Gjykimi për vrasjen e vitit 2012 në Lipjan, trupi gjykues jo i plotë lë në paraburgim njërin të akuzuar

IMG-7690
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Korrik 27, 2020

Prishtinë – Mungesa e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Naime Krasniqi-Jashanica, nuk ka ndikuar që kryetari i trupit gjykues për rastin e vrasjes në Lipjan, gjykatësi Naser Foniqi dhe anëtari tjetër Vesel Ismaili, të vendosin në lidhje me vazhdimin e masës së paraburgimit për të akuzuarin Arian Agushi.

Arian Agushi, së bashku me Mentor, Shpend dhe Xhevahir Agushit, për herë të tretë po gjykohen nën akuzën se në vitin 2012, në bashkëkryerje dhe me dashje e kishin privuar nga jeta tani të ndjerin, Ramadan Demiri dhe kishin rrezikuar jetën e të tjerëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, ardhja e gjykatëses Krasniqi-Jashanica ishte pritur mbi 30 minuta, ku sipas gjykatësit Foniqi, e njëjta nuk ishte lajmëruar as në telefon edhe pse kishte qenë e informuar për mbajtjen e kësaj seance.

Por, edhe pse nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance, mbrojtësja e të akuzuarit Arian Agushi, avokatja e angazhuar sipas detyrës zyrtare, Sadije Mjekiqi, kishte kërkuar nga gjykata ndërprerjen e masës së paraburgimit për të mbrojturin e saj.

Sipas avokates Mjekiqi, i akuzuari Arian Agushi mbi tetë vite ishte nën masën e paraburgimit dhe se vepra penale ishte e vjetër dhe se nuk dihet se kur do të përfundojë ky rast.

Prandaj, ajo ka kërkuar që masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak, pasi sipas saj, me një masë të tillë nuk do të kishte pengesë në mbarëvajtjen e procesit gjyqësor, pasi sipas avokates edhe interesi i vet të akuzuarit ishte që ky gjykim të kryhet sa më shpejtë.

Pasi këtë propozim e kishte kundërshtuar prokurorja Shemsije Asllani, gjykatësi Foniqi njoftoi se edhe pse trupi gjykues ishte në përbërje jo të plotë, i njëjti propozim do të vlerësohet vetëm nga ai dhe anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili.

Sipas Foniqit, nëse ai dhe gjykatësi Ismaili kishin mendim të njëjtë, vendimi për këtë propozim do të merret menjëherë, por nëse kishin mendime të ndryshme, atëherë vendimi do të merret pas kompletimit të trupit gjykues.

“Refuzohet propozimi për ndërprerjen e masës së paraburgimit për të akuzuarin Arian Agushi, pasi vlerësojmë se pesha e veprës penale është aq e rëndë sa që në këtë fazë të procedurës kjo masë nuk mund të ndërpritet. Po ashtu ekziston rreziku që i akuzuari Arian Agushi të ikë-shmanget procedurës në këtë çështje penale duke pasur parasysh se për veprën penale për të cilën akuzohet parashihet një dënim relativisht i lartë”, ka thënë gjykatësi Foniqi, pas konsultimit me gjykatësin Ismaili.

Mirëpo, neni 193, paragrafi 1, i Kodit të Procedurës Penale të Kosovës përcakton se pas ngritjes së aktakuzës dhe deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, paraburgimi mund të caktohet, vazhdohet ose të hiqet vetëm me aktvendim të gjyqtarit të vetëm gjykues, kryetarit të trupit gjykues ose trupit gjykues në seancë.

Sipas këtij neni, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues së pari dëgjon mendimin e prokurorit të shtetit kur procedura është filluar me kërkesën e tij dhe mendimin e të pandehurit ose mbrojtësit.

Po ashtu, neni 298, paragrafi 1, përcakton se kryetari i trupit gjykues, anëtarët e trupit gjykues, procesmbajtësi dhe gjyqtari zëvendësues i caktuar duhet të jenë vazhdimisht të pranishëm në shqyrtimin gjyqësor që mbahet para trupit gjykues.

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet me 5 gusht 2020, në ora 13:30.

Ndryshe, ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit dy herë, dhe pas kthimit për herë të dytë, nga gjykatësja Shpresa Hasaj – Hyseni, kishte kaluar tek gjykatësi Naser Foniqi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, pas kthimit në rigjykim në prill të këtij viti, i kishte dënuar me mbi 41 vjet burgim të akuzuarit Arian, Mentor, Shpend dhe Xhevahir Agushi, të cilët akuzoheshin se në vitin 2012, në bashkëkryerje dhe me dashje e kishin privuar nga jeta tani të ndjerin, Ramadan Demiri dhe kishin rrezikuar jetën e të tjerëve.

Sipas aktgjykimit të shpallur më 15 prill 2019, nga gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni, Arian Agushin e kishte dënuar me 21 vjet burgim, Mentor Agushi me 11 vjet burgim, ndërsa të akuzuarit Shpend dhe Xhevahir Agushi, ishin dënuar me nga 4 vjet e 10 muaj burgim.

Ndërsa, Arian Agushi në mungesë të provave ishte liruar nga akuza për veprën penale “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa ndaj të gjithë të akuzuarve për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, është shqiptuar aktgjykim refuzues, pasi për këtë vepër prokurori Armend Hamiti, është tërhequr nga ndjekja penale.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 14 tetor 2015, po ashtu kishte marr aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve, me të cilin të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë, për veprat penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, armëmbajtje pa leje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Të njëjtit i kishte dënuar me rreth 38 vjet burg, ashtu që i akuzuari Arian Agushi ishte dënuar me 19 vjet burgim, Mentor Agushi me 14 vjet, ndërsa Shpend Agushi dhe Xhevahir Agushi ishin dënuar me nga 5 vjet burgim.

Aktgjykimin e shkallës së parë e kishte vërtetuar Gjykata e Apelit, me rastin e shqyrtimit të ankesave të deponuara nga të akuzuarit, përmes mbrojtësve të tyre, mirëpo pasi lënda kishte shkuar në shkallën e tretë, Gjykata Supreme e Kosovës kishte anuluar të dy aktgjykimet dhe lëndën e kishte kthyer në rivendosje në shkallën e parë.

Sipas aktakuzës, së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 9 tetor 2012, Arian Agushi, Mentor Agushi, Shpend Agushi dhe Xhevahir Agushi, akuzoheshin se në bashkëkryerje me dashje e kanë privuar nga jeta të ndjerin, Ramadan Demiri dhe kanë rrezikuar jetën e të tjerëve.

Prokuroria pretendon se katër të akuzuarit me 12 prill 2012, në fshatin Gadime e Epërme, në Lipjan, pas marrëveshjes paraprake mes tyre, me paramendim, kanë shkuar në arën e të dëmtuarit Nuredin Demiri, cili ishte duke punuar me djalin e tij, kishin sulmuar të dëmtuarin Nuredin Demiri.

Sipas aktakuzës, me të shkuar në arën e të dëmtuarit, i akuzuari Mentor Agushi, kishte gjuajtur me revole në drejtim të tij dhe e kishte goditur në këmbën e djathtë.

Ndërsa, Arian Agushi akuzohej se me pushkën e gjuetisë gjuan në drejtim të Ramdan Nuredini, të cilit i shkakton plagë vdekjeprurëse.

Katër të pandehurit akuzohen edhe për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shitje të paautorizuar të armëve, ddërsa, Arian Agushi akuzohej edhe për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, pasi kishte shtënë disa herë me armë në oborrin e stacionit.

Me këto veprime, ata akuzoheshin se në bashkëkryerje kishin kryer veprat penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje, armëmbajtje pa leje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. /BetimipërDrejtësi