Gjykimi për vjedhje të rëndë, mbrojtja pretendon se aktakuza është bazuar në prova të papranueshme

Foto 10.06.2019
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Qershor 10, 2019

Malishevë – Tre të akuzuarit për vjedhje të rëndë, Besnik Xhaha, Adnan Mitrovica dhe Besim Krasniqi, kanë mohuar të kenë vjedhur pajisje të kompanisë “Bechtel-Enka”.

Ata akuzohen se në shtator të vitit 2012, në fshatin Lladroc të Malishevës, me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm, kanë shkuar në vendpunishten e kompanisë “Bechtel-Enka”, duke hapur me forcë kontejnerin afër trasesë së autostradës, dhe kanë vjedhur një “hillt”, dhe 10 teh sharre “diamant”, të vlerës 3.850 euro.

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dëga në Malishevë, avokati Shaban Berisha, mbrojtës i të akuzuarit Besnik Xhaha, në fjalën hyrëse, deklaroi se aktakuza e prokurorisë është e bazuar në prova të papranueshme, dhe se i mbrojturi i tij, nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Kurse, avokati Driton Shehu, mbrojtës i të akuzuarit Adnan Mitrovica, deklaroi se e tërë aktakuza është e ndërtuar vetëm me një provë, dhe atë me deklaratën e të bashkakuzuarit Besim Krasniqi, dhe me këtë i mbrojturi i tij po akuzohet edhe pse nuk e ka kryer veprën penale.

I akuzuari i tretë, Besim Krasniqi, i cili momentalisht po mbrohet personalisht në fjalën hyrëse deklaroi se nuk ndihet fajtor dhe nuk ka se çka të shtojë tjetër.

Por, më pas seanca e së hënës është ndërprerë, pasi një gjë të tillë e ka kërkuar përfaqësuesja e të dëmtuarës, kompanisë “Bechtel Enka”, Behare Jashanica.

Ajo ka kërkuar nga gjykata që shqyrtimi të ndërpritet dhe të shtyhet për një datë tjetër, me arsyetimin se nuk është e informuar me rastin dhe i duhet kohë që të përgatitet për këtë lëndë.

Deri te një kërkesë e tillë, ka ardhur pasi që prokurori Armend Zenelaj ka dhënë fjalën hyrëse, duke e lexuar aktakuzën dhe prezantuar të gjitha provat të cilat prokuroria i ka në shkresat e lëndës, të cilat sipas tij, vërtetojnë se të akuzuarit kanë kryer këtë vepër penale.

Pas kësaj, përfaqësuesja e të dëmtuarës “Bechtel Enka”, Behare Jashanica deklaroi se e mbështet fjalën e prokurorit, mirëpo vetëm tani pas fjalës hyrëse të Zenelajt, është informuar se me çfarë rasti ka të bëjë lënda, dhe sipas saj, lidhur me këtë ka marrë vetëm një ftesë për seancë dhe asgjë më shumë.

Pas aprovimit të propozimit të Jashanicës, gjykatësi Njazi Morina ka ndërprerë seancën dhe të njëjtën e ka shtyrë për 28 qershor 2019, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 19 dhjetor 2014, të akuzuarit Besnik Haxha, Adnan Mitrovica dhe Besim Krasniqi, po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 253, paragraf 1, pika 1, lidhur me nenin 23, të KPPK-së.

Në aktin akuzues thuhet se të akuzuarit më 19 shtator 2012, rreth orës 03:30, në fshatin Lladroc, Komuna e Malishevës, me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm, kanë shkuar në vend-punishten e të dëmtuarës, kompanisë “Bechtel-Enka”, duke hapur me forcë kontejnerin afër trasesë së autostradës, dhe kanë vjedhur një “hillt”, dhe 10 teh sharre “diamant”, të vlerës 3.850 euro, dhe largohen në drejtim të panjohur. /Betimipërdrejtësi