Gjykimi për terrorizëm, dëshmia e hetuesve policorë largon nga salla pesë të akuzuarit dhe publikun

Raporton: Leotrim GASHI

Prishtinë – Me kërkesë të prokurorit Drew Engle, trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në gjykimin për vepra të shumta që lidhen me terrorizëm, që janë duke u akuzuar pesë persona, ka vendosur që për dëgjimin e dëshmive të dy hetuesve policorë, të përjashtohen të akuzuarit dhe publiku.

Në këtë rast akuzohen, Ardian Mehmeti, Nuredin Sylejmani, Genc Selimi, Valon Shala dhe Musli Hyseni.

Engle, theksoi se ky veprim është ligjor dhe i domosdoshëm më qëllim të ruajtjes së sigurisë së dëshmitarëve F.B dhe A.I, pasi theksoi se të njëjtit ndihën të rrezikuar pas kërcënimeve anonime që kanë marrë pas arrestimit te të akuzuarve.

Ndryshe, të njëjtit dëshmitarë ishin dëgjuar në të njëjtën formë edhe para trupit gjykues të udhëhequr nga gjykatësja Nora Bllaca, e cila ka kaluar në Gjykatën e Apelit dhe  me ndryshimin  e trupit gjykues, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, kanë kërkuar që dëshmitarët e njëjtë të ballafaqohen drejtpërdrejtë me pyetjet e të akuzuarit.

Prokurori Engle e kundërshtoi kërkesën e mbrojtës që dëshmitarët të ballafaqohen drejtpërdrejtë me të akuzuarit, por tha se kjo mund të bëhet përmes video-linkut, duke ia ndryshuar zërin dëshmitarëve dhe duke ia mbuluar fytyrat. Prokurori theksoi se pikërisht për këtë arsye janë përjashtuar të akuzuarit edhe para trupit gjykues të kaluar.

“Mbrojtja e këtyre dëshmitarëve është shumë kritike, është qenësori që mbrojtja të ballafaqohet me ta por nuk ka rendësi që ti shohin dhe të ia dëgjojnë zërin, për shkak të faktorit të frikës për shkak të kërcënimeve që kanë ndodhur në këtë rast, disa ditë pas arrestimit të këtyre të pandehurve, kanë pasur kërcënime anonime që nuk kanë arritur të gjurmohen në drejtim të policisë dhe kërcënime të ngjashme janë përsëritur edhe disa ditë më vonë. Dua të ia përkujtoj se trupi gjykues i mëparshëm kanë vendosur që të përjashtoj të akuzuarit pasi mbrojtja e këtyre dëshmitarëve ka qenë e domosdoshme dhe kërkojmë që ky trup gjykues që këto dispozita t’i zbatoj dhe t’i mbrojnë këta dëshmitarë”, u shpreh prokurori,

“Ka pasur kërcënime anonime, këto gjurmime janë gjurmuar nga dalë nga dikush në Gjilan nga vijnë edhe të akuzuarit qe kanë qenë kërcënime lidhur me dhunën ndaj policëve dhe autoriteteve dhe ka pasur arsye kur gjykata më parë i ka marrë parasysh këto që ka rezultuar me ndarjen fizike në mes të akuzuar e dhe këtyre dëshmitarëve”, përfundoi prokurori.

Këtë propozim e kundërshtuan mbrojtësit e të akuzuarve, duke theksuar se nuk është asnjë arsye për të ekzistuar frika te këta dëshmitarë pasi, sipas tyre, tashmë dihen emrat dhe pozitat e tyre.

Avokati Murat Demolli, mbrojtës i Ardian Mehmetit, theksoi se ata dëshmitarë janë të njohur për të pandehurit sepse i kanë marrë në pyetje në qendrat e paraburgimit.

“Nuk e di pse ata janë të frikësuar kur ata janë publik dhe i kanë marrë në pyetje të akuzuarit në qendrat e paraburgimit”, tha a vokati Demolli.

Qëndrim të njëjtë me Demollin kishin edhe avokati Nikë Shala, mbrojtës i Valon Shalës, avokati Bekim Kafegjolli, mbrojtës i Nuredin Sylejmani, Zahide Xhoni, mbrojtëse e Genc Selimit dhe avokatja Drita Alihajdari, mbrojtëse e MusliHysenit.

Pas këshillimit, kryesuesi i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi, deklaroi se trupi gjykues ka vendosur ta aprovoi propozimin e prokurorit Engle, për të përjashtuar të akuzuarit, gjatë kohës së dëgjimit të këtyre dy dëshmitarëve.

Ndryshe, në këtë shqyrtim mbrojtësit e të akuzuarve dhanë fjalët e tyre hyrëse, ku theksuan se qëndrojnë pranë fjalëve hyrëse të dhëna para trupit gjykues të mëhershëm, por përsëriten pretendimet e tyre se të akuzuarit nuk janë fajtorë për veprat për të cilat i ngarkon prokuroria.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte ngritur aktakuzë më 23 janar 2015, ndaj Ardian Mehmeti, Nuredin Sylejmani, Genc Selimi, Valon Shala e Musli Hyseni, të cilët akuzohen se gjatë vitit 2013, janë përfshirë në vepra të ndryshme që lidhen me terrorizmin.

Sipas prokurorisë të akuzuarit këto vepra penale i kanë kryer në Kosovë dhe Siri.

Ardian Mehmeti, akuzohet se ka kryer veprat penale “organizimi dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, “vrasje e rendë”, “marrja e pengjeve”,  “rrëmbimi”, “kryerja e veprës terroriste”,  “zjarrëvënia”, “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, “shkaktimi  rrezikut të përgjithshëm”,  “armëmbajtje pa leje”.

NuredinSylejmani, akuzohet se ka kryer veprat penale “lehtësimi në kryerjen e terrorizmit”, “armëmbajtje pa leje”, dhe “sulm”.

Kurse, MusliHyseni, ngarkohet nga prokuroria  me veprat penale “armëmbajtje pa leje”, “moslajmërim të përgatitjes së veprave penale” dhe “moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre”.

Ndërsa, Genc Selimi, akuzohet se ka kryer veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnike”, kurse Valon Shala, akuzohet për veprën penale “armëmbajtja pa leje”.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë