Gjykimi për sulmin ndaj Kuvendit, dëshmitari thotë se nuk i kujtohet nëse ka parë ndonjëherë të akuzuarën

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prishtinë – Dëshmitari Remzi Zogjani ka thënë se nuk i kujtohej nëse ka parë ndonjëherë të akuzuarën Adea Batusha.

Këtë deklarim Zogjani e dha të martën, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Egzon Halitit, ish-deputetit Frashër Krasniqi dhe dy aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Adea Batusha dhe Atdhe Arifi, lidhur me aktakuzën për sulmin në Kuvend.

Ndryshe, paraprakisht Zogjani ka deklaruar se në kohën kur ka ndodhur rasti ka punuar si taksist dhe se qëndron në tërësi pranë deklaratës së tij të dhënë në polici lidhur me këtë rast.

Ai shtoi se nuk i kujtohej se ka vozitur ndonjëherë të akuzuarën, pasi që sipas tij, ka pasur shumë pasagjer të ndryshëm brenda ditës.

I pyetur nga ana e prokurores Fikrije Fejzullahu, se çfarë ka deklaruar në polici dhe çfarë pyetje i janë parashtruar, dëshmitari tha se në polici i kanë shfaqur një video incizim ku shihej një vajzë duke u futur në veturën e tij.

“Në momentin që kam shkuar në stacion të policisë, policia më kanë thënë që kam vozit një vajzë, por nuk mu ka kujtu se kam thënë që gjatë ditës ne vozisim shumë pasagjer, pastaj policia ma ka lëshu një incizim në të cilin shihej një vajzë duke hyrë në veturën time, por prap se prap nuk ishte i çartë, nuk shihej pastër fytyra e vajzës, por polici me ka thënë që ka qenë duke ngrënë diçka, në atë moment mu kujtu vendi ku e kam dërguar se ajo vajzë me ka dhënë një kifle, në lagjen Bregu i Diellit, tek banesat e Tregtisë”, tha dëshmitari Zogjani.

Ai shtoi se nuk i kujtohej aspak pamja fizike e vajzës, e edhe pasi që i ishin shfaqur disa fotografi të vajzave nga ana e policisë, sipas tij, nuk ka mundur të identifikoj asnjërën.

Më pas, dëshmitari është ballafaquar me dy procesverbale të deklaratave të dhëna në polici nga ana e mbrojtësit të të akuzuarës Batusha, avokat Ali Beka, lidhur me të cilat, dëshmitari kishte dyshime në disa fleta për nënshkrimet e tij, sipas tij nuk ishte i sigurt se i ka nënshkruar të njëjtat.

E pasi që i njëjti ka deklaruar se nuk e ka parë të akuzuarën, i pyetur nga anëtarja e trupit gjykues Violeta Namani se a e ka parë ndonjëherë në gjykatë, dëshmitari tha se po, por nuk i është kujtuar se e ka vozitur të njëjtën.

“Kur i është thirr emri i saj, e kam pa në gjykatë, e kam shiku por nuk kam qenë i sigurt se ka qenë ajo vajzë të cilën e kam vozitur”, tha dëshmitari.

Në seancën e sotme në cilësi të dëshmitares është dëgjuar edhe Fjolla Çavolli, e cila ka deklaruar se ditën kritike kur kishte ndodhur ngjarja ka qenë së bashku me të akuzuarin Haliti.

Ndërkaq gjatë dëshmisë së saj kishte deklarime për çështje private, për çka kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli me aktvendim e mbylli për media publikim e dëshmisë së saj lidhur me këto pjesë.

Në fund të seancës, i akuzuari Atdhe Arifi ka propozuar që në cilësi të dëshmitarëve të ftohen Januz Shatri dhe Valon Hoti, pasi që sipas tij, të njëjtit do të dëshmojnë se në natën kritike kanë qenë së bashku.

Ky propozim u mbështet nga mbrojtësi i të akuzuarit Arifi, avokat Ramiz Krasniqi, ndërsa u kundërshtua nga prokurorja Fejzullahu, sipas së cilës, rrethanat në të cilat pretendohen të thirren janë subjektive dhe nuk mund të kenë ndonjë relevancë në raport me të akuzuarin.

Pas kësaj, prokurorja Fejzullahu propozoi që nënshkrimet e dëshmitarit Zogjani të dërgohen në Agjencinë e Forenzikës për ekzaminimin e tyre me qëllim që të vërtetohet saktësia e nënshkrimeve.

E këto propozime u aprovuan nga gjykatësi Ismajli.

Paraprakisht në seancën e sotme ka ndryshuar përbërja e trupit gjykues, ku në vend të gjykatëses Valbona Musliu-Selimi ka ardhur gjykatësja Suzana Qerkini, e cila në seancën e fundi kishte munguar pasi që ka qenë e angazhuar në një seancë tjetër, por me pajtimin e palëve të gjitha procesverbalet u konsideruan të lexuara.

Seancat e radhës për këtë çështje janë caktuar të mbahen më 15 dhe 16 qershor 2022.

Në këtë proces gjyqësor, i cili ishte kthyer në rigjykim, Krasniqi, Batusha, Haliti dhe Arifi po akuzohen se janë përgjegjës për sulmin në Kuvendin e Kosovës në gushtin e vitit 2016, që është kualifikuar si vepër terroriste.

Këtë rast, fillimisht e kishte gjykuar gjykatësi Beqir Kalludra, por pas avancimit të tij në Gjykatën e Apelit me vendimin e 21 dhjetorit 2020, të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), lënda ka kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti, e më pas përfundimisht këtë lëndë do ta gjykojë gjykatësi i Departamentit Special, Vesel Ismaili.

Pas rigjykimit, para trupit gjykues të udhëhequr nga gjykatësi Kalludra, ishin caktuar gjithsej gjashtë seanca, prej të cilave vetëm tri kishin arritur të mbahen.

Pasi gjykatësi Kalludra, më 27 nëntor të vitit 2017, kishte shpallur fajtorë katër të akuzuarit, duke i dënuar me 21 vjet e gjashtë muaj burgim, në seancën e parë pasi rasti ishte në rigjykim, më 4 mars 2020, ish-mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Tomë Gashi, kishte kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Beqir Kalludra, mirëpo kjo kërkesë ishte refuzuar.

Ish-deputeti Frashër Krasniqi ishte dënuar me 8 vjet burgim, Atdhe Arifi ishte dënuar me 6 vjet burgim, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë si dhe Adea Batusha me 2 vjet heqje lirie.

Pas ankesave në Gjykatën e Apelit, kolegji i instancës së dytë gjyqësore, kishte vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë është bërë me shkelje ligjore dhe e kishte anuluar të njëjtin dhe në këtë mënyrë, lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Për rastin e aktivistëve të dënuar të VV-së, më 9 shkurt 2018, ishte diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës dhe në fund të seancës, Kuvendi kishte miratuar disa rekomandime ku kërkohej që për rastin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit, të kërkohet dhe të mundësohet një hetim i plotë, i pavarur ndërkombëtar i tërë rastit, nga ndonjëri nga vendet perëndimore të BE-së, përfshirë vendet neutrale të Evropës Perëndimore dhe Zvicrën.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në dhjetor të vitit 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër, Frashër Krasniqit, Atdhe Arifit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës, të cilët i akuzon për kryerjen e veprës penale të terrorizmit.

Ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosjes, PSRK-ja ka ngritur aktakuzë, katër muaj pasi të njëjtit, bashkë me tani të ndjerin Astrit Dehari, u arrestuan si të dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016, ndaj objektit të Kuvendi të Kosovës, por që Dehari kishte vdekur në nëntor të vitit 2016 në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të pandehurit kanë vepruar si grup i organizuar “me qëllim që të shkaktojnë frikësimin serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës se pasigurisë për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit duke pasur për qëllim, që Kuvendi i Kosovës të detyrohet të mos ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe me këtë rast, të shkaktojë frikësim serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës së pasigurisë tek qytetarët e Kosovës, më datë 4 gusht 2016, rreth orës 23:05 nga parkingu përball Kuvendit të Kosovës me raketahedhës dore kanë kryer sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë