Gjykimi për përvetësim në KEK, i akuzuari thotë se kishte ndodhur vjedhje, por që s’e din se kush e kishte kryer

unnamed
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Janar 13, 2020

Prishtinë – Dhënësi i materiali në depo e thëngjillit në KEK, i akuzuari Fahri Fejzullahu, ka pranuar se kishte ndodhur vjedhje e ngjitësit për shiritat e thëngjillit në KEK, por ka deklaruar se nuk ishte në dijeni se kush e kishte kryer këtë vjedhje.

Këtë deklaratë, i akuzuari Fejzullahu, e ka dhënë në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj tij dhe dy depoistëve Vehbi Dragusha dhe Ejup Grajqevci, të cilët po akuzohen për përvetësimin e rreth 245 kg ngjitës për shiritat e thëngjillit, raporton “Betimi për Drejtësi.

Fejzullahu ka thënë se për vjedhjen e kishte kuptuar nga i akuzuari Grajqevci, kur kishte ardhur në punë me 17 maj 2012 dhe se kur kishte shkuar në depo kishte parë gjashtë paketa të ngjitësit të thata në tokë, të cilat paketa sipas tij, para një dite i kishte parë të plota.

Ai tha si dhënës i materialit nuk kishte pasur të drejtë të hapte depon pas orarit të punës dhe se depon me material kishin pasur të drejtë ta hapnin vetëm depoistët, në këtë rast të akuzuarit Dragusha dhe Grajqevci.

Sipas tij, para vjedhjes së shiritave stafi dhe drejtori kishin marrë vendim që në vend të depoistit Vehbi Dragusha, të jetë i akuzuari Ejup Grajqevci.

“Në kohën kur ka ndodhur ky rast stafi dhe drejtori kanë marrë vendim me ndrru depoistin Vehbi Dragusha dhe në vend të tij me ardh Ejup Grajqevci, por kur e kemi bërë regjistrimin e mallit në depo për vitin 2011-2012, për me ba pranim dorëzimin në dhjetor-janar, Vehbi Dragusha në atë kohë nuk ka pranuar me dorezu depon, por përsëri është marrë vendim që me u ndrru depositat”, ka thënë i akuzuari Fejzullahu.

Pas kësaj, sipas të akuzuarit Fejzullahu, kur i akuzuari Grajqevci ishte ngarkuar me mallin e depos, ai nuk e kishte pranuar depon me regjistrim të mallit të vitit të ri për shkak të mungesës së ngjitësit.

Për këtë arsye, ai tha se ishte bërë regjistrimi i jashtëzakonshëm i pranim-dorëzimit të mallit dhe se një komision prej tre anëtarësh, së bashku me të dhe një punëtor tjetër e kishin numëruar mallin dhe se rezultati kishte qenë se 210 kg kishte pasur mungese të ngjitësit dhe se ishin munduar ta barazojnë me materialin “metal primer”, i cili kishte qenë me afat të skaduar.

Ai tha se për shkak se i akuzuari Grajqevci nuk kishte pranuar që të bëhej barazimi me këtë lloj material, kishte filluar problemi mes tij dhe të akuzuarit Dragusha.

“Vehbi Dragusha për këtë ngjitës ka pasur problem me kryetar të komisionit se pse ti s’po ma shkrun ngjitësin për me ia barazu ngjitësin që mos me lanë mungesë, por kryetari i komisionit Latif Ujkani së bashku me anëtarët e kanë pasur për detyrë me dorëzu regjistrimin e mallit, por për shkak të kësaj mungese, elaborati nuk ishte dorëzuar në kontabilitet dhe për këtë arsye ka ndodhur vjedhja që mu mbulu hajnia e parë”, ka thënë i akuzuari Fejzullahu.

Ai ka thënë se kur mungesa e ngjitësit kishte qenë 210 kilogram, ishin vjedhur 132 kilogramë, duke u bërë 350 kilogram, prej të cilave tha se i akuzuari Dragusha e kishte lëshuar një kërkesë që për 98 kilogram ngjitës të bëjë mbulesën e ngjitësit.

Kur kishte ndodhur vjedhja e ngjitësit, ai tha se policia kishin shikuar sipërfaqësisht vetëm vendin e ngjarjes dhe nuk kishin ndërmarrë asgjë veprim tjetër, duke mos e vendosur as shiritin edhe pse sipas tij, nëse e kishin pyetur rojën se cili prej nesh e kishte hapur depon e kishte gjetur se kush e kishte marrë ngjitësin.

Ai tha se i akuzuari Dragusha kishte kërkuar nga ai që të jap deklaratë në polici si formalitet, ku pas kësaj deklarate tha se e kishin ftuar edhe prokuroria dhe gjykata.

Në këto deklarime të të akuzuarit Fejzullahu paraqiti vërejtje i akuzuari Dragusha pasi sipas tij në ditën kur kishte ndodhur rastin depon e kishte hapur i akuzuari Grajqevci.

“Kam vërejtje në deklaratën e të akuzuarit Fejzullahu pasi i njëjti është tu manipulu prej Ejup Grajqevcit”, ka deklaruar i akuzuari Dragusha.

Ai tha se në momentin kur kishte ndodhur vjedhja, çelësat e depos i kishin pasur vetëm ai dhe të akuzuarit Dragusha dhe Grajqevci, por më herët tha se i kishte pasur edhe një punëtore tjetër.

Në lidhje me mënyrën se si kishte ndodhur vjedhja, ai tha se nuk kishte biseduar me dy të akuzuarit tjerë, por tha se nëse pyeten dy të akuzuarit se a kishte qenë ai, ata do të deklaron se nuk kishte qenë.

“Nuk e di se kush e ka marrë atë ngjitës, po të kisha njohuri edhe vlla po ta kisha e kisha deklaru të vërtetën”, ka deklaruar i akuzuari Fejzullahu.

Në këtë seancë është dëgjuar edhe roja e depos në pikën e kontrollit, Bashkim Ismajli i cili në ditën kur kishte ndodhur vjedhja kishte qenë në ndërrimin e natës.

Ai ka thënë se atë ditë derisa kishte qenë duke bërë roje nuk kishte vërejtur asgjë të dyshimtë dhe se as nuk kishte ndodhur ndonjë vjedhje.

“Në ndërrimin tem që janë kanë as s’ka pas hajni as sen, s’ka pasur as thyerje, unë kam qenë në punë afër depos qendrore dhe nuk kam vërejtur se ka pasur vjedhje apo thyerje të depos sepse po të kisha vërejtur ndonjë gjë do të kisha informuar policinë”, ka deklaruar dëshmitari.

Ai tha se në gjykatë e kishte kuptuar se në natën kur ai kishte bërë roje kishte ndodhur vjedhja e ngjitësit të thëngjillit dhe sipas tij përgjegjësinë kryesore për atë depo nga të gjitha rojet e tjera, e kishte pasur ai.

Seanca e radhës ku pritet të jepet fjala përfundimtare është caktuar për 27 janar 2020, në ora 14:30.

Ndryshe, në këtë rast janë ndërruar tre kryetarë të trupit gjykues, ku fillimisht kishte qenë Faik Hoxha, pastaj rasti kishte kaluar te ish-gjykatësi Vehbi Kashtanjeva, i cili pas daljes në pension, rasti i kishte kaluar kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Violeta Namani.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë më 19 dhjetor 2013, ndaj Vehbi Dragushës, Ejup Grajqevcit dhe Fahri Fejzullahut, me pretendimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “përvetësimi në detyrë”, nga neni 425 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Dragusha dhe Grajqevci, më 17 maj 2012, sa ishin në kryerje të detyrës zyrtare në vendin e punës si depoist në depo të servisimit në divizionin e thëngjillit në KEK, kurse i akuzuari Fejzullahu në cilësi të dhënësit të materialit në depo të thëngjillit akuzohen se kishin kryer veprën penale të cekur më lartë.

Të njëjtit thuhet se në bashkëkryerje e me qëllim të përfitimit kishin përvetësuar duke marrë 245 kilogram ngjitës për shirita të thëngjillit pronë e të dëmtuarës KEK.

Me këtë rast, ata pretendohet se i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 5,115.6 euro, Korporatës Energjetike të Kosovës, përkatësisht divizionit të thëngjillit. /Betimipërdrejtësi