Gjykimi për vjedhjen e të dhënave bankare, i akuzuari thotë se policia e kishte shantazhuar me ekstradim në Amerikë

Raporton: Adelina Ajeti

Gjilan- Gjatë mbrojtjes së tij i akuzuari  L.I.  tha se policia i kishin bërë shantazh me ekstradim në Amerikë dhe kishte pasur presion.

Këtë deklarim i akuzuari e bëri të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjilan, në gjykimin për vjedhjen e të dhënave bankare ku nga këto aktivitete në sistemet kompjuterike të akuzuarit L.I, L.Sh. dhe L.M. akuzohen se përfituan 73 mijë e 477 euro e 18 cent. raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fillim të shqyrtimit gjyqësor i akuzuari L.I. nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohet nga prokurori.

I njëjti tha se mbetet pranë deklaratës së dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

I akuzuari I. vazhdoi duke thënë se dizajnet të cilat i kishte punuar i kishte bërë me programe të ndryshme ku në webside-in freelancer.com i kishte lancuar projektet dhe dizajnet e tij  ku edhe  janë shitur.

I njëjti tha se të ardhurat e tij shumica kanë qenë nga Kina.

I akuzuari Isufi tha se gjatë dhënies së deklaratës në policia kishe pasur shumë presion, e po ashtu që i kishin bërë si lloj mashtrimi, si lloj kërcënimi.

I njëjti tha se kishte pasur avokat në polici po kishte ardhur me vonesë.

“Nuk qëndroj pranë deklaratës së dhënë në polici, ngase policia më ka bërë shantazh me ekstradim në Amerikë, kam pasur presion edhe mem pas thonë a ke vra qeton kisha thonë po veç mos mem qu”, tha i akuzuari Isufi.

I njëjti tha se nuk ka ndërhy në llogari të huaja dhe kurrë një cent nuk ka përfitim.

Tutje, seanca gjyqësore ka vazhduar me dëgjimin e të akuzuarit Lum Shkodra, i cili nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzuarit.

I njëjti tha se nuk është e vërtet se ka hy në të dhënat personale të të tjerëve dhe se nuk kishte tërhequr para.

I njëjti tha se nuk ka bërë asnjëherë pagesë në xhirollogari të huaja.

Seanca gjyqësore ka vazhduar me dëgjimin e të akuzuarit L.M, i cili tha se i kishte përdorur programet në mënyrë legjitime.

“Unë nuk kam pas përfitime sepse programet që janë ‘open source’, janë programe legjitime dhe nuk ta japin mundësin me ndërhy në mënyrë jo legjitime”, tha i akuzuari M.

I njëjti tha se nuk ka pasur asnjë përftim dhe nuk ka dëmtuar asnjë person.

Tutje, seanca gjyqësore ka vazhduar me fjalën përfundimtare të prokurorit Isuf Sadiku, i cili tha se mbetet pranë fjalës përfundimtare të shqyrtimit të kaluar gjyqësor.

Prokurori Sadiku i ka propozuar gjykatës që të njëjtit të shpall fajtor dhe të dënohen konform dispozitave të KPRK-së, ndërsa për llojin dhe lartësinë e dënimit i ka propozuar gjykatës që të merren parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese.

Mbrojtësi i të akuzuari L.I., avokat Ymer Hugulica tha se fjalën përfundimtare e ka përgatitur me shkrim, duke i propozuar gjykatës që të merr aktgjykim lirues sepse nuk është provuar se i akuzuari L.I. e ka kryer veprën penale.

I njëjti tha se në aktakuzë vetëm pretendohet se kanë pasur të dëmtuar, por nuk është cek se kush janë të dëmtuarit në këtë rast.

Seanca gjyqësore ka vazhduar me fjalën përfundimtare të mbrojtësi së të akuzuarit L.Sh, avokat Shemsedin Pira, i cili po ashtu fjalën përfundimtare e ka përgatitur me shkrim.

I njëjti tha se vet eksperti i kibernetikës në ekspertizë nuk ka potencuar asnjë person të dëmtuar lidhur me veprimet e të akuzuarit.

Avokati Pira tha gjithashtu se të gjitha transaksionet të cilat janë bërë janë bërë në mënyrë legale.

Po ashtu edhe mbrojtësi i të pandehurit L.M, avokate Elvira Haziri e ka dorëzuar fjalën përfundimtare me shkrim dhe shtoi se mbetet pranë fjalës përfundimtare të shqyrtimit të kaluar gjyqësor.

E njëjta i ka propozuar gjykatës që të lirohet nga përgjegjësia penale i akuzuari L.M, ngase nuk është vërtetur se është kryer vepra penale.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Naser Maliqi ka njoftuar se shpallja e aktgjykimi për këtë rast do të bëhet me datë 10 qershor 2022.

Ndryshe, lënda është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Prokuroria Themelore në Gjilan më 12 dhjetor 2017 ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit L.I sepse nga viti 2007 deri në gusht të vitit 2015, ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në kompjuterët e shfrytëzuesve të internetit kryesisht në SHBA, përmes kompanisë YAHOO, duke kopjuar, vjedhur të dhëna të ndjeshme, si të dhënat për llogari bankare dhe këto të dhëna i ka arkivuar në një server të veçantë, ashtu që ka përdorur ueb-faqen e krijuar për shitjen e programeve të ndryshme për infektimin me virus të kompjuterëve.

Tutje thuhet se i pandehuri në fjalë ka krijuar faqe ëëë.toolshop.bz të cilën edhe e ka menaxhuar, e në të cilën i ka të dhënat i pandehuri si numri i telefonit mobil, adresa e shtëpisë dhe disa e-mail adresa, i ka shitur tek personat e tjerë dhe për shitjen e programeve keqbërëse ka pranuar pagesa nga shtetas të shteteve të ndryshme si Kina, Amerika, Rusia, Ukraina etj, përmes Ëester Union dhe Money Gram duke përfituar shumën prej 73 mijë e 477 euro e 18 centë, duke pranuar në emër të tij dhe anëtarëve të ngushtë të familjes.

Me këto veprime ai ka kryer veprën penale “hyrje në sisteme kompjuterike”, nga neni 339 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal dhe veprës penale nga neni 13 paragrafi 3 dhe neni 15 paragrafi 1 të “Ligjit për Parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik”, e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, i pandehuri L.I përmes programeve keqbërëse i ka kopjuar të dhënat e kartelave bankare, përmbajtjen e shiritit magnetik, fjalëkalimet dhe në këtë mënyrë ka bërë tregti të kartelave në forume, ka bërë kredi të kredencialeve në forume si Skype, Chatroulette, Msn, Yahoo Mesenger, Mail.ru etj; me ç’rast i njëjti ka pasur disa llogari bankare për pagesë përmes internetit siç janë: PayPal, Ebay, Money Gram etj.

Në këtë mënyrë ai ka kryer veprën penale “falsifikimi i letrave me vlerë dhe instrumenteve të pagesës”, nga neni 293, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 e 2 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet.

Tutje sipas dispozitivit të tretë, i pandehuri L.I me qëllim të fshehjes së tërësishme nga pagesat e tatimit dhe kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, përkundër që në Agjencinë e regjistrimit të biznesit të Kosovës më 13 dhjetor 2011 ka regjistruar biznesin NTSH “Natur Med”,  të hyrat për tri vite kanë qenë 73 mijë e 477 euro e 18 centë, dhe për këtë qarkullim obligime tatimore të shmangura janë shumat prej 8 mijë e 795 euro e 35 centë dhe në këtë mënyrë ka përfituar për vete, ndërsa i ka shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës shumën e lartcekur.

Me këto veprime ai ka kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”, nga neni 313, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri L.SH. nga viti 2014 deri më 4 gusht 2015 ka ndërhyrë në sisteme kompjuterike dhe ka përdorur programe të ndryshme dhe ka arritur të vjedhë informata të kredit kartelave dhe më pastaj këto informata i ka shfaqur në një ankand online përmes mesengerit të Yahoo-së, dhe disa nga këto i ka tërhequr në Zvicër përmes H.K, ku në pajisjet elektronike të sekuestruara nga i pandehuri në bazë të ekspertizës së ekspertit të Inxhinierisë Kompjuterike janë gjetur kredenciale nga e mbarë bota SHBA, Gjermani, Australi etj., së bashku me fjalëkalimet, gjë që mundësojnë qasje në këto e-maile pa lejen e pronarit.

Po ashtu, si palë e dëmtuar paraqiten palët që janë dëmtuar sipas IP adresës, bizneset që kanë pasur të hostuar shërbimet e tyre në server si dhe personat fizik- qytetarë kredit kartelat e të cilëve janë listuar në këto fajlla.

Në këtë mënyrë, ai ka kryer veprën penale “hyrje në sistemet kompjuterike”, nga neni 339, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal dhe veprën penale nga neni 13, paragrafi 3 dhe neni 15 paragrafi 1 të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik, e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Sipas dispozitivit të pestë të aktit akuzues, i pandehuri Lum Shkodra, përmes programeve keqbërëse i ka kopjuar të dhënat e kartelave bankare, përmbajtjen e shiritit magnetik, fjalëkalimet dhe në këtë mënyrë ka bërë shitje-tregti të kartelave në forume, ka bërë kredi të kredencialeve në forume nga dëshmitë e prezantuara me ç’rast i njëjti ka pasur disa llogari bankare për pagesë përmes internetit siç janë: BitCoin, Ebay etj., me çka ka bërë tregti të kredencialeve në forume të ndryshme si Skype, QQ, Yahoo messenger etj.

Me këto veprime ai ka kryer veprën penale “flasifikim i letrave me vlerë dhe instrumenteve të pagesës”, nga neni 293, paragrafi 4 lidhur me nenin 1 e 2 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri L.M. ka ndërhyrë në sisteme kompjuterike dhe ka arritur të ketë qasje në kompjuterët e serverët e shtetasve të huaj dhe nga ata ka arritur të vjedhë informata të kredit kartelave, dhe më pastaj këto informata i ka shfaqur në një ankand online përmes mesengerit të Yahoo-së.

Po ashtu, thuhet se në bazë të ekspertizës së ekspertit të inxhinierisë kompjuterike, janë gjetur gjetur folderë “Doënloads” që përmban mbi 49 fajlla (dokumente) në të cilat në total janë afër 10 mijë kredenciale me të cilat mundësohet qasja e papenguar në server, ku si të dëmtuar paraqiten të gjitha palët që janë listuar përmes IP adresës, bizneset që kanë pasur të hostuar shërbimet e tyre në server dhe personat fizik qytetarë kredit-kartelat e të cilëve janë të listuar në këto fajlla.

I njëjti, me këto veprime ka kryer veprën penale “hyrje në sistemet kompjuterike”, nga neni 339, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal dhe veprës penale nga neni 13, paragrafi 3 dhe neni 15 paragrafi 1 të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik, e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet

Sipas dispozitivit të shtatë, i pandehuri L.M, përmes këtyre programeve keqbërëse nga largësia i ka kopjuar të dhënat e kartelave bankare, përmbajtjen e shiritit magnetik, fjalëkalimet dhe në këtë mënyrë ka bërë shitjen e kredit kartelave në forume, ku i akuzuari ka pasur disa llogari bankare për pagesë përmes internetit siç janë: PayPal, Ebay, Fedex, Walmart etj., me ç’rast ka bërë tregti të kredencialeve të ndryshme në forume si Skype, Chatroulette, Msn, Yahoo messenger etj.

Në këtë drejtim, ai ka kryer veprën penale “falsifikim i letrave me vlerë dhe instrumenteve të pagesës”, nga neni 293 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 e 2 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë