Gjykimi për përvetësim të parave, ish-zyrtari i BKT-së kërkon zbutje të dënimit, prokuroria kërkon të kundërtën

Rasti i Bujar Maliqit 17.09.2019
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Shtator 17, 2019

Prishtinë – Zbutje të dënimit që i ishte shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ka kërkuar nga Gjykata e Apelit ish-zyrtari i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), Bujar Maliqi.

Kurse, lirim të plotë nga akuza se e kishte ndihmuar Bujar Maliqin, t’i fshihte paratë dhe provat, ka kërkuar babai i tij, Xhemajl Maliqi.

Për përvetësim të mbi 250 mijë eurove, si dhe dhjetëra dollarëve, frangave e funteve, Bujar Maliqi, në shkurt të këtij viti, ishte dënuar me tre vjet e gjysmë burgim efektiv, ndërsa Xhemajl Maliqi, ishte dënuar me tetë muaj burg.

Ankesat e dy të dënuarve nga gjykata e shkallës së parë, si dhe ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, janë shqyrtuar të martën në Gjykatën e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Organi i akuzës në ankesë ka deklaruar se kërkon nga Gjykata e Apelit ashpërsimin e dënimeve për dy të akuzuarit, që siç thuhet, duke pasur parasysh edhe rrezikshmërinë e veprës penale, pozitën zyrtare të Bujar Maliqit dhe dëmin që i është shkaktuar BKT-së.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Bujar Maliqi, avokati Besnik Berisha ka kërkuar nga gjykata e shkallës së dytë, që klientit të tij t’i zbutet dënimi, pasi siç ka thënë ai, ndaj Maliqit nuk ishin marrë parasysh fare rrethanat lehtësuese, e sidomos fakti që ai kishte pranuar fajësinë.

“Ne kërkojmë një sanksion më të butë. Të paktën lusim gjykatën që dënimi të jetë nën tri vite burgim”, ka thënë avokati Berisha.

Kurse, avokati Sefdali Zejnullahu, që mbron të akuzuarin Xhemajl Maliqi, ka kërkuar që klienti i tij të lirohet nga një akuzë e tillë, pasi sipas tij, nuk ishte vërtetuar me asnjë provë se ai kishte kryer veprën për të cilën ishte dënuar me tetë muaj burgim.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Bankës Kombëtare Tregtare, Ardit Ramadani, ka thënë se është absurde dhe shkelje e ligjit, mënyra se si gjykata kishte vendosur për rastin, duke mos përfshirë edhe për kompensimin e dëmit nga Bujar Maliqi, si ish-punëtor i kësaj banke.

Ai ka thënë se gjykata ishte dashur të përcaktonte në aktgjykim edhe kthimin e mjeteve të përvetësuara në formë kompensimi për këtë bankë.

Lidhur me këto ankesa, kolegji i udhëhequr nga gjykatësi Fillim Skoro, do të vendos jashtë seance.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 shkurt të vitit 2019, e kishte shpallur fajtor ish-zyrtarin e Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), Bujar Maliqi dhe babanë e tij, Xhemajl Maliqi.

Bujar Maliqi, i cili e kishte pranuar fajësinë se në cilësinë e zyrtarit të BKT-së kishte përvetësuar para në këtë bankë, ishte dënuar me tre vjet e gjashtë muaj burgim efektiv, të cilit i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.

Ndërsa, Xhemajl Maliqi, i cili akuzohej se i kishte ndihmuar djalit të tij të fsheh paratë e disa pajisje, ishte dënuar me tetë muaj burgim efektiv.

Pala e dëmtuar, BKT, për realizimin e kërkesës pasurore juridike ishte udhëzuar në kontest civil, pasi sipas kryetarit të trupit gjykues në shkallë të parë, gjykatësit Arben Hoti, të dhënat e mbledhura në procedurë penale nuk paraqesin bazë të sigurt për gjykimin e plotë apo të pjesshëm të kësaj kërkese pasurore juridike, për shkak të specifikave të punës bankare dhe sigurimit të shumës së të hollave.

Të akuzuarit ishin obliguar që të paguajnë shpenzimet e procedurës penale, secili nga 200 euro.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ndryshuar, Bujar Maliqi akuzohet se më 10 janar 2014, në cilësinë e personit zyrtar në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT), kishte keqpërdorur pozitën zyrtare dhe me qëllim që t’i sjell vetit dobi pasurore, kishte përvetësuar para në vlerë prej 284,995.70 euro, 13,827 dollarë, 12,180 franga zvicerane dhe 5,510 funte britanike.

Ndërsa, Xhemajl Maliqi, akuzohet për fshehje të provave, parave dhe pajisjeve të kamerave, të cilat i pandehuri Bujar Maliqi, akuzohet se i kishte përvetësuar. /BetimipërDrejtësi