Gjykimi për mashtrim me viza pune gjermane, njëri i akuzuar jep mbrojtjen e tij

Flamur Hoxha etj..
Author

Raporton: Avni BERISHA

Dhjetor 6, 2019

Prizren – Të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka paraqitur mbrojtjen e tij, ish drejtori ekzekutiv i shkollës DBBS në Prizren, Flamur Hoxha, i akuzuar për mashtrim me viza gjermane.

Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj, akuzohen se në bashkëkryerje kanë mashtruar një numër të madh të qytetarëve, nga të cilët kanë marrë para prej 2500-3000 euro, kinse do t’i punësojnë në Gjermani, e më pas duke keqpërdorur në forma të ndryshme me fondet në fjalë.

Ndërsa, Veprim Rexhepi, akuzohet se me anë të falsifikimit, ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata., raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokatit Durim Nevzati, i akuzuari Flamur Hoxha ka deklaruar se biznesi NSH “Personal Leasing” ka qenë agjenci për përkthime gjyqësore, termine në ambasadë dhe kurse të gjuhës gjermane.

Ai ka thënë se nuk ka qenë deklarues i TVSH-së, pasi që sipas tij, biznesi nuk ka kaluar shifrën e të hyrave vjetore të paraparë për tatimin e qarkullimit.

“Jo nuk kam deklaruar TVSH, pasi që biznesi nuk ka kaluar shifrën pre 35.000 euro qarkullim në vit, kjo ka qenë edhe parakusht për vlerësimin dhe tatimin e qarkullimit, ndërsa NSH Personal Leeasing, ka pasur të hyra vjetore përafërsisht 18.000 euro në vit”, ka deklaruar Hoxha.

Ai  ka thënë se shkollën për aftësim profesional DBBS, e kishte krijuar në vitin 2016, pas disa kontakteve me një investitor gjerman nga Munchen.

“DBBS-ja është krijuar pas një kontakti me një investitor gjerman nga Mynheni, që quhet Karl Karner dhe firma e tij Isar Kapital, i cili ka bërë investimin prej 500 mijë euro, plan programi shkollor është bërë nga ekspertët gjerman ndërsa më pas është përkthyer në gjuhën shqipe dhe është dorëzuar tek Qendra e Autoritetit Kombëtar i Kualifikimeve dhe pas disa ndryshimeve nga ajo qendër, ai planprogram është aprovuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, në marrëveshjen e nënshkruar nga të dy palët është paraparë që shuma prej 500 mijë euro e investuar nga investitori gjerman të kthehet me këste gjatë 10 viteve pa interes, ose investitori të bëhej aksionar me 50% në kompaninë DBBS.

Ai po ashtu ka thënë se kontrata me kandidatët ka parashikuar një vazhdim të aftësimit profesional në rast se nxënësi apo klienti përfundon periudhën një vjeçare me sukses në DBBS, në Kosovë.

“Kontrata ka parashikuar kandidatët që përfundojnë me sukses aftësimin profesional në DBBS në Kosovë në drejtimin që e kanë ndjekur certifikohen nga DBBS, por gjithashtu duhet të certifikohen në gjuhën gjermane në niveli B1, në institutin “Gote”, atëherë kandidati shkon në ndonjë firmë gjermane për praktik tre mujore pa pagesë, ku kompania i heq të gjitha shpenzimet, gjithashtu kandidati detyrohet të kthehet në Kosovë pas praktikës”, ka thënë Hoxha.

Pas këtyre deklarimeve, mbrojtësit e të akuzuarit Flamur Hoxha, avokatët Durim Nevzati dhe Ruzhdi Gashi, kanë kërkuar nga trupi gjykues që t’iu jepet kohë shtesë për t’u përgatitur për marrjen në pyetje dhe për të paraqitur mbrojtjen e klientit të tyre, duke kërkuar që të ndërpritet seanca.

Ndërsa, pas kësaj avokati Fatmir Gashi, ka kërkuar që të mbrojturit të tij, Flamur Hoxha, t’i ndryshohet masa e arrestit shtëpiak me një masë më të lehtë, mirëpo një kërkesë të tillë e ka kundërshtuar prokurori special, Afrim Shefkiu.

Trupi gjykues pasi që ka refuzuar kërkesën e palëve për ndryshimin e masës për të akuzuarin, ka aprovuar kërkesën e tyre për ndërprerjen e seancës dhe seancën e radhës e ka caktuar më 19 dhjetor 2019, në ora 13:15.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të ngritur më 20 gusht 2018, me të cilën Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj, akuzohen se në periudhën 2016-2017, megjithëse e kanë ditur se të ardhurat burojnë nga aktivitete kriminale, kanë pranuar para nga qindra persona të dëmtuar, saktësisht 489 persona, me arsyetimin se do t’i punësojnë në Gjermani.

Sipas aktakuzës, Hoxha dhe Rexhaj, nga të dëmtuarit e njëjtë i kanë marrë nga 2500 – 3000 euro, të cilët fare nuk i kanë dërguar në Gjermani, duke fshehur fondet në fjalë e më pas të njëjtat fonde duke i transferuar tek persona tjerë, me këto veprime kanë përvetësuar shumën prej 1.220.175.00 euro, nga të cilat kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1.068.775.00 euro.

Me këtë, në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, akuzohen se kanë kryer veprën penale “shpëlarje parash”, nga neni 308 i Kodit Penal të RKS, si dhe neni 32 parag 2. nën parag 2.1 dhe 2.2 i Ligjit mbi Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit, lidhur me nenin 81 dhe 31 të Kodit Penal të RKS.

Sipas aktakuzës, të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale të mashtrimit, nga neni 335, dhe atë të falsifikimit të dokumenteve nga neni 399, si dhe Shmangie nga Tatimi nga neni 313 të Kodit Penal të RKS.

Kurse, Veprim Rexhepi, akuzohet se në periudhën 2016-2017, me anë të falsifikimit, ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata.

Me këtë, ai akuzohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve nga neni 398 parag 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi