir Llonqari, e me çka Prokuroria e ngarkon me veprën penale është mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPK-së.