Gjykimi për mashtrim me viza, dëshmitarja thotë se vëllau dhe kushëriri i saj kishin aplikuar për vizë pune, por nuk ishin pajisur asnjëherë më këtë vizë

IMG-8922
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Nëntor 27, 2020

Prishtinë – Në gjykimin ndaj ish-deputetit të akuzuar për mashtrim me viza, M.Z., dhe dy të akuzuarve të tjerë I.K dhe E.K, është dëgjuar dëshmitarja Marigona Berisha, e cila ka deklaruar se vëllaiu dhe kushëriri i saj kishin aplikuar për vizë pune, mirëpo asnjëherë nuk ishin pajisur me vizë.

Tre të akuzuarit, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës po ngarkohen me veprat penale “mashtrim”, “shmangie nga tatimi” dhe “pastrim i parave”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitarja Berisha tha se në vitet 2016-2017, kishte punuar në Qendrën Mediale “Mozaiku i Kosovës”, me pronar M.Z, dhe se në kohën sa kishte punuar aty, tha se asistentja e të akuzuarit M.Z, Blerta Gashi i kishte kërkuar 2-3 herë që të hollat që i kishin marrë nga aplikantët të shkoj t’i deponon në xhirollogarinë e kësaj qendre.

Prokurori Special Atdhe Dema e pyeti dëshmitaren se a ishte e vërtete se në tri raste kishte deponuar mjete në BKT, në llogarinë e kësaj qendre në vlerë prej 2642 euro, dëshmitarja ka thënë se shifrat nuk i kujtohen po tha se është e vërtetë se i kishte dërguar të hollat në xhirollogarinë e njëjtë dhe me kërkesë të Blerta Gashit.

Ajo tha se Blerta Gashit, i kishte thënën i akuzuari I.K që paratë të mos mbeteshin në zyrë, por të deponohen në bankë, për arsye sigurie.

Sipas saj, i akuzuari M.Z kishte qenë shefi i saj, mirëpo tha se asnjëherë me të nuk kishin diskutuar çështjen e vizave.

Dëshmitarja tha se në agjencisë e punësimit “I.K Op”, kishte aplikuar edhe vëllau i saj dhe një kushëri për tu pajisur me viza pune, për të cilat tha se ishte në dijeni se edhe kishin paguar, por tha se nuk i kujtohej shuma.

Sipas saj, të njëjtit nuk ishin pajisur dhe vizë pune dhe as nuk iu ishin kthyer paratë, por tha se të gjithë aplikantët që kishin aplikuar aty, ishin pajisur edhe me fletë dëshmi për pagesë.

Ndryshe në këtë seancë, për shkak se i akuzuari I.K, kishte bërë revokimin e angazhimit të dy ish-mbrojtësve të tij, avokatëve Ramiz Krasniqi dhe Tomë Gashi, me arsyetimin se nuk kishte mundësi financiare të paguaj avokat, ai në seancën e së premtes ka kërkuar nga gjykata që t’i caktojë avokat sipas detyrës zyrtare.

Por, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili e ka njoftuar të akuzuarit I.K, se paraprakisht trupit gjykues kishte konsultuar Kodin e Procedurës Penale, dhe sipas këtij kodi, mbrojtja nuk ishte e obligueshme.

“Prej 4 shtatorit 2017, jam i papunë dhe të gjitha mjetet financiare që i posedoj dhe pasuria ime është ngrirë nga ana e prokurorisë, prej viti 2018 i keni të gjitha raportet për gjendjen time shëndetësore, unë pa avokat nuk jam në gjendje as dëshmitarët me i pyt, për këtë arsye kam kërkuar nga ju që të më lirohen xhirollogaritë bankare dhe pasuria ime që e kam fituar mbi 20 vite, që të më jepet mundësia që këtyre 34 personave t’ua kthej paratë e tyre. Pa avokat unë nuk du me vazhdu”, ka thënë I akuzuari I.K.

Sipas tij, ai përmes ish-mbrojtësve të tij kishte bërë edhe kërkesë që gjykata t’ia liroj së paku 500 euro nga mjetet e ngrira, për shkak se sipas tij, edhe në kohë pandemie gjykatës nuk i kishte interesuar se si jeton.

“Jena në kohë pandemie, a i ka interesu gjykatës qysh jetoj unë, kam bërë kërkesë përmes avokatëve tim për me mu liru të paktën 500 euro, unë pa avokat nuk jam në gjendje me vazhdu”, ka thënë i akuzuari I.K.

Në këtë mënyrë, gjykatësi Ismaili e ka ndërprerë seancën për disa minuta, në mënyrë që lënda t’i dërgohet kryetares së gjykatës, Afërdita Bytyqit, që e njëjta të vendos për kërkesën e të akuzuarit I.K.

Pas kësaj, kryetarja Afërdita Bytyci ka aprovuar kërkesën e të akuzuarit I.K, dhe të njëjti i është caktuar avokati Adem Ademi.

Pasi ishin krijuar kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance, ka reaguar i akuzuari I.K, i cili ka kërkuar që t’i jepet kohë mbrojtësit të tij që të lexojë shkresat e lëndës, pasi sipas tij, ai nuk ishte i përgatitur.

“Po më akuzoni se kam mashtruar 927 veta, avokatit i vyjn me i lexu shkresat e lëndës”, ka thënë i akuzuari I.K.

Por kjo kërkesë e tij nuk është marrë parasysh nga trupit gjykues, i udhëhequr nga gjykatësi Vesel Ismaili dhe seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitares Berisha.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 2 dhjetor 2020, në ora 09:30.

Për këtë rast, në seancën e 24 tetorit 2019, gjykata pas kërkesës së të akuzuarit M.Z, kishte marrë vendim që të akuzuarve mediat t’iu drejtohen vetëm me iniciale, duke mos zbuluar identitetin e tyre. Por, që një vendim i tillë ende nuk është dhënë në formë të shkruar nga gjykata.

Gjykimi ndaj M.Z dhe dy të tjerëve ka nisur, pasi që të dy instancat gjyqësore e kanë konfirmuar aktakuzën ndaj tyre.

Gjykata e Apelit, në shkurt të këtij viti, kishte refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës të ish-deputetit M.Z, të akuzuarve E.K dhe I.K lidhur me hudhjen poshtë të aktakuzës ndaj tyre dhe kjo gjykatë e kishte lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila gjithashtu kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të cilët kishin kërkuar hudhjen e aktakuzës.

M.Z, së bashku me dy të akuzuarit e tjerë, në seancën fillestare të mbajtur më 29 tetor të vitit të kaluar, ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale të mashtrimit, shmangies nga tatimi dhe pastrim të parave.

Sipas aktakuzës së ngritur me 28 gusht 2018, nga ana e PSRK-së, të akuzuarit I.K dhe M.Z akuzohen se prej vitit 2016, deri në mars te vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror më 2 qershor 2016, kishin krijuar biznesin “I.K & M.Z Op”, si agjenci punësimi.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga ana e prokurorit Afrim Shefkiu, të pandehurit kishin paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani përmes emisionit “Pa rrotlla”, duke joshur qytetarët që të aplikonin në zyrat tyre në lagjen “Pejton”, në Prishtinë.

Tutje, pretendohet se në këtë rast ishte përfshirë edhe bashkëshortja e të pandehurit I.K, Fexhrije Krasniqi, e cila ishte marrë me përgatitjen e dokumentacionit për punësim në Gjermani në biznesin e saj për rregullimin e kopshteve.

I.K dhe M.Z, akuzohen se kishin mashtruar mbi 900 aplikues për viza pune e që me qëllim iu kishin marrë shuma prej 500 deri në 3050 euro duke i ndarë proporcionalisht mes vete.

Kurse, thuhet se pas fillimit të hetimeve 354 personave iu janë kthyer mjetet në vlerë prej 83,850 euro, kurse 546 personave të tjerë nuk u janë kthyer mjetet në shumë prej 261,850.00 euro.

Me këtë, I.K dhe M.Z akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mashtrimi” nga neni 335 i KPRK-së.

Ndërsa, gjatë periudhës kohore prej 2 qershorit 2016 e deri më 31 dhjetor 2017, sipas aktakuzës, si bashkëpronarë të biznesit të përmendur me dashje direkte u janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës me ç’rast akuzohen se kanë kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”.

I pandehuri I.K akuzohet po ashtu se me qëllim të fshehjes së burimeve të mjeteve financiare të fituara nga mashtrimi me viza pune dhe shmangies nga tatimi më 19 nëntor 2016, kishte bërë transaksione të dyshimta. Me ç’rast, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “pastrimi i parave”, nga neni 308 i KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurit M.Z dhe E.K akuzohen edhe për veprat penale “pastrim i parave”, mashtrimi dhe për veprën penale “shmangie nga tatimi”.

Kurse, i pandehuri M.Z, akuzohet se si pronar i NSH Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës” me dashje direkte të shmangies së obligimit tatimor ndaj ATK-së kishte kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”. /BetimipërDrejtësi