Gjykimi për vjedhjen e një tavoline në kishën “Sveti Nikola”, dëshmitarët thonë se nuk dyshojnë tek të akuzuarit

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan- I dëmtuari-dëshmitari M.P dhe dëshmitari N.Q, të hënën kanë dhënë dëshminë e tyre në rastin ku N.G dhe Ç.G po akuzohen për vjedhjen e një tavoline në kishën “Sveti Nikola” në Janjevë, ku të njëjtit thanë se nuk dyshojnë tek të akuzuarit.

M.P gjatë dëshmisë së tij ka thënë se asnjëhërë nuk ka dyshuar tek të pandehurit dhe se ia lë gjykatës në procedurë gjyqësore të provojë kush është fajtor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, ka thënë se nuk ka njohuri se kush e ka kryer veprën penale të vjedhjes në kishë.

Pas tij, në cilësin e dëshmitarit është dëgjuar N.Q, ku ndër të tjera ka thënë se të akuzuarit i njeh shumë mirë dhe nuk kishte dyshuar asnjëherë tek ta, kurse ka shtuar se nuk dyshon në askënd.

Ndërsa, ka treguar se atë ditë kur ka hyrë në kishë ka vërejtur se tavolina nuk ishte aty prej dy tavolinave njëra mungonte, me ç’rast ka thënë se e ka njoftuar M. se çfarë kishte ndodhur dhe se mungonte tavolina.

I pyetur nga gjykatësi Selman Salihi se a është hera e parë që ka ndodhur një vjedhje e tillë në kishë, ai tha se punon që 30 vite, por që asnjëherë nuk kishte ndodhur një gjë e tillë.

Ndryshe, në fillim të seancës, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ali Ajdini, dy të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Ndër të tjera, të njëjtit thanë se nuk e ndjejnë veten fajtorë dhe nuk e pranojnë fajsëinë.

Pas deklarimit të tyre, është dhënë fjala hyrëse nga palët në procedurë, me ç’rast prokurori Ajdini ka thënë se me provat që do të administrohen në shqyrtim gjyqësor do të vërtetohet se të pandehurit e kanë kryer veprën penale si në aktakuzë.

Kurse, i dëmtuari M.P në fjalen hyrëse ka thënë se ai për këtë rast kishte marrë vesh përmes shtypit para dy muajve.

M.P ka thënë se për këtë rast ka dhënë deklaratë dy herë, kurse tha se rasti ishte skandaloz, ngase nuk kishin dëgjuar në histori të Janjevës se dikush ka hyrë në kishë dhe e ka dëmtuar atë.

Tutje ai ka thënë se ka qenë i tronditur pasi ata që kanë hyrë kanë thyer dy dyert dhe në anën e majtë të kishës kanë tentutar që të marrin edhe një tavolinë të ngjashme që ka qenë në anën tjetër.

Ai deklaroi se ai nuk ka mundur të dyshojë dhe të menodjë që njërëzit që i ka njohur mirë kanë mundur ta bëjnë këtë, derisa e kanë publikuar këtë informacion shtypi ai nuk ka ditur për këtë rast.

Tutje ai tha se ka lejuar që të bëhen hetimet dhe deri tash asnjëherë nuk i ka bërë askujt me gisht të akuzojë dikë, por ia ka lënë organeve të drejtësisë dhe gjykatës.

I njëjti shtoi se ende është i befasuar që po i sheh të akuzuarit që i njeh shumë mirë, por që nuk është duke dyshuar as tek të njëjtit pa u vërtetuar.

“Mund të deklaroj se ka qenë vepër e artit dhe kjo më ka bërë më së shumti mua të befasohem dhe e kam vlerësuar si dëm të madh që ia ka bërë kishës”, ka thënë ai në fund të fjalës hyrse.

Në fjalën hyrëse, i pandehuri N.G ka deklaruar se nuk ndihet fajtor.

Ndërsa, në pika të shkurta e ka treguar ngjarjen, ku sipas tij, ai ka qenë në Graçanicë duke punuar tek axha i M.Sh në kohën kur është kryer vepra penale dhe për këtë është dëshmitar i njëjti.

Sipas tij, në kohën kur ishin duke u kthyer për në shtëpi policia e kishte thirrë të lartcekurin dhe i njëjti iu kishte treguar se ai ishte me të.

I njëjti tha se ai nuk ka qenë fare i pranishëm në vjedhjen e kishës, por e kanë involvuar atë.

“Ndoshta M.Sh dhe P.G më kanë involvuar edhe mua pa qenë fare, edhe pse nuk e kam vjedhur kishën”, ka thënë i pandehuri G.

Ndërsa, i pandehuri Ç.G në fjalën hyrsëe ka thënë se e kundërshton aktakuzën me të gjitha provat, pasi që është deklaruar i pafajshëm.

Ai ka thënë se veprën penale të vjedhjes së kishës nuk e ka kryer, duke i propozuar gjykatës që të ftohen M.Sh dhe P.G  nga gjykata për seancën e radhës.

Më pas, gjyqtari Salihu e ka aprovuar propozimin për dëgjimin e P.G.

Gjykatësi tha se në këtë seancë ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit edhe M.Sh, me ç’rast ndaj të njëjtit ishte lëshuar urdhëresë edhe përmes policisë, por i njëjti ka qenë i paarritshëm për organet e ndjekjes, pasi gjendet jashtë shtetit.

Andaj, në këto rrethana seanca e sotme u ndërpe, kurse e radhës u caktua më 14 korrik 2022.

Ndaj dëshmitarit Sh. gjykata do të lëshojë përsëri urdhëresë për sjellje me detyrim përmes policisë, ndërsa P.G do të ftohet si dëshmitar me thirrje të rregullt.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 28 gusht 2018, ka ngritur aktakuzës kundër të pandehurit N.G dhe Ç.G, të cilët po i ngarkon me veprën penale të “Vjedhjes së rëndë”.

Sipas aktakuzës, të njëjtit me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme dhe që vetes t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, në bashkëkryerje edhe me të miturit M.Sh dhe P.G më 22 nëntor 2013, në kishën katolike “Sveti Nikola”, në Janjevë, Komuna e Lipjanit, kanë hyrë në kishë dhe nga aty kanë vjedhur një tavolinë të rrumbullakët e cila ndodhej brenda kishës.

Në aktakuzë thuhet se tavolina në fjalë shërben për ujin e shenjtë të bekuar të besimtarëve, e që ishte dhuratë për këtë kishë që nga kohët e lashta.

Tutje sipas aktakuzës, të miturit M.Sh dhe P.G, ndaj të cilëve është veçuar procedura, kanë bërë roje duke u krijuar kushte të pandehurve që ta kryejnë vjedhjen, për çka si shpërblim kanë marrë nga 20 euro.

Me ç’rast, kishës katolike “Sveti Nikola” në Janjevë, i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Me këtë, ngarkohen se kanë kryer veprën penale të “Vjedhjes së rëndë” nga neni 327, paragrafi 2, nënparagrafi 2.3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre deri në dhjetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shenim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë