Gjykimi për pakot me dredhëza, dëshmitari thotë se autoritet për ta zhdoganuar një ngarkesë është vetëm Dogana

ismet deva etj-foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Gusht 6, 2019

Gjakovë – Të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, e kanë dhënë dëshminë e tyre dëshmitarët Roland Frrokaj, Muhamet Tahiraj dhe Bajram Gjokaj, në gjykimin kundër policëve kufitar, Ismet Deva dhe Bit Shala, të akuzuar për keqpërdorim detyre.

Deva dhe Shala akuzohen se në prill të vitit 2018, kanë lejuar të hynin në territorin e Republikës së Kosovës dy automjete të ngarkuara me mallra komerciale, duke mos i regjistruar në sistemin SIMS, ku në njërin automjet kishte të ngarkuara lloje të ndryshme të perimeve, frutave dhe fidanëve të vogla, kurse në automjetin tjetër ishin të ngarkuara 40 kuti me dredhëza, mallra këto që hynin nga Republika e Shqipërisë në Kosovë, edhe pse në atë kohë në kufi nuk kishte doganier si kompetent për të vlerësuar dhe lejuar hyrjen e mallrave komerciale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Roland Frrokaj, i cili është udhëheqës i kalimit kufitar në Vërmicë, Qafë-Prush, Qafë-Morinë dhe Durrës, deklaroi se pikë-kalimi në Qafë-Prush nuk është kompetent për zhdoganimin e mallrave të natyrës komerciale, por sipas tij, ka të drejtë që të zhdoganojë mallra të sasive të vogla të natyrës personale.

I pyetur nga prokurori Ramiz Buzhala se deri në sa ora punojnë zyrtarët doganorë në këtë pikë-kalim, dëshmitari Frrokaj tha se orari ndryshon varësisht prej sezone, duke shtuar se gjatë sezonit dimëror, nga ora 8:00 deri në orën 19:00, ndërsa gjatë verës nga ora 08-20:00.

I pyetur nga prokurori Buzhala, se a janë zyrtarët policorë kompetent që punojnë në pikën kufitare që të lirojnë automjete me mallra komerciale pa prezencën e doganierëve, dëshmitari tha se i vetmi autoritet për të liruar një ngarkesë me mallra apo bagazh të udhëtarit është Dogana e Kosovës.

Më pas, gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit, Muhamet Shala, i cili deklaroi se është kultivues i luleve, bimëve dekorative dhe fidanëve ekzotikë.

Dëshmitari Tahiraj, tha se nuk i kujtohet mirë 6 prilli i vitit 2018, mirëpo sipas tij, ka qenë pranverë e hershme dhe ka kaluar në pikën kufitare në Qafë-Prush, të cilën e ka kaluar me një furgon.

Dëshmitari Tahiraj deklaroi se nuk i kujtohet saktë se në çfarë ore është paraqitur në doganë.

“Unë kur kam ardhur te pika kufitare kam shkuar për të sqaruar te dogana se i kam në veturë disa gjana ushqimore për familje, disa lule dekorative, të cilat nuk doganohen janë të lira nga dogana”, deklaroi dëshmitari Tahiraj.

Ai shtoi se koha ka qenë me shi dhe se një polic ka qenë në kabinë. “I kam thënë se i kam do lule, disa gjera të tjera elementare, dhe kam ec, dhe kam dëgjuar se zyrtari i policisë ka thënë se ka rënë sistemi”, tha ai.

I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Bit Shala, avokati Genc Juniku se a i kanë kërkuar zyrtarët policorë diçka atij, dëshmitari tha se jo.

Gjykimi ka vazhduar me dëshminë e dëshmitarit Bajram Gjokaj, i cili gjatë gjithë dëshmisë së tij deklaroi se mbetet prapa deklaratave të tij dhënë në Prokurori dhe Polici.

Dëshmitari Gjokaj, deklaroi se në ditën kritike ka qenë në pikën kufitare në Qafë-Morinë  me një veturë “pick-up”, ku ka pasur të ngarkuar 38-40 kuti dredhëza, me peshë më shumë se 100kg, molla dhe brokoli, vlera e të cilave sipas tij, ishte diku rreth 145-150 euro.

Ai tha se nuk ka shkuar tek zyrtarët doganorë për t’i pyetur se a mund ta kalojë mallin, por direkt është kontrolluar nga zyrtarët policorë dhe ka kaluar, dhe më pas në hyrje të Gjakovës është ndaluar nga Policia, të cilët më pas i kanë dërguar në Stacionin Policor në Ponoshec.

Prokuroi Ramiz Buzhala, propozoi që të ftohet edhe përfaqësuesi i doganës nga sektori i vlerësimit, përkatësisht caktimit të vlerës për mallra të padoganuara, me qëllim të eliminimit të dilemave dhe që të caktohet saktë vlera e shmangies nga detyrimet doganore.

Mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Genc Juniku dhe Meshari Selimaj e lanë në vlerësim të Gjykatës propozimin e prokurorit.

Më pas, trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Shaqir Zika e aprovoi propozimin e prokurorit, derisa seancën e radhës e ka caktuar që të mbahet më 23 gusht 2019, në ora 10:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur me 20 mars 2019, Ismet Deva dhe Bit Shala, akuzohen se më 6 prill 2018, rreth orës 20:20, në cilësinë e personave zyrtarë, konkretisht zyrtarë policorë në pikë-kalimin kufitar në Qafë-Prush, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që të sjellin dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme për vete dhe për të tjerët.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që të pandehurit duke ushtruar detyrën zyrtare dhe autorizimin e tyre kanë lejuar të hynin në territorin e Republikës së Kosovës dy automjete të ngarkuara me mallra komerciale, duke mos i regjistruar në sistemin SIMS, dhe atë automjetin e markës “Citroen Jumper Furgon”, të cilin e drejtonte Muhamet Tahiri, në të cilin kishte ngarkuar lloje të ndryshme të perimeve, frutave dhe fidanëve të vogla, si dhe automjetin e markës “Vë Cady Pick Up”, të cilën e drejtonte Bajram Gjoka, në të cilin kishte ngarkuar 40 kuti me dredhëza, mallra këto që hynin nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, edhe pse në atë kohë në atë pikë-kalim kufitar nuk kishte doganier si kompetent për të vlerësuar dhe lejuar hyrjen e mallrave komerciale.

Sipas aktakuzës, shtetit të Kosovës i kanë shkaktuar dëm material në shumë prej 564.60 euro.

Ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 parag.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi