Gjykimi për uzurpim prone, i akuzuari: E kemi shfrytëzuar këtë pronë dhe do të vazhdojmë të njëjtën ta shfrytëzojmë

Raporton: Samire BINAJ

Prizren- Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten ka përfunduar gjykimi ndaj shtatë të akuzuarve për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme.

Në fjalën përfundimtare të tij, i akuzuari G.K. ka thënë se nuk e ndjen veten fajtor dhe se kjo pronë ka qenë e babait të tyre e të njëjtën ende e shfrytëzojnë, raporton Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesi i të dëmtuarit E.K., avokat Blerim Mazreku në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se është vërtetuar nga të gjitha provat se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

Ai shtoi se nga dëshmitë e dhëna është vërtetuar se i dëmtuari K. është kanosur nga të akuzuarit dhe për të gjitha këto, avokati Mazreku kërkoj nga gjykata që të njëjtit t’i shpall fajtor dhe të iu shqiptoj dënim siç parashihet me ligj.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit A.K, avokat Muhamet Shalaj në fjalën e tij përfundimtare ka kundërshtuar përmbajtjen dhe përshkrimin e fjalës përfundimtare të Prokurorisë në Prizren.

Për këtë, ai tha se në fjalën përfundimtare të prokurorisë mungojnë precizimi i provave fajësuese dhe se kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së provave dhe për këtë ai ka kërkuar që të akuzuarin K. ta shpall të pafajshëm.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Rr.K., avokat Pjetër Përgjoka ka thënë se fjalën e tij përfundimtare se aktakuza e prokurorisë së shtetit nuk ka kurrfarë mbështetje dhe se nuk ka elemente të veprës penale të uzurpimit në veprimet e të mbrojturit të tij.

Seanca ka vazhduar me paraqitjen e fjalës përfundimtare të mbrojtësit të akuzuarit K.K, avokat Gent Gjini i cili ka thënë se prokuroria nuk ka fakte se i mbrojturi i tij ka kryer këtë vepër penale, ngase nuk ka qenë në vend të ngjarjes ditën kritike.

Tutje, ai ka shtuar se i akuzuari K. në asnjë formë nuk e ka kërcënuar të dëmtuarin K. dhe se mbi këtë bazë të kërkon që të mbrojturin e tij gjykata ta shpall të pafajshëm.

Mbrojtësi i të akuzuarit K.K., avokat Arben Shala ka kundërshtuar fjalën përfundimtare të prokurorisë me arsyen se nuk është bërë asnjë analizë e mirëfilltë të provave për veprën penale për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij.

Ai tha se gjithnjë kjo pronë kontestuese është shfrytëzuar nga  familja K. nga viti 1958.

I akuzuari Rr.K, në fjalën e tij përfundimtare tha se nuk e ndjen veten fajtor dhe se kjo pronë ka qenë e babait të tij.

Po ashtu, i akuzuari S.K. tha se këtë pronë e ka trashëguar nga babai dhe nuk e ndjen veten fajtor për veprën penale për të cilën ngarkohet.

Shpallja e aktgjykimit është caktuar të bëhet më 14 qershor 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren më 3 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë të akuzuarve për disa vepra penale të ndryshme.

Sipas dispozitivit 1 të aktakuzës, të akuzuarit Rr.K., K.K., R.K., S.K., G.K., A.K. dhe K.K. nga 24 qershori 2019 e në vazhdimësi, në Prizren, saktësisht në rrugën “Liman Shala”, në lagjen “Bajram Curri”, në vendin e quajtur “Buzagilak”, me dashje uzurpojnë pronën e paluajtshme të personit tjetër, e cila evidentohet në ngastrën kadastrale nr.06856-1 ZK Prizren, në sipërfaqe të përgjithshme në sipërfaqe prej 7790 m².

Tutje thuhet se edhe pse të njëjtit janë dëbuar prej pronës së paluajtshme me vendim të gjykatës – urdhrin përmbarimor të përmbaruesit privat, përkundër largimit nga kjo pronë dhe dorëzimit të pronës blerësit legjitim – të dëmtuarit E.K., si dhe ndalesës që kishin në procesverbalin e përmbaruesit privat të 18 korrikut 2019, me të cilin procesverbal iu është bërë e ditur që mos kenë qasje në pronën në fjalë, të pandehurit vendosin shtylla dhe bëjnë rrethimin e një pjesë të ngastrës me rrjetë, në dy pjesë prej të cilës është bërë nivelizimi me zhavor.

Kurse, thuhet se njërës prej tyre i është vendosur edhe betoni, po ashtu kanë shkarkuar edhe një sasi të tullave të betonit, të gjitha këto veprime me qëllim të përvetësimit në mënyrë të kundërligjshme të pronës së paluajtshme, me ç’rast të dëmtuarit E.K. i shkaktojnë dëm material.

Me këto veprime, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, nga neni 320, par. 3 lidhur me par. 1, nenin 31, dhe nenin 77, i Kodit nr. 06/L-074 Penal të Kosovës (KPRK).

Ndërsa, sipas dispozitivit 2 të aktakuzës, i akuzuari A.K. më 24 qershor 2019, në Prizren, saktësisht në rr. “Liman Shala”, pas një fjalosje paraprake që kishte me të dëmtuarin E.K. rreth pronës të përshkruar në pikën I të dispoztivit, i njëjti fillimisht kishte tentuar ta sulmonte të dëmtuarin, mirëpo pasi që i dëmtuari ishte larguar, i dyshuari në shenjë revolte bën të papërdorshme pasurinë e personit tjetër, duke goditur me grusht xhamin e përparmë të automjetit të markës “Golf IV”, pronë e të dëmtuarit, të cilën e thyen, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton dëm material.

Më këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 321, par 1 të KPRK.

Ndërsa, sipas pikës 3 të dispozitivit të akuzuarit A.K, K.K. dhe Rr.K. më 24 qershor 2019, në periudhën kohore nga ora 10:00 – 19:00 në Prizren, në kohën kur përmbaruesi privat kishte dalë në ekzekutim të vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore në Prizren, për lirimin e pronës nga uzurpimi, të pandehurit A.K., K.K. dhe Rr.K., seriozisht kanosin të dëmtuarit E.K dhe A.A, me fjalë se do t’i privojnë nga jeta.

Tutje thuhet se i pandehuri Rrustem Krasniqi të dëmtuarve Asaf Agallari dhe Enver Krasniqi iu drejtohet me fjalët “Do të shkojnë dy koka këtu nëse hyn dikush në këtë ngastër”, duke aluduar në të dëmtuarit, ndërkaq i pandehuri Artan Krasniqi, të dëmtuarit Enver Kabashi i kishte thënë: “pse e ke blerë këtë tokë, kemi me të vra, pse e ke blerë pronën”.

Më pas, aktakuza thotë se i pandehuri K.K, të dëmtuarit E. i kishte thënë: “ne jemi tridhjetë mashqi dhe ti nuk ke me gëzuar këtë pronë derisa unë të jem gjallë “, i njëjtë përmes mikut të dëmtuarit S.K. i kishte dërguar porosinë se: “të tërhiqet nga kjo pronë të cilën e ka blerë, nëse nuk tërhiqet ata janë tridhjetë mashqi dhe E. do ta pësojë me jetë”, i pandehuri Rr.K së bashku me A.K, kishin shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit E.K, duke i kërkuar të njëjtit që të tërhiqet nga prona të cilën e kishte blerë, veprime këto me të cilat tek të dëmtuarit kanë shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë.

Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 2 i KPRK- së /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë