Gjykimi për mashtrim me viza pune gjermane, të dëmtuarit thonë se për të paguar kontratën kishin hyrë në kredi

20190207_115434
Author

Raporton: Shkelzen SELMANAJ

Shkurt 7, 2019

Prizren – Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, po vazhdon gjykimi ndaj të akuzuarve për mashtrim me viza pune për në shtetin e Gjermanisë, Flamur Hoxha, Besim Rexhaj dhe Veprim Rexhepi.

Lidhur me këtë rast, Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj, akuzohen se në bashkëkryerje kanë mashtruar një numër të madh të qytetarëve, duke marrë nga ta shuma prej 2500-3000 euro, kinse do t’i punësojnë në Gjermani, e më pas duke keqpërdorur në forma të ndryshme me këto mjete.

Ndërsa, Veprim Rexhepi, akuzohet se me anë të falsifikimit, ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata.

Në seancën e së enjtes, kanë dhënë dëshminë e tyre disa prej 493 të dëmtuarve në këtë rast, si të propozuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Krahas shumë të dëmtuarve të cilët do të dëgjohen në vazhdimësi të këtij procesi gjyqësor, në seancën e së enjtes kanë dhënë dëshminë e tyre, të dëmtuarit Durim Salihaj, Guximtar Imeraj, Besart Dragusha, Samedin dhe Emir Hamza, Fitim Januzaj, Agim Krasniqi dhe Gazmend Buzhala.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Afrim Shefkiu, i dëmtuari Guximtar Imeraj, ka thënë se për këtë shkollë kishin dëgjuar nëpërmjet rrjeteve sociale.

“Për këtë kam kuptuar në internet, pasi që unë me disa shokë kemi qenë të interesuar, më pas e kemi gjetur adresën e Besim Rexhës, ku më pas kemi shkuar në fshatin e tij dhe kemi biseduar. Në fillim i treguam profesionin tonë, e ai na tha se bash për këtë lëmi kemi nevojë, dhe ai na tha se nëse doni të fillojë procedura atëherë secili nga ju, fillimisht duhet të i paguani nga 500 euro”, ka thënë i dëmtuari Guximtar Imeraj.

Ai tha se pas pagesës së parë prej 500 euro, kanë pritur edhe tre muaj të tjerë për termin në ambasadën gjermane, e më pas u janë kërkuar edhe nga dy mijë euro të tjera.

“Na është thënë se në profesionin që keni aplikuar, nuk po mundemi me u siguru punë, por nëse doni me fillu në një profesion tjetër, atëherë duhet të paguani edhe 2000 mijë euro, më pas ne të katër shokët kemi ardhur në shkollën gjermane MNP, dhe aty kemi paguar edhe nga 2000 mijë euro, si dhe nga Besim Rexha, na është siguruar 100% se kjo punë do të kryhet, për këtë i kam gjitha fletëpagesat e bëra”, tha i dëmtuari Imeraj, duke shtuar se pronari i kësaj shkolle ka qenë, Flamur Hoxha.

Ai ka thënë se për t’i siguruar këto para, është detyruar të hyjë në kredi.

Kurse, i dëmtuari tjetër Besart Dragusha, tha se për këtë rast ka dëgjuar nga një kushëri i tij, i cili po ashtu është i dëmtuar.

“Unë për këtë rast nuk e kam ditur, por kam dëgjuar nga një kushëri i imi në Prishtinë, Gramos Dragusha, i cili ashtu sikur unë, edhe ai është i dëmtuar, së bashku me babain tim kemi shkuar në një zyre në Prizren, ku aty kemi takuar persona shumë bindës, dhe disa vajza që punonin aty ,të cilat na treguan disa kushte rreth kontratave të punës”, tha i dëmtuari Dragusha.

Ai tha se në atë zyre i është premtuar se do të shkojë për punë në Gjermani.

“Në atë zyre na kanë premtuar se ka me shku në Gjermani, ku atje do të punojë si mirëmbajtës i objektit, dhe na është thënë se nëse do që të vazhdosh kontratën, atëherë duhet të paguash fillimisht 500 euro, të cilat edhe i kam paguar”, shtoi i dëmtuari Dragusha,

Duke u përgjigjur prokurorit special Afrim Shefkiu, nëse ka bërë pagesë tjetër, i dëmtuari ka thënë se pagesën e parë e ka bërë në shumë prej 500 euro, kurse 2500 euro të tjera, i pa paguar më vonë, e ku paratë sipas tij, i ka siguruar pasi që e ka shitur automjetin.

Ai ka thënë se shkuarja në Gjermani kishte dështuar, duke shtuar se kishte qenë viktimë e mashtrimit.

Për këtë, ai ka thënë se kërkon kompensim dëmi në shumë prej 3000 mijë euro.

Krahas tij, ka dëshmuar edhe Samedin Hamza, i cili ka thënë se ai së bashku me vëllain e tij, Emirin, kishin provuar të njëjtën gjë.

“Fillimisht ka aplikuar vëllau im Emiri, e më pas, pas dy muajve kam aplikuar edhe unë, pas pagesës së bërë në vlerë prej 6000 mijë euro së bashku me vëllaun, na është siguruar se ne do të shkojmë sigurt për të punuar në Gjermani”, ka thënë i dëmtuari Hamza.

Ai tha se pas një kohe ka dëgjuar se është një mashtrim, dhe siç tha ai, kur ka shkuar vëllai i tij në atë shkollë, aty ka qenë gjithçka e mbyllur, më pas sipas tij, ata kanë marr informacion se personat tashmë të akuzuar, janë arrestuar nga policia.

Në fund, ai tha se për t’i siguruar këto të holla, ai është detyrua që të futet kredi në bankën “Finca”.

Më pas, janë dëgjuar edhe pesë të dëmtuarit e tjerë në këtë gjykim, të cilët thanë se për këtë rast ndihen plotësisht të mashtruar, njëkohësisht edhe të dëmtuar, pasi që sipas tyre, ata paguan nga 2500 – 3000 mijë euro, për një vizë pune gjermane, e cila nuk u realizua.

Të gjithë këta të dëmtuar, kanë kërkuar kompensimin e dëmit që u është shkaktuar, respektivisht kthimin e të hollave.

Seancën e radhës, gjykatësi Xheladin Osmani, e ka caktuar më 12 shkurt 2019, prej orës 10:00, në të cilën pritet të dëgjohen edhe një numër i madh të dëmtuarish.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të datës 20 gusht 2018, me të cilën Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj, akuzohen se në periudhën 2016-2017, megjithëse e kanë ditur se të ardhurat burojnë nga aktivitete kriminale, kanë pranuar para nga qindra persona të dëmtuar, saktësisht 489 persona, me arsyetimin se do t’i punësojnë në Gjermani.

Sipas aktakuzës, Hoxha dhe Rexhaj, nga të dëmtuarit e njëjtë i kanë marrë nga 2500 – 3000 euro, të cilët fare nuk i kanë dërguar në Gjermani, duke fshehur fondet në fjalë e më pas të njëjtat fonde duke i transferuar tek persona tjerë, me këto veprime kanë përvetësuar shumën prej 1.220.175.00 euro, nga të cilat kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1.068.775.00 euro.

Me këtë, akuzohen se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “shpëlarje parash” nga neni 308 i Kodit Penal të RKS, si dhe neni 32 parag 2. nën parag 2.1 dhe 2.2 i ligjit mbi parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit, lidhur me nenin 81 dhe 31 të Kodit Penal të RKS.

Sipas aktakuzës, të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale të mashtrimit nga neni 335, dhe atë të falsifikimit të dokumenteve nga neni 399, si dhe Shmangie nga Tatimi nga neni 313 të Kodit Penal të RKS.

Kurse, Veprim Rexhepi, akuzohet se në periudhën 2016-2017, me anë të falsifikimit, ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata.

Me këtë i njëjti akuzohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve nga neni 398 parag 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.