Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviq, Apeli refuzon kërkesat e të akuzuarve lidhur me masat e sigurisë

Apeli_new 015
Author

Raporton: Medina KADRIU

Mars 31, 2020

Prishtinë – Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesat e mbrojtësve të të akuzuarve Silvana Arsovic, Dragusha Markovic dhe Rade Basara, lidhur me masat e sigurisë të caktuara nga shkalla e parë.

Nedeljko Spasojeviq, Marko Rashiq, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq, Zarko Jovanoviq dhe Rade Basara, po akuzohen se që nga viti 2011 e tutje, duke vepruar si grup kriminal i organizuar të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojçiq, kanë kryer veprime inkriminuese, të cilat kanë rezultuar me vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Bashkë me ta, akuzohen edhe Milan Radojçiq, Zvonko Veselinoviq, Zhelko Bojiq, por që ata gjendet në arrati.

Nedelko Spasojeviq, akuzohet për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë” ndihmë në kryerjen e veprës penale:  vrasje  e rëndë”  dhe“Mbajta në pronësi, kontroll ose posedim  të paautorizuar të armëve” .

Marko Rashiq, akuzohet për shkak të veprave  penale:  “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje  e rëndë”, kurse Rade Basara për shkak të veprave penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe  “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë” .

Ndërsa, Silvana Arsoviq për shkak të veprave penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”   “Ndihmë në kryerjen e veprës penale: vrasje  e rëndë” dhe Dragisha Markoviq për shkak të veprave penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”  “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje”, “Manipulim i provave”  në bashkëkryerje dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” .

Ndryshe, Departamenti i Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, me 09 mars 2020, i kishte refuzuar si të pabazuara, kërkesat/propozimet për ndërprerje të masës së paraburgimit, të parashtruara gjatë seancës së shqyrtimit fillestar të datës 11 shkurt 2020 ndaj të pandehurve Nedelko Spasojevic, Marko  Rosic dhe Rade Basara.

Më të njëjtin aktvendim, gjykata e shkalles së parë e kishte refuzuar si të pabazuar propozimin e prokurorisë speciale, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, ndaj të pandehurve Silvana Arsovic, Dragisha Markovic dhe Zharko Jovanovic dhe ndaj tyre ka shqiptuar masën e paraqitjes në stacion policor.

Mbrojtësit e tyre i ishin drejtuar me ankesë gjykatës së shkallës së dytë, mirëpo kjo e dyta ka vlerësuar se janë të pabaza.

“Që të tre mbrojtësit e të pandehurës Silvana Arsovic, avokatet Musa Damati, Jovana Filipovic dhe Dobrica Lazic, pretendojnë se në rastin konkret,  nuk ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura e ka kryer veprën penale, e cila i vihet në barë. Avokatet Jovana Filipovic dhe Dobrica Lazic theksojnë se sa i përket dyshimit të bazuar, nuk ekziston asnjë fakt, sipas të cilit një vëzhgues objektiv, do të kolaudonte se e pandehura e ka kryer veprën penale në fjale, dhe se prokuroria mbështet vetëm në supozime. Përtej kësaj, avokati Damati thotë se në rastin e të mbrojturës së tij, mungojnë elementet qenësore të cilat do ta përbenin, figurën e veprës penale    ( neni 250 par.1, nën par.1.4.) dhe se në aktakuzën e ngritur, prokuroria ka dështuar të specifikoj përgjegjësitë individuale, të pandehurës duke mos qenë në gjendje të përshkruaj veprimet inkriminuese, për veprën penale për të cilën ngarkohet. Bazuar në këto mbrojta e sheh si të pa nevojshme caktimin e masës  së paraqitjes në stacion policor”, thuhet në aktvendim.

Sipas Apelit, mbrojtësi i të pandehurit Dragisha Markovic, ka pretenduar se nga skadimi i arrestit shtëpiak në të cilin ka qenë i pandehuri,  ka kaluar një muaj kur ai nuk ka qenë nën masa, plotësisht i vetëdijshëm se kundër tij udhëhiqet procedura.

“Gjatë gjithë kësaj kohe, sipas tij ai ka qenë i disiplinuar dhe ka marr pjesë në procedurë, duke iu përgjigjur çdo thirrje të gjykatës dhe ka marrë pjesë në të gjitha fazat e procedurës. Prandaj konsideron se caktimi i ndonjë mase është i panevojshme dhe e kundërshton atë”, thuhet në aktvendim.

Ndërkaq thuhet se mbrojtësi i të pandehurit Rade Basara, avokati Tomë Gashi pretendon se nuk janë plotësuar asnjë nga kushtet e veçanta për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të mbrojturit të vet.

“Sipas tij, nuk ekzistojnë rrethana që arsyetojnë friken se i pandehuri mund të ikë, për shkak se ai ka vendbanim të përhershëm në Mitrovicë,  dhe pavarësisht faktit se është shtetas i Republikës se Serbisë, i gjithë interesi i tij është në Kosovë.  Po ashtu mbrojtësi thekson se nuk ka arsye për të besuar se i pandehuri mund të ndikoj në prova ose dëshmitarë, dhe se ky konkludim është një pretendim i zbehte teorik, i cili nuk do të duhej të shërbente si arsyetim. Me tutje shton se si mund të ndikoj i pandehuri në prova dhe dëshmitarë, kur ato prokuroria pretendon se i ka siguruar në fazën e hetimeve. Propozon sikur u përmend më lartë”, thuhet në aktvendim.

Sipas Apelit, pretendimet e mësipërme ankimore janë të pabazuara, kjo për faktin se shkalla e parë drejtë ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit janë të involvuar në kryerjen e veprave penale për të cilat dyshohen,  ngase për këtë rast, tashmë ka një aktakuzë të ngritur, e cila është e mbështetur në prova, të cekura dhe të listuara nga faqja 7 deri në faqen 14 të saj.

“Se a do të vërtetohen faktet e përshkruara në aktakuzë më këto prova, kjo mbetet të shihet në faza tjera të procedurës, por tani për tani, duke u nisur nga fakti se qëllimi i kësaj faze është sigurimi i prezencës së të pandehurve në procedurë dhe mbarëvajtjes se rrjedhës së procedurës penale, provat e prezantuara në aktakuzë janë më së të mjaftueshme, për të vërtetuar ekzistimin e dyshimit të bazuar, kusht ky qenësorë për vazhdimin e këtyre masave,  ashtu sikur parasheh neni 178 par.1, nën par.1 dhe neni 187 par.1, nën par.1.1 dhe 1.2 e KPP-së”, thuhet në aktvendim.

Tutje, thuhet se Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë drejtë ka gjetur se me qenë se ekziston dyshimi i bazuar,  se të pandehurit kanë kryer veprën penale të lartcekura, ka bazë ligjore për vazhdimin e masës së paraqitjes në stacion policor për  Silvana Arsovic dhe Dragisha Markovic si dhe  masës së paraburgimit për të pandehurin Rade Basara, ngase të ata edhe pse janë shtetas të Republikës se  Kosovës,  posedojnë  edhe dokumente  të identitetit të Republikës së Serbisë.

“E nëse do të lihen të mbrohen në liri, ekziston rreziku real dhe serioz se mund të ikin ose  arratisen  nga Kosova në shtetin fqinj,  dhe kështu të bëhen të  paarritshme  për institucionet ligj zbatuese, duke shtuar kësaj faktin se Republika e Serbisë, në raste shumë të rralla ka bashkëpunuar me organet  e ndjekjes së Republikës së Kosovës,  e me këtë do të pamundësohej zhvillimi normal dhe i papenguar i procedurës penale në këtë fazë”, thuhet në aktvendim të Apelit.

Gjithashtu, thuhet se kjo gjykatë vlerëson se, gjykata e shkallës së parë drejtë ka gjetur se ka bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit ndaj të pandehurit Rade Basara, për faktin se ai do te mundë të ndikojnë në provat dhe dëshmitarë,  e i cili ndikim do të  pengonte rrjedhën e procedurës penale  edhe pse tani është ngritur aktakuza dhe se janë siguruar provat.

“Mirëpo, në rastin konkret ekziston rreziku  sepse nga faza e hetim ka qen shume e vështir  të sigurohen provat nga ana e organit të aktakuzës  dhe se është provuar ndikimi  ne ketë çështje penale. Andaj vazhdimi i paraburgimit konform nenin 187 par.1 nënpar.1.1 e 1.2, pika 1.2.2 të KPP-së, është i nevojshëm deri sa të zbehet në masë rreziku i ndikimit në prova ose dëshmitarë, me qëllim të zbatimit të suksesshëm, e të pa penguar të  procedurës penale”, thotë aktvendimi i gjykatës së shkallës së dytë.

Ndryshe, gjashtë të akuzuarit për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 11 shkurt, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, gjashtë të akuzuarit kishin mohuar fajësinë për veprat penale që u ngarkoheshin.

Ndërsa, dy të akuzuarit për armëmbajtje pa leje, Nedeljko Spasojeviq dhe Zharko Jovanoviq kishin pranuar fajësinë vetëm për këtë vepër penale.

Ky pranim fajësie nuk ishte kundërshtuar nga prokurori Isufaj dhe si i tillë u aprovua nga gjykatësi Valon Kurtaj, me arsyetimin se ishte bërë vullnetarisht nga dy të akuzuarit, pa presion dhe se gjente mbështetje në shkresat e lëndës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 dhjetor kishte ngritur aktakuzë kundër Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq dhe Rade Basara për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje” dhe “Manipulim me prova, në bashkëkryerje”.

Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq, Milan Radojçiq, Zvonko Veselinoviq, Zhelko Bojiq, të cilët gjenden në arrati, duke vepruar si grup kriminal i organizuar me strukturë dhe hierarki në grup, me role të përcaktuara formalisht, i cili grup kriminal nuk është formuar rastësisht, por është duke vepruar që nga viti 2011 e këndej, të cilin grup e udhëheqin të pandehurit Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojcic, të cilët gjenden në arrati, ku të gjithë këta të pandehur veprojnë në vazhdimësi dhe në bashkëpunim, me dashje dhe dijeni të qëllimit dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar ose qëllimit të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale të cilët janë të dënueshme me burgim prej së paku  katër vjet.

Të pandehurit aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit duke ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuojë në realizimin e veprimtarive kriminale të grupit dhe realizimin e përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të dobisë financiare apo dobisë tjetër pasurore, me qëllim të shtrirjes së kontrollit të bizneseve në territorin dhe kontrollin e politikës në pjesën veriore të Mitrovicës.

Ky grup kriminal ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”, “ Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë”, “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm në territorin e Republikës së Kosovës”.

Po ashtu, secili nga të pandehurit kanë kryer veprime inkriminuese-konkrete për grupin në fjalë, me ç’rast veprimtaritë e këtij grupit kriminal të organizuar kanë rezultuar me vrasjen tani të të ndjerit Oliver Ivanoviq, ku paraprakisht nga i njëjti grup i është djegur edhe vetura e tij.

Me këto veprime, të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 283, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

I pandehuri Nedeljko Spasojeviq, akuzohet se në ditën kur është vrarë Oliver Ivanoviq, me veprimet e tij iu ka lehtësuar dhe siguruar rrugëtimin të dyshuarve (ekzekutuesve), në kryerjen e aktit të vrasjes, si dhe ai së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes, Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, nuk i kanë kryer detyrat dhe autorizimet policore në vendin e ngjarjes, por kanë lëvizur me veturë zyrtare dhe në këmbë edhe pse hasin në persona të pa autorizuar, duke fotografuar dhe dëmtuar provat e mundshme në vendin e ngjarjes, ku kishte ndodhur vrasja.

Me këto veprime, i pandehuri Nedeljko Spasojeviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 2, nën paragrafi 2.2. të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Nedeljko Spasojeviq, ka bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e Oliver Ivanoviq, me ç’rast me dashje dhe dijeni i ka ndihmuar të dyshuarve të panjohur në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke krijuar kushtet dhe mënjanuar pengesat për kryerjen e veprës penale, ku i njëjti u ka lehtësuar të dyshuarve që të marrin veturën e markës “Opel Astra”, pa targa, me dritare të errësuara, ta përcjellin të njëjtën veturë në drejtim të qytetit, nga e cila veturë është shtënë gjashtë herë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.

Po ashtu, i pandehuri Nedeljko Spasojeviq akuzohet se së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, nuk i kanë kryer detyrat dhe autorizimet policore në vendin e ngjarjes, por kanë lëvizur me veturë zyrtare dhe në këmbë edhe pse hasin në persona të pa autorizuar duke fotografuar dhe dëmtuar provat e mundshme në vendin e ngjarjes ku kishte ndodh vrasja e të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Me këto veprime, i pandehuri Nedeljko Spasojeviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, nga neni 179 i KPK-së, lidhur me nenin 33, paragrafi 2 KPRK-së.

I pandehuri Marko Roshiq, akuzohet se ka bashkëpunuar ngushtë me të pandehurit Nedeljko Spasojeviq, Rade Basara, Milan Radojçiç, Zvonko Veselinoviq dhe Zheljko Bojiq me dashje dhe dijeni ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, duke e përcjellë viktimën Oliver Ivanoviq, para vrasjes, ndërsa pas vrasjes së të ndjerit në xhepin e tij është gjetur një copë letër, me targa të veturës KM-014-FZ, i markës “Santa FE”, me ngjyrë të zezë, e cila veturë e ka përcjellë pas vrasjes së viktimës edhe vëllain e viktimës M.I. Me këto veprime, i pandehuri i lartcekur akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” nga neni 179 të KPK-së lidhur me nenin 33 paragrafi 2 i KPRK-së.

I pandehuri Rade Basara, akuzohet se në cilësinë e zyrtarit policor, konkretisht hetues në Njësinë e Hetimeve Regjionale në Mitrovicë –Veri, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër dhe i njëjti përmes Zheljko Bojiqit, ka bashkëpunuar ngushtë me grupin kriminal të organizuar, nga i cili ka marr urdhra nga ky grup për të fshehur dhe eliminuar dëshmitë-provat, dhe është angazhuar nga grupi kriminal që t’i fsheh gjurmët e krimit dhe mos të zbardhen rastet, kur kanë të bëjnë me personat e dyshuar që janë pjesë e grupit kriminal dhe në përgjithësi të gjitha këto raste të mbesin të pazbuluara, me ç’rast me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.

Me këto veprime, ai akuzohet se  ka kryer veprën  penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 2, nënparagrafi 2.2. të KPRK-së.

PSRK-ja të akuzuarën Silvana Arsoviq, e akuzon se duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit që kanë qenë në koordinim për vrasjen e Oliver Ivanoviq, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke bërë krijimin e kushteve dhe mënjanimin e pengesave për kryerjen e veprës penale.

Në aktakuzë thuhet se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që në kohën e aktit të kryerjes së vrasjes së të ndjerit Oliver Ivanoviq, e pandehura ka qenë në dijeni se kamerat e sigurisë në zyrat e “SDP”-së kanë qenë të ndalura në mënyrë të dhunshme, duke u shkyçur nga  rryma, me ç’rast  u është mundësuar lehtësim të dyshuarve që të mos incizohen nga  kamerat e sigurisë, kur të kryhet akti i vrasjes ndaj të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Sipas aktakuzës, e njëjta më 16 janar 2018, në ora 08:16 menjëherë pas vrasjes ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë “SDP”, e cila ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Me këto veprime, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë”, nga neni 179  i KPK-së lidhur me nenin 33, paragrafi 2 të KPRK-së.

Gjithashtu, i pandehuri Nedeljko Spasojeviq akuzohet se me dashje dhe dijeni ka mbajtur në posedim armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët e tilla, ku më 23 nëntor 2018, rreth orës 06:30, gjatë zbatimit të urdhër të kontrollit nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, në shtëpinë e tij i janë gjetur dhe sekuestruar, një pushkë e tipit kallashnikov “AK-47”, një karikator, si dhe 106 fishekë, një granat dore, shufër gome, një tyt tromblloni për kallashnikov, një jelek ushtarak, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa lejen e organit kompetent.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të tretë të kësaj aktakuze, Dragisha Markoviq akuzohet se në cilësi të zyrtarit policor më 16 janar 2018, pas vrasjes së Oliver Ivanoviq, pa autorizim ka dhënë informacione që përbëjnë fshehtësi zyrtare nga vendi i ngjarjes me qëllim të publikimit apo shfrytëzimit të informacionit jashtë Republikës së Kosovës, duke i raportuar një zyrtari policor në shtetin e Serbisë.

Me këto veprime, Dragisha Markoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 433 par.2 të KPRK-së.

Të akuzuarit Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq akuzohen se në cilësi të personave zyrtarë më 16 janar 2018, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim që të përfitojnë çfarë dobie për vete apo personin tjetër, ashtu që pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, të cilin nuk e kanë siguruar duke lënë personat e tjerë që të ndërhyjnë në vendngjarje, duke i dëmtuar provat materiale, dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes, me ç’rast nuk i kanë kryer me dashje detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.

Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në bashkëkryerje, sipas nenit 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2,2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në pikën e pestë të kësaj aktakuze, të akuzuarit Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq akuzohen se në cilësi të zyrtarëve policorë, më 16 janar 2018, pas vrasjes së Oliver Ivanoviq, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku të njëjtit me qëllim që t’i heqin, fshehin dhe bëjnë të pashfrytëzueshme provat, me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të tyre në procedura zyrtare, kanë manipuluar me prova, ashtu që fillimisht i akuzuari Dragisha Markoviq bën me dorë në drejtim të gëzhojës, e cila ishte në vendin e ngjarjes, e të cilën më pas, i akuzuari Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të akuzuarin tjetër largohen nga vendi i ngjarjes, duke mos e siguruar vendin e ngjarjes.

Me këto veprime, ata ngarkohen për veprën penale “Manipulim me prova”, në bashkëkryerje nga neni 397, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

I akuzuari Zharko Jovanoviq akuzohet se me dashje dhe dijeni ka mbajtur në posedim armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët e tilla, ku më datën 10 shkurt 2018, gjatë kontrollit të shtëpive dhe objekteve përcjellëse dhe gjatë kontrollit të banesës së të akuzuarit Jovanoviq, është gjetur dhe konfiskuar një armë e kalibrit 7.62 mm, të cilat ai i ka poseduar pa leje të organit kompetent.

Me këto veprime, Zharko Jovanoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, paragrafi 1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi