Gjykimi për tentim vrasjen në Podujevë, i dëmtuari thotë se të akuzuarit gjatë sulmit ju kërkonin pasaporta dhe para  

Raporton: Ramiz Durmishi

Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamenti për Krime të Rënda, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor kundër F.M dhe Sh.F,  lidhur me akuzat për “Vrasje në tentativë”.

Gjatë kësaj seance në cilësinë e të dëmtuarit ka dhënë dëshminë e tij, A.B, i cili ka treguar mënyrën se si të akuzuarit kishin kryer sulmin në ditën kritikë.

Në pyetjet e parashtruara nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Fitmi Gashi, dëshmitari ka deklaruar se të akuzuarit gjatë sulmit ju kërkonin pasaportat dhe parat qe sipas tij, ai nuk kishte dijeni edhe sot se për çfarë bëhej fjalë.

Në vazhdim, dëshmitari është përgjigjur në pyetjet e tërthorta të avokatëve mbrojtës të të akuzuarve, të cilët e kanë ballafaquar atë me deklaratën e dhënë në fazën e hetimeve.

Në pyetjen e mbrojtëses së të akuzuarit F.M, avokates Apolona Syla se a e ka parë të mbrojturin e saj ditën kritike afër vendit të ngjarjes, dëshmitari ka mohuar ta ketë parë të akuzuarin M. në vendin e ngjarjes.

Ndërsa, trupi gjykues e ka pyetur dëshmitarin lidhur me mënyrën e identifikimit të të akuzuarve.

Sipas dëshmitarit, në polici i ishin prezantuar disa fotografi përmes të të cilave i kishte identifikuar tani të akuzuarit.

Seanca ka vazhduar me dhënien e dëshmisë nga zyrtari policor A.R, i cili ishte njëri nga zyrtarët policor që kishte bërë arrestimin e vëllezërve të të akuzuarit F., A. dhe I,, ndaj të cilëve është parashkruar vepra penale e lëndimit të lehtë truporë.

Në pyetjet e parashtruara, dëshmitari Rekaliu deklaroj se i kishin parë dy persona, A. dhe I. T të largoheshin me vrap nga vendi i ngjarjes dhe u ishin vënë pas ku edhe i kishin ndaluar dhe arrestuar posa kishin hyrë në veturën e te akuzuarit M.

Në fillim të seancës kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Medije Bytyqi i ka tërhequr vërejtjen përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Fitim Gashi pasi i njëjti pas përfundimit të seancës se fundit e kishte shënuar më dorë në procesverbal një vërejtje tek nënshkrimi.

Gjyqtarja ka insistuar se palëve u ishte dhënë mundësia qe ti paraqesin vërejtjet gjatë seancës dhe se njëkohësisht iu ishte dërguar procesverbali me email, e që edhe aty kishin pasur mundësin t’i paraqesin vërejtjet dhe jo ti shënonin me dorë në pjesën e nënshkrimit.

Nga ana tjetër, avokati Gashi ka deklaruar se e kishte informuar gjyqtaren se do ta nënshkruante me vërejtje procesverbalin.

Në fund te seancës, avokatet mbrojtës të të akuzuarve propozuan që si dëshmitarë për seancën e radhës të ftohen edhe I.F. dhe A.V.

Nga ana tjetër, prokurorja Besa Limani dhe avokati Fitim Gashi e kundërshtuan propozimin me arsyetimin se të njëjtit kishin qenë të bashkakuzuar.

Ne këto rrethana, trupi gjykues i njoftoj palët që për këto propozime do të vendos jashtë seancës dhe palët t’i njoftoj me shkrim, pasi paraprakisht caktoi seancat e radhës për 12 dhe 13 shtator 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 19 shkurt 2019, Sh.F., A.V., dhe I.F., akuzohen se më 20 shkurt 2018, në rrugën “Gryka e Llapi”, në Podujevë, afër pompës së derivateve “Al Petrol”, derisa të dëmtuarit P.K, A. dhe Sh.B. ishin duke lëvizur me veturë që ishte pronësi të Sh.B, i cili edhe drejtonte veturën, të pandehurit kanë bllokuar rrugën me automjetin e tipi “Golf 4”.

Në aktakuzë thuhet se ky automjet ka qenë pronë e të pandehurit F.M., të cilën e ka drejtuar i akuzuari Sh.F. dhe kanë ndalë veturën e të dëmtuarve, e më pas të akuzuarit A.V, Sh.I-F. i kanë dal përpara me veturë, ku në ato çaste të akuzuarit A.V. e I.M. e kanë goditur të dëmtuarit A.B. me grushte dhe shqelma nëpër trup, ndërsa, i pandehuri Sh.F. e ka goditur atë me kondak të revoles në vetull.

Me çka, akuzohen se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 147, par.1, nënpar. 9 lidhur me nenin 20 të Kodit Penal, e dënueshme me së paku 10 vjet burgim. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë