Gjykimi për vërtetim pronësie, gjykata bënë shikimin e drejtpërdrejtë të parcelës ku është e ndërtuar shtëpia

Raporton: Samire BINAJ                

Prizren-Gjykata Themelore në Prizren, në kontestin civil ndërmjet paditësit K.P. dhe të paditurës V.P, ka bërë shiqimin e drejtpërdrejt të parcelës në të cilën është e ndërtuar shtëpia e banimit ku edhe banon paditësi P.

Këtë të premte, Gjykatësja e rastit, Edije Sezairi së bashku me ekspertin e gjeodezisë Dukagjin Berisha dhe ekspertin e ndërtimtarisë Liman Mustafa, ka bërë shikimin e drejtpërdrejt të parcelës kontestuese, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paditësi P., ka thënë se deklaratat e të paditurës P. nuk janë të vërteta, po ashtu ai tha se e paditura P. nuk është kujdesur për nënën e saj.

“Asnjë nga ajo çka ka thënë Violeta nuk janë të vërteta, nuk është e vërtet që banesën e ka blerë për Nanën e vet, e ka blerë për interesat e veta”, tha paditësi P.

Eksperti i gjeodezisë, Dukagjin Berisha ka konstatuar se në parcelën e cila është e shënuar në padi gjenden dy objekte dhe oborri i gjelbëruar.

Ndërsa, eksperti ndërtimtarisë, Liman Mustafa ka thënë se lidhur me pretendimet e palës paditëse për investimet e bëra do të përgatisë ekspertizë me të gjitha të dhëna dhe do të ia dorëzojë gjykatës në afatin e përcaktuar nga gjykata.

Ndryshe, gjykata ka urdhëruar ekspertin Berisha dhe ekspertin Mustafa që raportet me shkrim t’i dorëzojnë në afat prej 15 ditësh.

Ndryshe, më 14 shkurt 2020 paditësi K.P. ka parashtruar padi për vërtetim pronësie ndaj të paditurës V.P.

Në padi thuhet se me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren CT. nr. 34/19 të datës 03.02.2020 paditësi K.P është udhëzuar në kontestin civil dhe se duke vepruar sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prizren ka parashtruar padi për vërtetim të pronësisë duke theksuar se ndërgjyqësit K.P dhe V.P janë pronar nga 1/3 pjesë ideale të ngastrës kadastrale 2259/1 ndërkaq tani e ndjera V.P. ka qenë po ashtu pronare e 1/3 pjesë ideale e patundshmërisë në fjalë.

Tani sipas lëndës CT.nr.34/19 shqyrtohet trashëgimia e të ndjerës V.P. përndryshe e ëma e ndërgjyqësve. Këtu e paditura V.P. pretendon se është trashëgimtare pas vdekjes së nënës V. dhe i takon pjesa e trashëgimisë. Këtë të drejtë K.P ia mohon.

Tani e paditura V.P. është martuar me 1983, ndërkaq paditësi K.P ka vazhduar të jetojë në shtëpinë e cila është objekt i shqyrtimit bashkë me prindërit prindërit për të cilit edhe u kujdes. E ndjera V.P ka vdekur në 2019.

Tutje në padi thuhet se paditësi K.P.  ka jetuar në shtëpi dhe përveç se është kujdesur për prindërit ai edhe e ka bërë renovimin e rrënjësishëm të shtëpisë e cila ka qenë në rrënim e sipër dhe këtë ekskluzivisht me mjete të veta materiale, ndërkaq e paditura V.P. e cila është martuar në vitin 1983 nuk ka kontribuar në renovimin e shtëpisë.

Po ashtu edhe vullneti i trashëgimlënëses ka qenë që pjesën takuese ta trashëgoj i biri, këtu paditësi K.P. i cili është kujdesur për të, mirëpo për shkak të rrethanave tani e ndjera V.P. nuk ka mundur të shprehi vullnetin e vet me një dokument zyrtar.

Mbi këtë bazë paditësi po kërkon nga gjykata që padia e tij të aprovohet në tërësi dhe të vërtetohet se i njëjti është pronar i 1/3 pjesë ideale e ngastrës kadastrale 2259/1 ZK Prizren pas të ndjerës së ëmës V.P. dhe këtë në bazë të kontributit për mbajtje dhe ndërtimit, gjë që e paditura V.P. duhet të pranojë dhe të lejojë që paditësi K.P të regjistrohet si pronar i 1/3 pjesë ideale të ngastrës kadastrale 2259/1 ZK Prizren/BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë