Gjykimi për punësimin fiktiv të mbi 60 të punësuarve në arsim, paguheshin pa punuar

Raporton: Adem KRASNIQI

Gjilan – Të akuzuarit Dragan Stankoviq, Drejtor i Administratës dhe Vesna Jovanoviq, drejtoreshë për Arsim, Shëndetësi, Rini, Kulturë dhe Sport, në komunën e Parteshit, janë përballur të martën në sallën e gjykimit në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Prokuroria Themelore e Gjilanit akuzon Stankoviqin dhe Jovanoviq për keqpërdorim të pozitës zyrtare, duke kryer në mënyrë të kundërligjshme pagesa për 62 mësimdhënës, për periudhën prej majit deri në korrik 2014, edhe pse të njëjtit fare nuk kishin qenë të angazhuar në procesin arsimor, duke i shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës në shumën prej 39.862.44 eurove.

Në seancën e së martës, para trupit gjykues, të kryesuar nga gjykatësja Emin Salihu, ka dëshmuar inspektori i Arsmit në Komunën e Gjilanit, Riza Fazliu. Në dëshminë e tij, Fazliu tha se në inspektorat ishte bërë një ankesë prej gjashtë mësimdhënësve, të cilët pretendonin se iu ishte shkëputur marrëdhënia e punës pa të drejtë nga tani të akuzuarit Dragan Stankoviq dhe Vesna Jovanoviq. “Ne si inspeksion kemi shkuar në shkollën “Dositej Obradoviq” në Partesh dhe kemi gjetur shkelje, të cilat i kemi evidentuar në procesverbal. Pas kësaj, kemi bërë kontrollimin në gjithsej gjashtë shkolla të kësaj komune dhe poashtu kemi gjetur shpërputhje të mëdha në mes të listës së pagave dhe personave që punonin si mësimdhënës… Jo vetëm këta gjashtë persona por edhe shumë të tjerë i kemi identifikur që kanë marrë paga dhe njëkohësisht nuk figuronin askund si mësimdhënës”, tha dëshmitari Fazliu. Tutje, ai deklaroi se dy të akuzuarit kishin pasur të drejtë që t’ua shkëpusnin kontratat e punës gjashtë të dëmtuarëve sepse të njëjtit nuk kishin qenë në marrëdhënie të punës edhe pse të njëjtit kishin poseduar kontrata valide të punës.

Kryetarja e trupit gjykues, Emine Salihu, ka vazhduar procesin gjyqësor me leximin e provave të lëndës për të vazhduar me marrjen në pyetje të të akuzuarit Dragan Stankoviq. Ky i fundit, i pyetur nga mbrojtës i tij, avokati Rrustem Latifaj, se a kishte pasur parregullësi në regjistrin e pagave gjatë peridhës maj-korrik 2014, i akuzuari Stankoviq, tha se nuk ka pasur asnjë parregullësi. Tutje, i akuzuari tha se gjatë kësaj periudhe ka pasur pakënaqësi nga disa punonjës, të cilët ishin ankuar për shkak të ndërprerjes së marrëdhënies së punës. “Punonjësve pas ankesave që kanë bërë, ju kam rekomanduar që të drejtohen tek inspeksioni i arsimit dhe të njëjtit janë ankuar dhe më pas kanë ardhur inspeksioni për ta verifikuar gjendjen faktike”, tha i akuzuari.

Në vazhdim, avokati Latifaj, e ka pyetur të akuzuarin, se këta punonjës a ishin pranuar në punë sipas konkursit apo në bazë të kontratave fiktive? I akuzuari tha se se “gjatë viteve 2013-2014 këta punonjës ishin pranuar në bazë të kontratave fiktive nga administrata e kaluar, kur nuk kam qenë drejtor”. Sipas të akuzuarit, aso kohe nuk kishte pasur konkurs për punësimin e tyre, ndërsa pasi kam ardhur në pozitën e drejtorit, kam bërë shpalljen e konkursit për pranim në shkolla të punonjësve. “Pas ardhjes sime dhe pas pranimit të disa punonjësve nëpër shkolla, ka pasur kundërshtime sa i përket pranimit të tyre sipas konkursit. Për shkak të këtyre kundërshtimeve nga ana e drejtorëve të shkollave, ne kemi vendosur që punonjësit e pranuar, t’i dërgojmë në vende të tjera të punës dhe të njëjtit të ardhurat i kanë marrë si punonjës të arsimit”.

Tutje kryetarja e trupit gjykues, Emine Salihu, e ka pyetur të akuzuarin Stankoviq, se kur ishte pranuar ai Drejtor i Administratës në punë? I akuzuari tha se në këtë pozitë ishte pranuar më 8 shkurt 2014 dhe se kishte punuar deri në fund të tetorit 2014. Stankoviq tha se  62 personat e punësuar me kontrata fiktive, ishin punësuar disa muaj para se ai të vinte në këtë pozitë. “Këtyre punonjësve ua kam ndërprerë kontratat në shkurt 2014, pothuajse menjëherë si kam filluar punën si Drejtor i Administratës në Komunën e Parteshit, për shkak se kam gjetur parregullësi”. Në seancën e radhës e cila do të mbahet më 17 mars 2016, në orën 9:30.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë