Gjykimi për vrasje me pagesë në Deçan, prokurorja: U ofruan shuma të mëdha dhe përdorën persona me autoritet shtetëror për ta mbyllur rastin

18 nentor 2019 B Raja foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Nëntor 18, 2019

 


Pejë – Prokurorja në Prokurorinë Themelore në Pejë, Valbona Dishaj-Haxhosaj, në gjykimin për vrasjen me pagesë në Deçan, ka theksuar se i akuzuari Bekim Raja, kishte përdorur të gjitha metodat për të fshehur krimin e tij, duke ofruar sipas saj, në mënyrë indirekte shuma të mëdha parash nga persona me autoritet shtetëror, me të vetmin qëllim, që ajo të ishte pasive dhe të mbyll rastin.

Një deklarim të tillë, prokurorja Haxhosaj e ka dhënë gjatë seancës së shqyrtimit kryesor në Gjykatën Themelore në Pejë, ku është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin ndaj Bekim Rajës, Murat Sinanajt, Avni Sinanajt dhe Gjon Pnishit, të akuzuar se në bashkim kriminal kanë kryer vrasjen e tani të ndjerit Ferdinand Gjini.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Bekim Raja, me qëllim të hakmarrjes ka porositur Gjon Pnishin, që ky i fundit së bashku me të pandehurit Murat dhe Avni Sinanaj të kryejnë vrasjen e Gjinit.

Për këtë vrasje, sipas akuzës, i pandehuri Raja kishte premtuar dhe dhënë shpërblim prej 100 mijë franga zvicerane, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, në këtë rast, ka qenë i akuzuar Gjon Pnishi, i cili ishte shpallur fajtor për këtë vrasje dhe ishte dënuar me 18 vjet burgim nga gjykatësi Sami Sharraxhiu në Gjykatën Themelore e Pejës, në qershor të vitit 2016.

Por, pas këtij dënimi, ai ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë në lidhje me këtë vrasje, për çka edhe Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, në shkurt të vitit 2017 dhe ishte bërë zgjerimi i aktakuzës edhe për të pandehurit Bekim Raja dhe vëllezërit Sinanaj.

Në seancën e së hënës, prokurorja Haxhosaj tha se kur metodat për dhënien e parave nuk kishin funksionuar, ku sipas saj, i akuzuari Raja së bashku me të pandehurin Avni Sinanaj, kishin përdorur metodat e frikësimit, duke planifikuar kidnapimin e bashkëshortit të saj, duke mos kursyer as fëmijët e saj.

Prokurorja gjatë fjalës së saj përfundimtare, theksoi se motivi pse Bekim Raja kishte financuar vrasjen e të ndjerit Gjini, ishte për shkak se borxhit në shumë prej 10 mijë eurove, i cili ishte krijuar për shkak të shpenzimeve të krijuara për blerjen e shtëpisë për Bekim Rajën, të cilat shpenzime, sipas saj, kishte refuzuar t’i paguajë Raja, e si pasojë ishte rrahur nga tani viktimat Gjini e Kqira.

“Mark Kqira është vrarë katër muaj pas rrahjes, më pas është tentuar të vritet Pashk Gjini dhe më pas është vrarë Ferdinand Gjini”, tha prokurorja Haxhosaj.

Kjo vrasje, sipas prokurores Haxhosaj, e kryer në bashkim kriminal ishte provuar nga dëshmitë e të dëmtuarve, dëshmitarëve, deklarimit të të pandehurit Gjon Pnishi, i cili kishte pranuar të bashkëpunojë me hetuesinë, dëshminë e dëshmitarit bashkëpunues “D1” dhe hartografia e telefonit të akuzuarve.

Haxhosaj tha se një natë para vrasjes së të ndjerit, nga analizimi i listës së thirrjeve, rezulton se i akuzuari Gjon Pnishi kishte pasur kontakte telefonike me të pandehurit Murat dhe Avni Sinanaj.

“Kjo analizë e thirrjeve telefonike është në përputhje me deklaratën e Gjon Pnishit pasi ka filluar të bashkëpunojë me prokurorinë”, tha Haxhosaj.

Ndër të tjera, prokurorja Haxhosaj ka thënë se ishte vërtetuar se ishte avokati Haxhi Çekaj, i cili në cilësinë e avokatit të Pnishit, nuk kishte lejuar të pandehurin Pnishi, që të deklarojë lidhur me të pandehurit tjerë dhe se sipas saj, avokati Çekaj ishte paguar 20 mijë franga nga Bekim Raja për shërbimet e tij të ofruara ndaj Pnishit.

Në anën tjetër, prokurorja kërkoi nga trupi gjykues, që dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur “D1”, t’ia fal besimin për shkak se nga deklarimi i tij, ishte vërtetuar takimi i të pandehurit Gjon Pnishi me Bekim Rajën, motivi të cilin ky i fundit e kishte pasur ndaj viktimës Gjini, dhe faktin se Raja kishte paguar avokatin Haxhi Çekaj.

Ndërsa, propozoi që pjesën e dëshmisë kur dëshmitari bashkëpunues thotë se nuk kishte qenë në dijeni për veprimet inkriminuese të të pandehurve Avni dhe Murat Sinanaj në kryerjen e vrasjes, të mos i falet besimi, sepse sipas prokurores, ishte në kundërshtim me deklaratën e të pandehurit Gjon Pnishi dhe dëshmitares Sanije Krasniqi .

“Mos deklarimi i dëshmitarit D1 lidhur me veprimet inkrimunuese të akuzuarve Avni dhe Murat është i pabazuar dhe i paqëndrueshëm, ngase si i tillë është i drejtuar në krijimin e sigurisë personale dhe familjarëve të tij për faktin se i njëjti e ndien vetën të rrezikuar për shkak të akuzuarit Avni dhe Murat i njeh mirë dhe është i vetëdijshëm se janë të gatshëm për çdo gjë vetëm që eventulisht të dalin të pafajshëm”, tha prokurorja Haxhosaj.

Ndërsa, për të pandehurin Pnishi, prokurorja Haxhosaj tha se i akuzuari pasi ishte shpallur fajtor, i njëjti kishte pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë dhe se pa deklarimin e tij, çështja penale vështirë se do të ndriçohej rasti drejt dhe lidhja në mes të akuzuarve, duke propozuar që deklarimit të Gjon Pnishit t’i falet besimi.

Në fund të fjalës përfundimtare, prokurorja Haxhosaj kërkoi nga gjykata që të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit, ndërsa ndaj të pandehurit Pnishi propozoi që të shqipton dënim nën minimumin e paraparë ligjor, për shkak të bashkëpunimit me prokurorinë për zbardhjen e rastit.

Kurse, mbrojtësi i të pandehurit Gjon Pnishi, avokati Ndrec Dodaj e kontestoi cilësimin juridik të aktakuzës, duke deklaruar se në rastin konkret, veprimet e të pandehurve nuk përbëjnë bashkim kriminal për shkak të mungesës së hierarkisë dhe organizimit, mirëpo sipas tij, në veprimet e të mbrojturit të tij, sipas avokatit Ndrecaj, formësohen elementet e ndihmës në kryerjen e vrasjes.

Mbrojtësja e të pandehurit Avni Sinanaj, avokatja Kosovare Kelmendi, në fillim të fjalës përfundimtare, theksoi shkeljen procedurale se gjykimi ndaj të pandehurve sipas saj, ishte bërë në kundërshtim me ligjin, pasi siç tha ajo, nga shkalla e parë nuk ishin zbatuar udhëzimet e Gjykatës së Apelit dhe se zgjerimi e aktakuzës së formës së prerë ishte në kundërshtim me ligjin për shkak se ndryshimi i saj mund të bëhet vetëm në ndryshimin e gjendjes faktike.

“Ky veprim i prokurorisë, pra, aktakuza e ndryshuar ndaj Gjon Pnishit, me tu kthyer çështja penale në rigjykim dhe vetëm mbi bazën e deklarimit të tij e ende pa filluar shqyrtimi kryesor, është absolutisht në kundërshtim të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale nga neni 350 par.1 i KPPRK-së, sepse një aktakuzë e formës së prerë, mund të ndryshohet vetëm pasi që gjatë shqyrtimit kryesor dhe në bazë të provave të administruara, vërtetohet se ka ndryshuar gjendja faktike”, tha Kelmendi.

Ngjarjen penale të treguar në prokurori nga ana e të pandehurit Gjon Pnishi, ku implikohet edhe i pandehuri Avni Sinanaj, ajo e cilësoi si trillim, për të cilën deklaratë, sipas Kelmendit, prokuroria ishte vënë në lajthim, duke i besuar verbërisht vetëm deklarimeve të të pandehurit Pnishi.

Kelmendi shtoi se deklarimet e të pandehurit Pnishi për të cilat prokuroria është duke besuar se janë të vërteta, nuk mund të shërbejnë si provë e vetme fajësuese apo vendimtare për dënim dhe se aktgjykimi nuk mund të mbështetet vetëm mbi bazën e një deklarate nëse nuk ka mbështetje në prova tjera.

Avokatja Kelmendi tha se për të mbrojturin e saj Avni Sinanaj, pas administrimit të gjitha provave nuk kishte asnjë provë për implikimin e tij në vrasje, përveç deklarimit të pandehurit Gjon Pnishi, i cili sipas saj, në kohën kur Pnishi ishte akuzuar për vrasjen e Gjinit, ishte në cilësinë e dëshmitarit.

“Dhe, tani, një rrotacion qesharak, Gjon Pnishit kundërthënës dhe jokredibil, me cilësi të akuzuarit, por me privilegj të dëshmitarit, i cili bën obstruksione për qëllime dhe përfitime personale, pritet t’i falet besimi dhe mbi deklarimin e tij të shpallet fajtor i dikurshmi dëshmitar Avni Sinanaj. Vërtetë  absurde dhe non sens”, tha avokatja Kelmendi

Ndër të tjera, ajo tha se i mbrojturi i saj në kohën kur kishte ndodhur vrasja kishte qenë në një lokal ku kishte qenë edhe zyrtari policor Sejdë Dobraj, ndërsa sipas Kelmendit, edhe pse këtij dëshmitari nuk i kujtohej nëse i mbrojturi i saj ishte në atë lokal, mirëpo relevante sipas avokates, ishte se ky dëshmitar e kishte pranuar se kishte qenë në atë lokal dhe Avni Sinanaj nuk kishte gënjyer për alibinë e tij.

“Pra, Avni Sinanajt i kujtohet prezenca e Sejdë Dobres në të njëjtin vend ku ai ka qenë, ndërkaq, Sejdë Dobraj pohon dhe dëshmon se “po kjo është vërtetë, unë kam qenë aty, por mua nuk më kujtohet se a ka qenë apo jo Avni Sinanaj”’, tha Kelmendi

Avokatja Kelmendi bëri të ditur përsëri për trupin gjykues se hartografia e telefonit të të mbrojturit të saj ishte nxjerrë në kundërshtim me ligjin për faktin se këto janë nxjerrë pas tri viteve, ndërsa me ligj, sipas avokates, pas një viti është e ndaluar të nxirren sepse të njëjtat nuk ekzistojnë.

Në lidhje me deklarimet e të pandehurit Gjon Pnishi, ajo theksoi se atij i ishte dhënë një telefon nga ana e policisë për të krijuar një provë kundër të mbrojturit të saj edhe përkundër faktit se ai paraprakisht ishte deklaruar për implikimin e personave të tjerë në vrasjen e Gjinit.

Gjithë këtë, ajo e quajti sajim dhe manipulim nga hetuesit dhe i pandehuri Pnishi, në kundërshtim me rregullat ligjore për të krijuar prova kundër të mbrojturit të saj, e që në fund, sipas avokates, nuk kishte asnjë provë, pos fjalës të pandehurit Pnishi.

Në fund, kërkoi nga trupi gjykues që ndaj Avni Sinanaj të jep aktgjykim lirues, duke kërkuar që i njëjti të gjykohet në bazë të provave dhe jo nga supozimet dhe sajimet sipas saj, inekzistente.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të pandehurit Murat Sinanaj, avokati Gëzim Kollqaku në fjalën e tij përfundimtare ka sqaruar se implikimi i të mbrojturit të tij, kinse për vrasjen e Gjinit, sipas Kollqaku është i bazuar vetëm në deklaratën e të pandehurit Gjon Pnishi.

Sipas Kollqakut, deklarata e të pandehurit Pnishi është e vetme edhe e pambështetur në prova tjera materiale.

Ai shtoi se ndaj të akuzuarit Pnishi, i cili përmes deklarimit të tij, kishte implikuar Murat Sinanaj në vrasje, ishte shmangur pyetjeve të bëra nga ai të cilat do të zbardhnin të vërtetën.

“Nga dëshmitë tregojnë se i pandehuri Gjon nuk e ka fol të vërtetën me qëllim që fajin dhe veprimet e tij t’ia përshkruan personave të tjerë dhe t’i ikë përgjegjësisë penale siç thotë vetë Gjoni “kam dashtë me luaj q****”, tha avokati Kollqaku.

Kollqaku vëri në pah theksimet e dëshmitarit “D1”, i cili kishte deklaruar se vrasjen e kishte kryer vetë i pandehuri Gjon Pnishi, të cilat deklarime sipas tij, janë kundërshtim me deklaratën e Pnishit, kur kishte thënë se porosinë për vrasje ia kishte dërguar Avni Sinanaj.

Ai shtoi se prokuroria gabimisht kishte analizuar mbulueshmërinë e antenave të thirrjeve telefonike për shkak se Avni Sinanaj e kishte thirr të pandehurin Murat Sinanaj në ditën kritike, sipas Kollqakut teknikisht nuk është e mundshme të vërtetohet vendosja e pranuesit të thirrjes telefonike.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Raja, avokati Granit Vokshi tha se në këtë çështje penale ishin shkelur parimet themelore të Kodit të Procedurës Penale, ndërsa aktakuza e prokurorisë sipas tij, ishte e mbështetur në deklaratën e dëshmitarit bashkëpunues “D1” dhe deklaratës së të pandehurit Gjon Pnishi.

Sipas Vokshit, këto dy deklarata ishin kundërthënëse dhe se për një vëzhgues objektiv, nuk i përmbushin standardin e dyshimit të bazuar mirë.

Ai tha se ishte vendosur kundërligjshëm të jepet cilësia e të dyshuarit si dëshmitar bashkëpunues për arsye se nuk mund të bëhet i dyshuari dëshmitari i mbrojtur për një vepër të dënueshme me së paku 10 vite burgim.

Vokshi e atakoi poashtu deklaratën e dëshmitarit “D1” për shkak se mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha, në një fazë të caktuar të procedurës ishte edhe mbrojtës i të pandehurit Bekim Raja dhe sipas tij, kjo vërtetohet edhe me e-mail kur avokati Berisha kishte kërkuar nga bashkëshortja e të pandehurit Raja që të paguhet për shërbimet e tij dhe me autorizimin e bërë nga babai i të pandehurit Raja, një ditë para vizitës së tij në burg.

Përpos shkeljeve procedurale, avokati Vokshi pati vërejtje në deklarimet e Pnishit dhe dëshmitarit “D1”, të cilat sipas tij, ishin kundërthënëse sidomos lidhur me shumën e parave për porosinë për vrasje, sipas tij, janë tre deklarata të ndryshme nga Gjon Pnishi.

“Është një situatë paradoksale kur D1 dhe Gjon Pnishi thonë se Bekim Raja nuk i ka njohur Avni dhe Murat Sinanaj, kurse tash prokuroria në mënyrë paradoksale kërkon që një pjesë të deklaratës ti besojmë e tjetrës jo”, tha Vokshi.

Ai në fund, propozoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga aktakuza për shkak se nuk është përmbushur standardi i dyshimit të bazuar mirë për të pandehurin Bekim Raja.

Shpallja e aktgjykimit është caktuar më 21 nëntor 2019, në ora 15:00

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 26 korrik 2018 nga Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurit Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Bekim Raja akuzohen se në maj të vitit 2012 në Zvicër, i pandehuri Bekim Raja me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt, e ka porositur të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurin Avni dhe Murat Sinanaj, ta kryejnë vrasjen e viktimës Ferdinand Gjinit, duke premtuar dhe dhënë shpërblim prej një qind mijë franga zvicerane.

Në dispozitivin e aktakuzës përshkruhet se të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj me 23 qershor 2014, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake në mes tyre në mënyrë dinake dhe me qëllim të fitimit të dobisë pasurore për vete, e mashtrojnë viktimën duke e joshur me substanca narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturën e tij “Passat” nga Gjakova për në drejtim të Deçanit, i përcjell nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni Sinanaj.

Më tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri Gjon Pnishi, duke vepruar sipas sugjerimeve të pandehurit Avni Sinanaj, që të kalojnë nëpër fshatrat Hereq, Gramaqel, Dubrav, Gllogjan, dhe me të arritur tek ura që i lidh fshatrat Llukë e Prapaqan, i pandehuri Murat Sinanaj duke qenë i përgatitur, i zënë pritën, dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Murat Sinaj shtënë me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Fillimisht, në këtë rast ka qenë i akuzuar Gjon Pnishi, i cili ishte shpallur fajtor për këtë vrasje dhe ishte dënuar me 18 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Pejës, në qershor të vitit 2016.

Por, pas këtij dënimi, ai ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë në lidhje me vrasjen e Ferdinand Gjinit, për çka edhe Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, në shkurt të vitit 2017. /BetimipërDrejtësi