Gjykimi për vrasjen me pagesë, prokurorja e konsideron të ligjshëm përmirësimin e aktakuzës, mbrojtja e kundërshton si të kundërligjshëm

19 korrik 2021 B Raja foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Korrik 19, 2021

Pejë – Prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj e ka konsideruar të ligjshëm dhe në harmoni me aktgjykimin e Gjykatës Supreme, aktakuzën e përmirësuar ndaj të pandehurve Bekim Raja, Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Gjon Pnishi, të cilët akuzohet për vrasjen me pagesë të tani të ndjerit, Ferdinand Gjini.

Në anën tjetër, mbrojtja e të pandehurve Raja dhe Sinanaj, e kanë cilësuar si aktakuzë të kundërligjshme pasi sipas tyre, aktakuza ishte ndryshuar dhe jo përmirësuar dhe se e njëjta ishte e bazuar në deklaratën e dëshmitarit bashkëpunues “D1”, e cila sipas tyre ishte nxjerrë në kundërshtim me ligjin.

Mbrojtësi i të pandehurit Bekim Raja, avokati Sylë Lokaj tha se urdhri i gjykatës për shpalljen e dëshmitarit bashkëpunues ishte bërë në kundërshtim me ligjin, sepse hetimi penal nuk kishte vazhduar edhe ndaj dëshmitarit bashkëpunues ashtu siç parashihte ligji.

“Edhe sikur çdo kujt t’i kanoset dënimi prej 10 viteve dhe t’i jepen mundësitë për pushimin e hetimeve për t’iu shmang këtij dënimi, gjithkush do të pranonte të dëshmonte”, tha avokati Lokaj.

Tutje, mbrojtësit e të pandehurve pretenduan se aktakuza e Prokurorisë kishte ndryshuar gjendjen e fakteve në aktakuzë, ndryshe prej aktakuzës së re dhe kjo sipas tyre përbënte aktakuzë të ndryshuar.

“Në aktakuzën e ndryshuar thuhet se Gjon Pnishi dhe Avni Sinanaj janë marrë vesh paraprakisht që për të bërë vrasjen të përfitojnë 150 mijë chf, të cilën shumë e ka ndarë me të akuzurin Murat, kurse në shqyrtimin e kaluar ska qenë një provë e tillë që do të provonte këtë rrethanë”, tha avokatja Kelmendi

Në lidhje me këtë pretendim të mbrojtjes së të pandehurve Bekim Raja, Murat dhe Avni Sinanaj, u kundërpërgjigj prokurorja Valbona Dishaj-Haxhosaj

Haxhosaj shtoi se përmirësimin e aktakuzës e kishte bërë në harmoni me aktgjykimin e Gjykatës Supreme, sipas së cilës kishte bërë ndarjen e dispozitave për secilin të pandehur.

Sipas saj, Gjykata Supreme nuk e ka kontestuar gjendjen faktike të vërtetuar në dispozitiv dhe se me aktakuzën e përmirësuar nuk ishte ndryshuar gjendja faktike mirëpo vetëm ishte bërë ndarja e dispozitivit në shtytës, ndihmës dhe kryes të veprës penale.

“Prokuroria nuk ka asnjë provë të re në këtë çështje penale dhe përveç veprimeve të ndara për secilin të akuzuar, pjesa e arsyetimit dhe provave janë të njëjta”, tha Haxhosaj.

Në lidhje me propozimin për shpalljen si provë të papranushmë deklarimin e dëshmitarit bashkëpunues “D1”, prokurorja shtoi se ky pretendim nuk ishte kontestuar nga Gjykata e Apelit dhe Supreme dhe se aktakuza ishte e ligjshme dhe e bazuar.

“Aktakuza është e ligjshme dhe nuk është në kundërshtim me KPP-në”, shtoi prokurorja Haxhosaj.

Kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu tha se për këto propozime do të vendos jashtë seancë si dhe për propozimin e mbrojtjes që ndaj të pandehurit Avni Sinanaj të ndërpritet paraburgimi dhe të lejohet të shoh prindërit e tij.

Seanca e radhës u caktua më 28 shtator 2021, ora 10:00

Për këtë rast, Gjykata Supreme e Kosovës ka anuluar aktgjykimin dënues të Gjykatës së Pejës ndaj Bekim Rajës, Murat Sinanajt, Avni Sinanajt dhe Gjon Pnishit, të cilët ishin dënuar me 49 vite burgim, vendim ky i vërtetuar nga Apeli.

Gjykata Supreme ka arsyetuar se dispozitivi i aktgjykimit i gjykatës së shkallës së parë është i paqartë dhe në kundërshtim me cilësimin juridik të veprës penale të bashkimit kriminal.

Vendimi i Supremes është marrë pasi në korrik të vitit 2020, Gjykata e Apelit e kishte konsideruar të ligjshëm dhe të drejtë vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin të pandehurit Bekim Raja, Murat Sinanaj, Avni Sinanaj dhe Gjon Pnishi ishin dënuar me 49 vite burgim, për vrasjen e tani të ndjerit Ferdinand Gjini.

Me 21 nëntor 2019, Murat Sinanaj ishte dënuar me 19 vite burgim, i akuzuari Bekim Raja me 15 vite burgim, i akuzuari Avni Sinanaj me 9 vite burgim, kurse i akuzuari Gjon Pnishi me 6 vite burgim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 26 korrik 2018, nga Prokuroria Themelore në Pejë dhe të përmirësuar me 15 prill 2021, Prokuroria e Pejës e akuzon të pandehurin Bekim Raja se në muajin maj 2012, në Zvicër, me dashje dhe me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt e ka shtyrë të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj, ta kryejnë vrasjen e viktimës Ferdinand Gjini.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Bekim Raja u kishte premtuar se nëse vrasjen do të kryejnë sa më shpejtë, do të shpërblehen me shumën prej 150 mijë CHF, kurse nëse vrasja do të ketë vonesë, do të shpërblehen 100 mijë CHF.

Sipas aktakuzës, deri te vrasja e të ndjerit kishte ardhur pasi Ferdinand Gjini, së bashku me Mark Kqirajn, e kishin rrahur të pandehurin Bekim Raja. Prokuroria përshkruan se Raja përmes dëshmitarit bashkëpunues”D1″, është takuar me të pandehurin Gjon në Zvicër të cilët kishin lidhur marrëveshje, i pandehuri Gjon e bartë porosinë tek të pandehurit Avni dhe Murat për vrasjen e viktimës Ferdinad Gjini, e cila vrasje është kryer më 23 qershor 2014, në fshatin Prapaqan të Deçanit, nga i pandehuri Murat. i cili për këtë sipas aktakuzës është shpërblyer më shumën 100 mijë CHF.

Me çka ka kryer veprën penale “shtytje në kryerjen e vrasjes së rëndë” nga neni 179, paragrafi 1, pika 1.8 e lidhur me nenin 32, paragrafin 1 të KPK-së.

Të pandehurit Gjon Pnishi dhe Avni Sinanaj akuzohen se pas marrëveshjes mes tyre për të kryer vrasjen sipas porosisë së të pandehurit Raja, fillojnë përgatitjet për këtë veprim që nga viti 2012.

Sipas akuzës, të pandehurit Avni dhe Gjon shfrytëzojnë gjendjen jo të mirë financiare të viktimës Ferdinad, duke e joshur me substanca narkotike, ashtu që një natë para vrasjes takohen të pandehurit me viktimën në Gjakovë dhe merren vesh që në ditën kritike viktima, së bashku me Pnishin, të shkojnë te i pandehuri Avni në Isniq të Deçanit për të marrë një sasi të narkotikëve.

Sipas akuzës, në ditën kritike viktima niset për në drejtim të Deçanit, i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi dhe me të arritur te ura që lidh fshatrat Llukë e Prapaqan, i pandehuri Murat i cili kishte dalë në pritë, me të vërejtur viktimën duke kaluar mbi urë pas veturës së të pandehurit Gjon, me armë automatike shtënë në drejtim të veturës duke e privuar nga jeta.

Sipas akuzës, pas vrasjes i pandehuri Bekim të pandehurve Gjon, Avni dhe Murat përmes “D1” dhe familjarëve të pandehurit Gjon, Avni dhe Murat, si shpërblim ua jap shumën prej 100 mijë CHF.

Me çka duke vepruar si bashkëkryerës, kanë kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, nga neni 179, paragrafi 1 pika 1.6 e lidhur me nenin 31 dhe nenin 33, paragrafi 1 të KPK-së.

I akuzuari Murat Sinanaj akuzohet se me 23 qershor 2014, rreth orës 8:40, në fshatin Prapaqan të Deçanit, sipas porosisë të pandehurit Bekim dhe përmes ndihmës nga të pandehurve Gjon dhe Avni, në planifikim e vrasjes, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, në mënyrë dinake e privon nga jeta të ndjerin Ferdinad Gjini, duke shtënë në veturën e të ndjerit me armë automatike

Me çka ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 179, paragrafi 1 pika 1.4 dhe 1.6 të KPK-së. /BetimipërDrejtësi