Gjykimi për vrasje në Deçan, i akuzuari thotë se kishte menduar se arma ishte me gaz

26 janar 2021 foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Janar 26, 2021

Pejë – I akuzuari për vrasje të rëndë, Shaban Gogaj ka rrëfyer para trupit gjykues se armën të cilën e kishte shkrepur në ditën kritike, kishte menduar se ishte me gaz.

Një deklarim të tillë i pandehuri Gogaj e dha në seancën e së martës në gjykatoren e Gjykatës së Pejës, i cili nga Prokuroria e Pejës ngarkohet për vrasje të rëndë ndaj të ndjerit Agonis Tetaj.

Për vrasjen në Deçan ndaj të ndjerit Tetaj që kishte ndodhur në shtator të vitit 2018, Shaban Gogaj, akuzohet për dy vepra penale, atë të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje, ndërsa Jusuf Cacaj, akuzohet për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, i pandehuri Gogaj tha kishte dashur vetëm të kërciste  armën me gaz për të bërë hajgare dhe se nuk i’a kishte drejtuar askujt .

“Pasi e ndërpreva telefonatën kam shku te fioka e kam marr një allti me gaz dhe kam gjujt veç qashtu hajt, tani veç kur e kam parë Agonisin shtretë në tokë. Unë kam menoft se alltia është me gaz dhe kam qenë i bindur 100 përqind dhe nuk e kam pas qëllim me ia drejtu dikuj, por vetëm kam dashur të bëjë hajgare me kërcitë me armë”, tha Gogaj.

Gogaj tha se e kishte kuptuar se revolja që kishte shtënë nuk ishte me gaz pasi që kishte ndodhur rasti kritik.

Gogaj sqaroi se kishte patur njohuri se në fiok kishte qenë vetëm arma me gaz e cila sipas tij, kishte qenë e mixhës së tij të pandehurit Isuf Cacaj.

“Ka qenë e mixhës Isuf . Axhi na pat thanë se është allti me gaz dhe krejt ata që kanë punu në kacë e kanë dit se është allti me gaz, por me prek se kemi prek e as se kemi parë”, tha Gogaj

Në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Berisha se a ka dashur  t’a vriste tani të ndjerin Agonis Tetaj, i akuzuari tha se nuk kishte dashur t’a bënte atë akt.

“Unë e kam pas një shok, një punëtor e gjithshka. Jetën e kisha dhan që ai me qenë afër familjes së vet”, tha Gogaj.

Gogaj tha se me të ndjerin kishin patur raporte shumë të mira më të dhe asnjëherë nuk kishte patur vërejtje në punën e tij.

Gogaj ditën kritike, e shpjegoi si një ditë të gëzuar dhe me buzëqeshje me të gjithë punëtorët dhe sipas tij ata kishin planifikuar të shkonin në bjeshkë. Në lidhje me telefonatën para se të shkrepte armën, i pandehuri tha se para se të shkrepte me armë e kishte thirrur vajza e hallës së tij Natyra Melaj, e cila sipas tij kishte kërkuar që i akuzuari të merrte disa ushqime në bjeshkë.

Prokurori Agron Uka i përshkruaji të pandehurit Gogaj se ai në videoinziqim shihet se  pas telefonatës e kishte lëshuar telefonin me vrull dhe para se të shkonte të fioka, fytyra e tij në aspektin psikologjik nuk i përgjante të qeshurave.

Lidhur me mimikën për të cilën e ballafaqoi prokurori, i akuzuari tha se atë mimikë e kishte si pasojë e protezave të dhëmbëve.

Në pyetjen e prokurorit se pse nuk kishte shkrepur për tokë apo lartë, i akuzuari tha se “se di qysh më ka qu zoti”, tha Gogaj.

Në pyetjen e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, avokatit Berat Tmava se në ditën kritike a e kishte mbushur karikatorin dhe a kishte repetit armën, i akuzuari tha se nuk i kujtohet.

Kryetarja e  trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova e pyeti të pandehurin se përse ishin tërhequr Agonisi me punëtorët tjerë para se të përfundonte i pandehuri bisedën në telefon, i pandehuri tha se nuk e dinte.

Seanca e radhës u caktua me 1 dhe 16 mars 2021, duke filluar prej orës 10:00.

Ndryshe, këtë çështje penale fillimisht e ka përfaqësuar Prokuroria Themelore në Pejë, por me arsyetimin se ajo ka shfaqur njëanshmëri, kërkesë për përjashtimin e saj nga ky rast, kishte bërë mbrojtësi i të akuzuarit Gogaj, avokati Besnik Berisha, të cilën kërkesë e kishte aprovuar Prokuroria e Apelit.

Tashmë kjo lëndë është duke u përfaqësuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

Sipas aktakuzës, së ngritur Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, e akuzon  të pandehurin Shaban Gogaj se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj, dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve Agzon Hadërgjonaj dhe Faruk Zukaj.

Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri merr një telefonatë, nga e cila bisedë shihet se është dukshëm i acaruar dhe posa e përfundon këtë bisedë, i pandehuri nga karrigia e anës së majtë të banakut, kalon në një tjetër që gjendej në mes të banakut, lakohet dhe nxjerr nga sirtari i fundit në anën e djathtë të tij revolen e tipi “Beretta”, vendos karikatorin dhe e repeton të njëjtën, e merr në shenjë tani të ndjerin Tetaj.

Në aktakuzë thuhet se tani ndjeri në ato momente ishte në mes të dy dëmtuarve tjerë, dhe i pandehuri qëllon një herë në drejtim të tij dhe e kthen armën ku e kishte marr dhe menjëherë çohet nga karrigia, me ç’rast për pasojë i dëmtuari merr plagë në kokë, ku si rrjedhojë pëson vdekje të menjëhershme.

Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, më 23 shtator 2019, rreth orës 14:50 në Deçan, në shitoren “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armë dhe atë pistoletën e tipit “Bloë TR 92”, e kalibrit 9mm, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës. /BetimipërDrejtësi