Gjykimi për vrasjen e shokut për borxh, prokurorja thotë se jeton në të njëjtën lagje ku banon familja e të ndjerit

Raporton: Driton NOCAJ

Pejë- Prokurorja Lumturije Vuqetaj bëri të ditur se jeton në të njëjtën lagje ku jeton familja e të ndjerit Mentor Zekaj dhe se ka afërsi familjare me dëshmitarin okular të ngjarjes kritike, Fadil Vuqetaj.

Këto fakte, prokurorja Vuqetaj i bëri të ditura në gjykimin ku për vrasjen e rëndë të shokut të tij, Mentor Zekajt po akuzohet Kreshnik Haliti, për shkak të një borxhi prej 77 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vuqetaj, e cila është prokurore e re në përfaqësimin e kësaj aktakuze, tha se këto fakte i bëri të ditura për hir të objektivitetit dhe korrektësisë së gjykimit dhe në raport me mbrojtjen e të pandehurit Haliti.

Në anën tjetër, mbrojtja e të pandehurit Haliti, avokati Besnik Berisha nuk pati vërejtje që prokurorja e rastit të vazhdojë me përfaqësimin e akakuzës, pasi sipas tij, dëshmitari Vuqetaj ishte dëgjuar në cilësinë e dëshmtiarit edhe më herët.

Po ashtu, ai tha se ky dëshmitar ka kaluar disa filtra, pasi që rasti është në rigjykim dhe beson se misioni i drejtësisë është më i madh se afërsia familjare që prokurorja ka me dëshmitarin.

“Nuk parashtrojmë vërejtje që kjo prokurore të përfaqësojë aktakuzën për këtë çështje”, tha Berisha.

Ndryshe, gjykimi ndaj Halitit ka vazhduar me trupin e ri gjykues, pasi ish-kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri ka ndërruar jetë, ndërsa tani këtë lëndë e gjykon trupi gjykues i kryesuar në gjykatësi Murat Hulaj, me anëtarët Sami Sharraxhiu dhe Musë Povataj.

Në këtë seancë të rigjykimit, pa leximit të aktakuzës nga prokurorja dhe njoftimit të pandehurit me të drejtat, ky i fundit u deklarua i pafajshëm për vrasjen e rëndë të Mentor Zekajt, ndërsa fajtoru deklarua për armëmbajtje pa leje dhe atë për posedim të elektroshokut dhe armës së ngjarjes kritike.

Lidhur me armën e ngjarjes kritike, i pandehuri Haliti tha se e kishte poseduar atë ditë dhe jo më herët.

“Nuk e pranoj fajësinë në raport me aktakuzën. Ndërsa, e pranoj fajësinë për armëmbajtjen e elektroshokut që m’u ka gjetë në shtëpi dhe posedimin e armës në ditën kritike, por jo më parë”, tha Haliti.

Gjykatësi Husaj nuk mori aktvendim procedural për pranimin apo refuzimin e fajësisë për armëmbajtje pa leje, mirëpo i njëjti ftoi palët të japin fjalët hyrëse.

Mbrojtësi i të pandehurit, avokati Besnik Berisha parashtroi para trupit gjykues, faktet të cilat sipas tij do të provonin se ngjarja kritike, nuk ishte ashtu siç prokuroria e kishte paraqitur në aktakuzë dhe se sipas tij do të vërtetohet se faktet thelbësore janë shtrëmbëruar, barra e provës është transferuar tek i akuzuari dhe motivi është një spekulim që bëhet për përfitim.

Ai shtoi se do të provohet se i mbrojturi i tij nuk e kishte thirrë të ndjerin për takim në ditën kritike, por ky e fundit e kishte thirrë të mbrojturin e tij.

“Do të provohet se i akuzuari ishte nisur për të takuar Ilir Lulajn dhe Berat Thaqin për të pirë kafe në Pejë dhe momenti kur i ndjeri ishte ai që propozoi që i akuzuari të hyjë në veturën e tij”, tha Berisha.

Avokati Berisha kontestoi edhe borxhin për të cilin e ngarkon Prokuroria të mbrojturin e tij, duke thënë se shuma prej 77 mijë euro borxh të cilën pretendohet se i mbrojturi i tij ia kishte të ndjerit, nuk ekzistonte.

Sipas tij, edhe sikur borxhi të ekzistonte, motivi për të bërë sulmin i atribuohej atij i cili ishte i frustruar për moskthimin e borxhit, duke aluduar në të ndjerin.

Tutje, ai shtoi se plagët e të ndjerit të cilat ishin në anën e majtë të supit të tij, tregonin se i ndjeri ishte kthyer për të sulmuar të mbrojturin e tij, i cili derisa ishte në pozitën e pasagjerit, sipas mbrojtjes ia kishte marrë armën të ndjerit.

“Nuk ka logjikë që pasagjeri të godet shoferin, tani të ndjerin në supin e anës së majtë po të mos paraprihej fyerja dhe sulmi nga i ndjeri dhe përleshja që rezultoi me marrjen e revoles nga ai dhe goditjen që përshkruhet në dispozitiv”, tha Berisha

Në anën tjetër, prokurorja Vuqetaj në fjalën hyrëse theksoi se më provat e administruara do të vërtetohet në tërësi se në veprimet e të pandehurit janë plotësuar elementet e veprave penale për të cilat akuzohet.

Fjalën hyrëse të prokurores e mbështeti edhe mbrojtësi i familjës së tani të ndjerit, avokati Gëzim Kollqaku.

Në këtë seancë munguan dëshmitarët Haxhi Morina dhe Driton Zekaj, të cilët edhe pse ishin ftuar në mënyrë të rregullt, mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar.

Seanca e radhës pritet të vazhdojë më 30 shtator 2021.

Gjykata Themelore në Pejë, më 4 korrik të vitit 2018, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin Kreshnik Haliti, ndaj të cilit kishte shqiptuar dënim unik prej 22 vite e gjashtë muaj burgim, nën akuzat për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Mirëpo, Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi ishte i përfshirë në shkelje të procedurës penale dhe vërtetimin jo të plotë të gjendjes faktike.

Kreshnik Haliti akuzohet se më 6 mars 2017, në rrugën “Myrvete Maksutaj”, në Pejë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e ka privuar nga jeta viktimën, tani të ndjerin M. Z.

Sipas aktakuzës, këto veprime kanë ardhur për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur ndërmjet vete tani i ndjeri M.Z me të pandehurin Kreshnik Haliti, lidhur me një borxh prej afro 77 mijë euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri në ditën kritike i përgatitur për vrasjen, e thërret viktimën për të shkuar në qendër të Pejës, me ç’rast me makinën e tij viktima ka shkuar e ka marrë të pandehurin, ku në veturë kanë biseduar për borxhin, ashtu që sapo kanë arritur në vendin kritik, i pandehuri e godet dy herë me një revole të modelit “Pietro Beretta M-70”, e kalibrit 7.65x17mm.

Për këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, sipas nenit 179, paragrafi 1 të Kodit Penal, ku parashihet dënimi me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm. /BetimipërDrejtësi

 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë