Gjykimi për vjedhjen e të dhënave bankare, eksperti i kibernetikës thotë se s’mund të përcaktohet se kush ka qenë i dëmtuar me transaksione  

Raporton: Adelina Ajeti

Gjilan- Eksperti i kibernetikës Blerim Rexha tha se nuk mund të përcaktohet se kush ka qenë i dëmtuar me transaksione sepse nuk kishte qenë detyra e tij të përcaktohet një gjë e tillë,  në rastin ku L.I., L.SH., L.M., akuzohen për vjedhjen e të dhënave bankare.

Këtë deklarim Rexha e bëri të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Eksperti Rexha tha se mbetet pranë ekspertizës së përpiluar me shkrim si dhe deklaratës së dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor të datës 25 shtator 2018.

I njëjti tha se nuk mundet të përcaktohet se kush ka qenë i dëmtuar me këto transaksione sepse nuk kishte qenë detyra tij të përcaktohet një gjë e tillë.

E po ashtu shtoi se nuk e di se kush e ka përcaktuar dëmin e pretenduar në aktakuzë.

Tutje, prokurori Isuf Sadiku ka deklaruar që për shkak të efikasitetit dhe ekonomizimit të procedurës penale i ka propozuar gjykatës që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve V.P, I.I, A.G dhe H.K., dhëna në polici.

Mbrojtësi i të akuzuarit L.I, avokat Ymer Huruglica e ka kundërshtuar propozimin e prokurorit Sadiku me arsyetimin se dëshmitarët A.G. dhe H.K. nuk janë dëgjuar asnjëherë në prokurori dhe në shqyrtim gjyqësor dhe si mbrojtje nuk kanë pasur mundësi për parashtrimin e pyetjeve.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Naser Maliqi ka aprovuar propozimin e prokurorit që si prova të lexohen deklaratat e dëshmitare të lartcekur me arsyetim se këta dy të fundit edhe në shqyrtimin e kaluar gjyqësor gjykata nuk kishte mundur të siguroj prezencën e tyre dhe tani për tani janë të paarritshëm.

Tutje, seanca gjyqësore ka vazhduar me leximin e shkresave të lëndës.

Kryetari i trupit gjykues ka njoftuar se seanca e radhës është caktuar me datë 9 qershor, pasi një anëtarë i trupit gjykues është i zënë në një seancë tjetër.

Ndryshe, lënda është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Prokuroria Themelore në Gjilan më 12 dhjetor 2017 ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit L.I sepse nga viti 2007 deri në gusht të vitit 2015, ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në kompjuterët e shfrytëzuesve të internetit kryesisht në SHBA, përmes kompanisë YAHOO, duke kopjuar, vjedhur të dhëna të ndjeshme, si të dhënat për llogari bankare dhe këto të dhëna i ka arkivuar në një server të veçantë, ashtu që ka përdorur ueb-faqen e krijuar për shitjen e programeve të ndryshme për infektimin me virus të kompjuterëve.

Tutje thuhet se i pandehuri në fjalë ka krijuar faqe ëëë.toolshop.bz të cilën edhe e ka menaxhuar, e në të cilën i ka të dhënat i pandehuri si numri i telefonit mobil, adresa e shtëpisë dhe disa e-mail adresa, i ka shitur tek personat e tjerë dhe për shitjen e programeve keqbërëse ka pranuar pagesa nga shtetas të shteteve të ndryshme si Kina, Amerika, Rusia, Ukraina etj, përmes Ëester Union dhe Money Gram duke përfituar shumën prej 73 mijë e 477 euro e 18 centë, duke pranuar në emër të tij dhe anëtarëve të ngushtë të familjes.

Me këto veprime ai ka kryer veprën penale “hyrje në sisteme kompjuterike”, nga neni 339 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal dhe veprës penale nga neni 13 paragrafi 3 dhe neni 15 paragrafi 1 të “Ligjit për Parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik”, e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, i pandehuri L.I përmes programeve keqbërëse i ka kopjuar të dhënat e kartelave bankare, përmbajtjen e shiritit magnetik, fjalëkalimet dhe në këtë mënyrë ka bërë tregti të kartelave në forume, ka bërë kredi të kredencialeve në forume si Skype, Chatroulette, Msn, Yahoo Mesenger, Mail.ru etj; me ç’rast i njëjti ka pasur disa llogari bankare për pagesë përmes internetit siç janë: PayPal, Ebay, Money Gram etj.

Në këtë mënyrë ai ka kryer veprën penale “falsifikimi i letrave me vlerë dhe instrumenteve të pagesës”, nga neni 293, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 e 2 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet.

Tutje sipas dispozitivit të tretë, i pandehuri L.I me qëllim të fshehjes së tërësishme nga pagesat e tatimit dhe kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, përkundër që në Agjencinë e regjistrimit të biznesit të Kosovës më 13 dhjetor 2011 ka regjistruar biznesin NTSH “Natur Med”,  të hyrat për tri vite kanë qenë 73 mijë e 477 euro e 18 centë, dhe për këtë qarkullim obligime tatimore të shmangura janë shumat prej 8 mijë e 795 euro e 35 centë dhe në këtë mënyrë ka përfituar për vete, ndërsa i ka shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës shumën e lartcekur.

Me këto veprime ai ka kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”, nga neni 313, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri L.SH. nga viti 2014 deri më 4 gusht 2015 ka ndërhyrë në sisteme kompjuterike dhe ka përdorur programe të ndryshme dhe ka arritur të vjedhë informata të kredit kartelave dhe më pastaj këto informata i ka shfaqur në një ankand online përmes mesengerit të Yahoo-së, dhe disa nga këto i ka tërhequr në Zvicër përmes H.K, ku në pajisjet elektronike të sekuestruara nga i pandehuri në bazë të ekspertizës së ekspertit të Inxhinierisë Kompjuterike janë gjetur kredenciale nga e mbarë bota SHBA, Gjermani, Australi etj., së bashku me fjalëkalimet, gjë që mundësojnë qasje në këto e-maile pa lejen e pronarit.

Po ashtu, si palë e dëmtuar paraqiten palët që janë dëmtuar sipas IP adresës, bizneset që kanë pasur të hostuar shërbimet e tyre në server si dhe personat fizik- qytetarë kredit kartelat e të cilëve janë listuar në këto fajlla.

Në këtë mënyrë, ai ka kryer veprën penale “hyrje në sistemet kompjuterike”, nga neni 339, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal dhe veprën penale nga neni 13, paragrafi 3 dhe neni 15 paragrafi 1 të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik, e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Sipas dispozitivit të pestë të aktit akuzues, i pandehuri Lum Shkodra, përmes programeve keqbërëse i ka kopjuar të dhënat e kartelave bankare, përmbajtjen e shiritit magnetik, fjalëkalimet dhe në këtë mënyrë ka bërë shitje-tregti të kartelave në forume, ka bërë kredi të kredencialeve në forume nga dëshmitë e prezantuara me ç’rast i njëjti ka pasur disa llogari bankare për pagesë përmes internetit siç janë: BitCoin, Ebay etj., me çka ka bërë tregti të kredencialeve në forume të ndryshme si Skype, QQ, Yahoo messenger etj.

Me këto veprime ai ka kryer veprën penale “flasifikim i letrave me vlerë dhe instrumenteve të pagesës”, nga neni 293, paragrafi 4 lidhur me nenin 1 e 2 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri L.M. ka ndërhyrë në sisteme kompjuterike dhe ka arritur të ketë qasje në kompjuterët e serverët e shtetasve të huaj dhe nga ata ka arritur të vjedhë informata të kredit kartelave, dhe më pastaj këto informata i ka shfaqur në një ankand online përmes mesengerit të Yahoo-së.

Po ashtu, thuhet se në bazë të ekspertizës së ekspertit të inxhinierisë kompjuterike, janë gjetur gjetur folderë “Doënloads” që përmban mbi 49 fajlla (dokumente) në të cilat në total janë afër 10 mijë kredenciale me të cilat mundësohet qasja e papenguar në server, ku si të dëmtuar paraqiten të gjitha palët që janë listuar përmes IP adresës, bizneset që kanë pasur të hostuar shërbimet e tyre në server dhe personat fizik qytetarë kredit-kartelat e të cilëve janë të listuar në këto fajlla.

I njëjti, me këto veprime ka kryer veprën penale “hyrje në sistemet kompjuterike”, nga neni 339, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal dhe veprës penale nga neni 13, paragrafi 3 dhe neni 15 paragrafi 1 të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik, e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet

Sipas dispozitivit të shtatë, i pandehuri L.M, përmes këtyre programeve keqbërëse nga largësia i ka kopjuar të dhënat e kartelave bankare, përmbajtjen e shiritit magnetik, fjalëkalimet dhe në këtë mënyrë ka bërë shitjen e kredit kartelave në forume, ku i akuzuari ka pasur disa llogari bankare për pagesë përmes internetit siç janë: PayPal, Ebay, Fedex, Walmart etj., me ç’rast ka bërë tregti të kredencialeve të ndryshme në forume si Skype, Chatroulette, Msn, Yahoo messenger etj.

Në këtë drejtim, ai ka kryer veprën penale “falsifikim i letrave me vlerë dhe instrumenteve të pagesës”, nga neni 293 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 e 2 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë