Gjykimi për vrasjen e dy zyrtarëve policorë, dëshmitari thotë se njëri i dënuar e kishte thirrë për të biseduar dhe me vete kishte një armë

Raporton: Florian SMAJLI dhe Sonila SALIHU

Prishtinë – Në gjykimin ndaj Bedri Krasniqit dhe Alban Dezdarit, të cilët po akuzohen për vrasjen e dy zyrtarëve policorë në vitin 2004 në Podujevë, dëshmitari Sh. M, ka thënë se ishte takuar me të dënuarin Shkumbin Mehmeti, sepse i njëjti e kishte thirrë për të biseduar dhe se me vete kishte në çantë ‘një top të vogël’, që sipas tij ishte fjala për armë.  

Një deklarim të tillë, dëshmitari Sh.M. e dha duke u përgjigjur në pyejtjet e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Arben Hoti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, duke u përgjigur në pyetjet e prokurores speciale Habibe Salihu, ai tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë më 11 dhjetor 2019, duke theksuar se nuk i kujtohet ndonjë informatë tjetër.

Tutje, dëshmitari Sh.M. tha se me Shkumbin Mehmetin ishte takuar sepse të njëjtin e kishte pasur klient në garazhë, në servisim.

Dëshmitari Sh.M në këtë raport është raportuar me iniciale, me kërkesë të gjykatësit Hoti.

Në seancën e së enjtes ishte paraparë të dëgjoheshin edhe dëshmitarët Petrit dhe Besnik Mehmeti, të propozuar nga prokuroria që të dëgjoheshin me video-link, por prokurorja tha se nga EULEX-i kanë pranuar informatë që nuk kanë adresë të saktë për këta persona, mirëpo e njëjta shtoi se janë duke bërë përpjekje për sigurimin e tyre nga seanca e kaluar e deri më tani.

Ndërsa, në lidhje me propozimin për t’u dëgjuar dëshmitari Ramë Zeneli, prokurorja Salihu tha se ndonës  i njëjti ka probleme shëndetësore, është i gatshëm të japë dëshmi nëse ftohet nga gjykata.

Në lidhje me këtë, gjykatësi Hoti tha se gjykata do ta ftojë të njëjtin të paraqitet në seancë apo të dëgjohet përmes video-linkut.

Mbrojtësi i të akuzuarit Alban Dezdari, avokati Florent Latifaj ka propozuar të dëgjohet dëshmitari Imer Tahiri, pasi sipas tij kishte qenë i burgosur me Shkumbin Mehmetin, mirëpo tanimë ai jeton në Turqi.

Kurse lidhur me dëshmitarin Mentor Dreshaj, avokati Latifaj tha se i njëjti është me vendbanim në Pejë.

Në anën tjetër, prokurorja speciale Salihu i kundërshtoi këto propozime, pasi që sipas saj propozimet e tilla nuk janë relevante për çështjen.

Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Xhafer Maliqi deklaroi se nuk e ka të qartë objektin që do ta dëshmojnë këta dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja.

Pas diskutimeve të tilla, trupi gjykues aprovoi propozimin e mbrojtjes që në cilësinë e dëshimtrëve Imer Tahiri dhe Mentor Dreshaj.

Sa i përket dëshmitarit Imer Tahiri, për të cilin mbrojtja potencoi se i njëjti gjendet përkohësisht në Turqi, në rast të pamundësisë për të siguruar prezencën e tij, gjykata do të shqyrtojë edhe njëherë vendimin e saj.

Ndërsa, dëshmitari Shefki Rexhepi, ka njoftuar gjykatën se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore pasi që ka pasur një operim në kokë dhe më nuk mban mend asgjë lidhur me rastin.

Kurse, lidhur me propozimin e avokatit Latifaj që si dëshmitarë të dëgjohen Florim Ejupi dhe Faton Sylejmani, trupi gjykues do të vendos më vonë.

Seanca e radhës për këtë çështje penale është caktuar më 14 tetor, ku do të dëgjohen dy dëshmitarët e propozuar nga avokati Latifaj, Imer Tahiri dhe Mentor Dreshaj.

Ndryshe, të akuzuar në këtë rast për vrasjen e zyrtarëve policorë kishin qenë edhe Bajram Kiqmari dhe Faik Shaqiri, mirëpo Gjykata Supreme në shtator 2017, kishte nxjerrë aktvendim për lirimin e tyre, pasi sipas kësaj gjykate, dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë rreth kësaj ngjarjeje dhe se ekziston një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.

Ish-Gjykata e Qarkut e Prishtinës, më 9 nëntor 2007, fajtor për sulmin që ishte konsideruar si terrorist e kishte shpallur vetëm Shkumbin Mehmetin, të cilin e kishte dënuar me 30 vite burgim, ndërsa i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin.

Prokuroria e EULEX-it, më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dezdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, për shkak të kryerjes së veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Vrasje në tentativë”.

Sipas aktakuzës, katër të akuzuarit më 23 mars 2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut, të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër pasagjerëve të saj, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, Arsim Rrustollin, të cilët kishin qenë duke i kryer detyrat e tyre të mbrojtjes së rendi ligjor.

Lëndime nga plumbat e shkrepur kishin pësuar zyrtari i Policisë së Kosovës, Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut, Ramë Zeneli.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit qëllimisht kishin rrezikuar jetën e më shumë personave, të cilët ishin në automjete që vinin prapa veturës së UNMIK-ut, duke vepruar për motive nacionaliste dhe qëllimisht kishin kryer këto dy vrasje. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë