Gjykimi për tri vrasjet e vitit 2004, ish-hetuesja thotë se në shtëpinë e të akuzuarit kishin gjetur armë dhe municion

20190412_101647
Author

Raporton: Fitore SADIKU

Prill 12, 2019

Ferizaj – Me dëshminë e dëshmitares Lirije Gashi, ish-hetuese në Policinë e Kosovës, ka vazhduar të premten gjykimi ndaj të akuzuarit për vrasje të trefishtë, Heset Salihaj.

Salihaj po akuzohet se në vitin 2004, me dashje kishte privuar nga jeta në dy raste të ndara, Borko dhe Dobrivoje Stoliq me 17 mars dhe Nezir Sherifin me 21 tetor 2004.

Dëshminë e saj, ish-hetuesja ishte paraparë ta jep në seancën e kaluar, mirëpo e njëjta kishte kërkuar shtyrjen e seancës me arsyetimin se nuk i kujtoheshin detajet e rastit në fjalë, pasi që nga atëherë kishte kaluar kohë e gjatë, e ajo vet kishte thënë se nuk punon si zyrtare policore që nga viti 2006.

Në dëshminë e saj të premten, Gashi tha se gjatë bastisjes së shtëpisë së të akuzuarit, tek ai kishin gjetur armë dhe municion, për çka tha se është evidentuar edhe në procesverbalin e bastisjes.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Ibrahim Idrizi, se a mund të ndodh që gjatë përpilimit të procesverbaleve të kontrollit të rasteve të tilla të bëhet ndonjë lëshim në polici, dëshmitarja tha se në raste të tilla bëhen përmirësime menjëherë, por siç tha Gashi, nuk konsideronte se ishin bërë gabime të tilla.

Po ashtu, Gashi tha se gjatë hetimeve të rastit kishin ndaluar edhe një person tjetër, e i cili siç tha dëshmitarja, kishte rezultuar të jetë zyrtar policor.

“Po më kujtohet që është ndaluar edhe një person tjetër si i dyshuar. Nuk më kujtohet emri i personit tjetër të dyshuar por kur e kemi kryer bastisjen në një fshat në komunën e Shtimes, pastaj kam kuptuar se i dyshuari ishte një zyrtar policor”, tha dëshmitarja Gashi.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Fikrije Fejzullahu, dëshmitarja Gashi e pranoi se ishte nënshkrimi i saj në procesverbalin e bastisjes së 27 tetorit 2004, në shtëpinë e të akuzuarit, për të cilën bastisje tha se ka pas urdhërese nga ana e gjykatës.

“Po e shoh që nënshkrim është i imi. Më kujtohet që kemi qenë për kontrollë të një shtëpi apo objekt por vendi-fshati nuk më kujtohet. Aty  ka qenë edhe mbikqyrësi rreshteri Avni Uruçi po ashtu dhe persona tjerë zyrtarë policor”, ka thënë dëshmitarja Gashi.

Dëshmitarja u ballafaqua nga ana e prokurores edhe me dëshminë e saj të dhënë para prokurorit të UNMIKU-ut, më 2 shkurt 2006.

“Dëshiroj të sigurohem që e dini se është dëgjuar nëna e Heset Salihaj, por ajo nuk ka dëshiruar të flas me ne. Ajo vetëm ka thënë që Heset Salihaj ka qenë në shtëpi mbrëmë dhe që ai ka shkuar të vizitoj axhën e tij në një fshat dhe emri i fshatit është në deklaratën e dëshmitares dhe pastaj ajo ka thënë se nuk dëshiron të thotë asgjë tjetër”, ishte pjesa e deklaratës së lexuar nga ana e prokurores.

E lidhur me këtë deklaratë, dëshmitarja tha se është e vërtetë që ajo e kishte dhënë.

E në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Heset Salihaj, avokatit Arianit Koci se dëshmitares nuk i ishte kujtuar se e kishte marr në pyetje nënën e të akuzuarit, derisa një deklaratë e tillë ju lexua, dëshmitarja tha se në rast se intervista me nënën e të akuzuarit është në shkresa të lëndës atëherë ajo duhet të jetë e vërtetë.

“Mua nuk po më kujtohet, por në rast se ajo intervistë gjendet në shkresat e lëndës atëherë ajo është e vërtet që e kam intervistuar nënën e të akuzuarit”, ishte përgjigja e dëshmitares Gashi.

Në lidhje me marrjen në pyetje të nënës së të akuzuarit, avokati Koci e pyeti dëshmitaren se ai i kishte lexuar ajo si zyrtare policore të drejtat nënës së të akuzuarit kur e kishte marrë ne pyetje, me arsyetimin se në procesverbalin e intervistimit nuk shkruhet se ju kanë lexuar të drejtat dhe sipas avokatit, ajo deklaratë nuk do të duhej të pranohej si provë.

Mirëpo, ende pa dhënë përgjigje dëshmitarja Gashi, reagoi prokurorja speciale Fejzullahu, duke thënë se dëshmitarja në asnjë moment nuk ka deklaruar që i kujtohet se ka marrë ndonjë deklarate prej ndonjë dëshmitari, por vetëm konfirmoi deklaratën që e kishte dhënë para prokurorit, prandaj sipas prokurores edhe pyetjet e tërthorta duhet të drejtohen në këtë drejtim.

Lidhur me këtë, dëshmitarja  Gashi  tha se intervistmin e dëshmitarëve, gjithmonë e kishin bërë në përputhje me dispozitat ligjore.

Ndryshe, në pjesën e plotësimit të provave prokurorja speciale, Fikrije Fejzullahu propozoi si provë materiale të lexohet dhe të administrohet një pjesë e një shkrimi në një gazete për të cilën tha se nuk kishte shënime, por që siç tha, mund ta sigurojë e që në atë gazetë bëhet fjalë lidhur me deklarimin e një të gjykuari me emrin Sh. Q i cili në një proces tjetër gjyqësor, sipas prokurores ka qenë në cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues.

“Nga shkrimi rezulton se ky dëshmitar ka bërë të njohur faktin që bashkëkryesi në një çështje penale ku ishte i përfshirë edhe vet ka thënë se “Ai ka thënë se i vetmi që nuk ka marrë ID, ka qenë B. H, për shkak se kishte marrë mend nga një rast kur kolegu i tij Heset Salihaj  kishte vrarë Nezir Sherifin i kishte rënë kuleta në vendin e ngjarjes dhe ishte zbuluar më vonë. Për mua si prokurore ky artikull është me relevancë”, deklaroi prokurorja Fejzullahu.

Këtë propozim e përkrahi edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Rafiz Shehu.

Mirëpo, me arsyetimin se nuk mund të gjykohen rastet me artikuj gazetash, propozimi i prokurores u kundërshtua nga ana e avokatit Koci.

“Me artikuj të gazetave nuk mund të gjykohet rasti, e kundërshtoj propozimin që si provë materiale të lexohet dhe të përdoret artikulli,  i gazetës titulli i së cilës nuk dihet e as data e këtij shkrimi”, ka thënë avokati Koci.

Ky propozim u refuzua pastaj edhe nga ana trupit gjykues, me arsyetimin se artikulli i tij nuk mund ta kishte rolin e provës dhe se duhet të nxirrej ashtu siç e kërkon ligji.

Seancat e radhës për këtë rast u caktuan të mbahen më 16, 17 dhe 28 maj 2019 nga ora 9:30.

Ndryshe, i akuzuari Salihaj, gjendet në paraburgim që nga 20 qershori 2017.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, të ngritur më 8 qershor 2018, Heset Salihaj, nga fshati Mollopolcë, Komuna e Shtimes, akuzohet se në bashkëkryerje me persona të panjohur, i shtyrë nga motive nacionale, me dashje i ka privuar nga jeta Borko dhe Dobrivoje Stoliq.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që më 17 mars 2004, derisa tani të ndjerët gjendeshin para shtëpisë së tyre në fshatin Drajkovc, Komuna e Shtërpcës, i njëjti bashkë me persona tjerë të panjohur kishte shtënë në drejtim të tyre me armën e tij të tipit “AK-47”, dhe me atë rast ishin goditur tani të ndjerët në pjesë vitale të trupit, me ç’rast tani i ndjeri Dobrivoje Stoliq nga plagët e marra kishte mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes.

Ndërsa, gjithnjë sipas aktakuzës, Borko Stoliq nga dy lëndimet e marra kishte vdekur  rrugës për në spital, ndërkaq menjëherë pasi në vendin e ngjarjes kishin arritur pjesëtarët e policisë së Kosovës, Dragan Ivanoviq, Srgjan Mladenoviq, Zhivorad Smargjiq dhe Srgjan Gjurinca më qëllim të sigurimit të vendit të ngjarjes, i pandehuri Salihaj bashkë me të tjerët duke ikur nga vendi i ngjarjes kishte shtënë disa herë në drejtim të tyre, por nuk ishin qëlluar dhe duke hapur zjarr në drejtim të tyre kishin arritur të ikin nga vendi i ngjarjes.

Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 147 par.6.10 dhe 11 lidhur me nenin 23 të KP të Kosovës.

Ndërsa, në pikën dy të aktakuzës, i akuzuari Heset Salihaj, për motive të panjohura, me dashje sipas aktakuzës, ka privuar nga jeta të ndjerin Nezir Sherifi, më 21 tetor 2004, rreth orës 01:30 në rrugën “Astrit Bytyqi” në Ferizaj, derisa i ndjeri ishte duke u kthyer në shtëpinë e tij, i akuzuari kishte shtënë me armën e tij disa herë dhe nga lëndimet e marra Sherifi kishte vdekur në vendin e ngjarjes.

Ndërsa, i akuzuari Salihaj kishte ikur, në vendin e ngjarjes i kishte mbetur portofoli me dokumentet personale, patentë shoferi dhe disa fotografi personale.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale, vrasje nga neni 146 të KP-së të Kosovës.