Gjykimi për mashtrim me viza ndaj ish-deputetit dhe të tjerëve, dëshmitarët thonë se dhanë nga 1050 euro dhe nuk u pajisen me viza

Rasti i Milaim Zekes etj 09.12.2019
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Dhjetor 9, 2019

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin për mashtrim, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi, ku po akuzohen ish-deputeti M.Z dhe dy persona të tjerë I.K dhe E.K, kanë dhënë dëshmi pesë dëshmitarë.

Dëshmtiarët e ftuar nga gjykata me propozim të përbashkët nga avokatët e këtij rasti dhe prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), Atdhe Dema, janë deklaruar vetëm rreth dëmit që u ishte shkaktuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të dëmtuarit Shefqet Krasniqi, Faton Kodraliu, Arbër Gashi dhe Mirsad Arifi, në cilësi të dëshmitarëve, kanë deklaruar se kishin dhënë nga 1050 euro për t’u pajisur me viza në agjencinë e të akuzuari I.K, por një gjë e tillë sipas tyre, nuk u ishte mundësuar.

Krasniqi, Kodraliu, Gashi dhe Arifi thanë se ndihen të dëmtuar dhe se kërkojnë që t’iu kthehen paratë e tyre.

Të njëjtit mbetën pranë deklarimeve që kishin dhënë në prokurori dhe polici.

Në këtë seancë, ishte ftuar edhe Visar Ramadani, i cili sa filloi dëshminë u ndërpre nga trupi gjykues, i udhëhequr nga gjykatësi Vesel Ismajli, pasi që i njëjti rezultoi se ishte pjesë në aktakuzë, mirëpo nuk ishte propozuar asnjëherë nga PSRK-ja për dëgjim në gjykatë.

Ramadani filloi dëshminë duke thënë se i akuzuari I.K, i ka borxh 200,000 mijë euro, pasi që kishin lidhur një kontratë të noterizuar të shitblerjes së një shtëpie, por që e njëjta nuk ishte përmbushur.

Pasi që në sallë u krijua konfuzion sepse nuk dihej se si ishte ftuar Ramadani, trupi gjykues mori një pauzë pas të cilës i thanë dëshmitarit Ramadani të largohej sepse i njëjti është ftuar gabimisht për këtë seancë.

Ndërkohë, pasi që prokurori Dema tha se prokuroria në këtë fazë të procedurës penale mbetet sërish e mendimit për dëgjimin e më shumë se 850 dëshmitarëve, gjykata mori aktvendim me të cilin e obligoi prokurorin që në afat prej 15 ditësh të precizojë adresat e të gjithë dëshmitarëve të cilën gjë nuk e kishte bërë më parë.

Në këtë seancë, fillimisht ka vazhduar deklarimin dëshmitarja Blerta Gashi-Sverkaj, e cila kishte mbetur në gjysmë në seancën e 24 tetorit 2019.

Gashi-Sverkaj ka deklaruar se në agjencinë e të akuzuarit I.K, kishte qenë edhe i akuzuari M.Z i cili më pas ishte tërhequr nga agjencia.

“Ky agjencioni për lëshimin e vizave të punës në Gjermani ka fillu me funksionu në qershor të vitit 2016, ndërsa tre muaj më pas M.Z, është tërhequr nga agjencioni, në fillim aplikimi për vizë në këtë agjencion ka kushtuar 50 euro e më pas, pas muajit shtator kur M.Z, ishte larguar kjo shumë është rrit deri në 1050 euro për procedurën e aplikimit” ka thënë Gashi-Sverkaj.

Seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më 10 dhjetor 2019, në orën 10:30.

Gjykimi ndaj M.Z dhe dy të tjerëve ka nisur, pasi që të dy instancat gjyqësore e kanë konfirmuar aktakuzën ndaj tyre.

Gjykata e Apelit, në shkurt të këtij viti, kishte refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës të ish-deputetit M.Z, E.K dhe I.K lidhur me hudhjen poshtë të aktakuzës ndaj tyre.

Apeli kishte lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila gjithashtu kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të cilët kishin kërkuar hudhjen e aktakuzës.

M.Z, në seancën fillestare të mbajtur më 29 tetor të vitit të kaluar, ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale të mashtrimit, shmangies nga tatimi dhe pastrim të parave.

Të pafajshëm ishin deklaruar edhe dy të akuzuarit e tjerë.

Tre të akuzuarit, në konsultim me mbrojtësit e tyre, ishin pajtuar që aktakuza të konsiderohet e lexuar pasi që kanë thënë se e kanë lexuar më parë dhe e kanë kuptuar atë.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 28 gusht 2018, me pretendimin se të pandehurit I.K, M.Z dhe E.K kanë kryer disa vepra penale.

I.K dhe M.Z akuzohen se prej vitit 2016 deri në mars te vitit 2017 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror më 2 qershor 2016, kishin krijuar biznesin “I.Ki & M.Z Op”, si agjenci punësimi.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga ana e prokurorit Afrim Shefkiu, të pandehurit thuhet se kishin paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani përmes emisionit “Pa rrotlla” duke joshur qytetarët që të aplikonin në zyrat tyre në lagjen “Pejton”, të Prishtinës.

Tutje, pretendohet se në këtë rast ishte përfshirë edhe bashkëshortja e të pandehurit I.K, Fexhrije Krasniqi, e cila ishte marrë me përgatitjen e dokumentacionit për punësim në Gjermani në biznesin e saj për rregullimin e kopshteve.

I.K dhe M.Z, akuzohen se kishin mashtruar 900 aplikues për viza pune e që me qëllim iu kishin marrë shuma prej 500 deri në 3050 euro duke i ndarë proporcionalisht mes vete.

Kurse, thuhet se pas fillimit të hetimeve 354 personave iu janë kthyer mjetet në vlerë prej 83,850 euro, kurse 546 personave të tjerë nuk u janë kthyer mjetet në shumë prej 261,850.00 euro.

Me këtë, I.K dhe M.Z akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mashtrimi” nga neni 335 i KPRK-së.

Ndërsa, gjatë periudhës kohore prej 2 qershorit 2016 e deri më 31 dhjetor 2017, sipas aktakuzës, si bashkëpronarë të biznesit të përmendur me dashje direkte u janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës me ç’rast akuzohen se kanë kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”.

I pandehuri I.K akuzohet po ashtu se me qëllim të fshehjes së burimeve të mjeteve financiare të fituara nga mashtrimi me viza pune dhe shmangies nga tatimi më 19 nëntor 2016, kishte bërë transaksione të dyshimta.

Me ç’rast, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “pastrimi i parave”, nga neni 308 i KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurit M.Z dhe E.K akuzohen edhe për veprat penale “pastrim i parave”, mashtrimi dhe për veprën penale “shmangie nga tatimi”.

Kurse, i pandehuri M.Z, akuzohet se si pronar i NSH Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës” me dashje direkte të shmangies së obligimit tatimor ndaj ATK-së kishte kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”. /BetimipërDrejësi