Gjykimi për mashtrim me subvencione, dëshmitarja thotë se nënshkroi shumën 160 euro, e jo 16 mijë euro

Rasti i Zana Kotorrit etj 09.10.2018
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Tetor 9, 2018

Prishtinë – Yllka Kotorri, motra e ish-sekretares së përgjithshme në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim (MKK), Zana Kotorri që akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në dëshminë e saj, ka deklaruar se ka marrë 160 euro nga e akuzuara Ardiana Gorani.

Dëshminë e saj, Yllka Kotorri e kishte dhënë edhe në seancën që ishte mbajtur më 16 tetor të vitit 2017, por të njëjtat deklaratat ajo i ka thënë edhe në seancën e së martës, pasi që ky rast ka filluar rishtas, për shkak se ky është trupi i tretë gjykues që e merr në punë këtë lëndë.

Kotorri, në gjykimin që po zhvillohet ndaj motës së saj, Adriana Goranit dhe Hana Berishës për mashtrim me subvencione, tha se motra e saj Zana Kotorri e kishte porositur që ajo të shkojë dhe të marrë disa dhurata nga Gorani për fëmijët e dëshmorëve në vitin 2008, afër festës së Vitit të Ri.

Ajo tha se kur kishte shkuar në Pejë në zyrën e Goranit, e njëjta i kishte thënë se për shkak të angazhimeve nuk i kishte dhuratat dhe i kishte ofruar Kotorrit 160 euro që ajo t’i blinte ato.

Dëshmitarja Kotorri, tha se kishte nënshkruar një paragon lidhur me pranimin e kësaj shume të parave, mirëpo sipas saj, aty nuk kishin qenë 16 mijë euro, por 160 euro.

Pasi i është prezantuar një marrëveshje të cilën e kishin lidhur Zana Kotorri, e Adriana Gorani e që aty ishte edhe nënshkrimi i dëshmitares, e shuma ishte 16 mijë euro, dëshmitarja në fjalë tha se ai mund të jetë nënshkrimi i saj, por që ka thënë se nuk i kujtohet.

Sipas saj, kur kishte nënshkruar atë paragon ku i kishte pranuar 160 euro në tavolinë kishte pasur edhe disa dokumente apo fletë të tjera, por ajo përmbajtjen e tyre tha se nuk e kishte parë.

Kotorri, tutje shtoi se me ato para ajo kishte shkuar në Prishtinë dhe në “ETC” kishte blerë 100 dhurata të cilat më pas ia kishte dorëzuar një gruaje nga SOS fshati në parking të kësaj qendre.

Sipas saj, ajo atë grua nuk e kishte njohur, por atë për të marrë dhuratat e kishte njoftuar Ardiana Gorani përmes telefonit.

Kurse, e pyetur nga ana e gjykatëses Nushe Kuka-Mekaj se e njëjta a e din arsyen përse motra e saj Zana Kotorri e kishte dërguar të marrë këto dhurata për të cilat kishte fituar donacion e akuzuara Gorani, Kotorri tha se nuk e din arsyen.

Në këtë seancë dhanë dëshminë e tyre edhe Hamdi Halaj dhe Melihate Husaj.

Halaj tha se nuk i njeh të akuzuarat, përpos Hana Berishës të cilën e kishte bashkëvendëse.

I njëjti tha se deklarata që e kishte dhënë më parë nuk është e saktë, sepse zyrtarët policorë nuk ia kishin lexuar procesin e ai nuk i kishte pasur syzet me vete dhe tha se nuk e din se çka ka nënshkruar.

Ky pohim nga ana e tij u bë pasi që kishte kontradikta mes deklarimit të tij në seancë gjyqësore dhe deklarimin në polici dhe prokurori.

Ai tha se ishte marrë me biznesin e artizanaleve dhe që në vitin 2008 kishte fituar një projekt në vlerë prej 18 mijë euro me këtë biznes.

Ai mohoi t’i ketë dhënë para të akuzuarës Hana Berisha lidhur me këtë projekt që e kishte fituar, ndërsa tha se i kishte dhënë asaj tre mijë euro të cilat ia kishte pasur borxh bashkëshortit të saj, pasi që i njëjti i kishte kryer disa punime në shtëpinë e tij.

Halaj tha se ia kishte dhënë paratë Berishës pasi që bashkëshorti i saj nuk kishte qenë në shtëpi.

Kurse, dëshmitarja Melihate Husaj, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore tha se vetëm mbetet pranë deklarimeve të dhëna në prokurori dhe polici dhe se nuk ka asgjë të shtoi lidhur me këtë rast.

Ky rast do të vazhdojë edhe në ditët në vijim ku do të dëgjohet edhe njëra nga dëshmitaret që nuk prezantoi këtë të martë e më pas do të bëhet edhe administrimi i provave të tjera.

Seancat e radhës janë caktuar për 10 dhe 11 tetor, duke filluar nga ora 9:30.

Në këtë seancë u shqyrtua edhe marrëveshja për pranim të fajësisë që ishte lidhur mes të akuzuarës Adriana Gorani dhe prokurorit të Prokurorisë Speciale, Haki Gecaj.

Gjykata mori vendim që të pranohet marrëveshja për pranim e fajësisë për veprën penale “mashtrimi” e sipas të cilës edhe palët e dëmtuara ishin marrë vesh që të kompensohen nga ana e të akuzuarës Gorani.

Sipas marrëveshjes të dëmtuarit Bajram Ahmetaj, do t’i kompensohen 26.200 euro, Imer Jusaj do t’i kompensohen 13 mijë euro dhe Hazir Bufaj vlera prej 17 mijë euro.

Ky gjykim ka filluar rishtas për shkak se ky është trupi i tretë gjykues që e merr në punë këtë lëndë, rasti kishte qenë te gjykatësi Valon Kurtaj i cili ka kaluar në pozitën e drejtorit të Akademisë së Drejtësisë, e që pas largimit të tij lëndën e kishte marrë gjykatësja Shadie Gerguri.

Mirëpo, pas ardhjes së gjykatësve të ri, rasti ka kaluar te gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, e cila ka vendosur që sipas dispozitave ligjore të fillojë rishtas me gjykimin ndaj tri të akuzuarve, ku pritet që edhe njëherë të dëgjohen të dëmtuarit dhe dëshmitarët e këtij rasti.

Përkundër deklarimit të prokurorit Gecaj dhe mbrojtësve të të akuzuarve, avokatëve Xhafer Maliqi dhe Afrim Salihu që të konsiderohen të lexuara ose të lexohen veprimet e ndërmarra më parë, gjykatësja Kuka-Mekaj kishte thënë se pasi që është ndërruar komplet trupi gjykues nuk do të konsiderohen të lexuara, por do të fillohet nga e para.

Në seancën e 18 shtatorit 2017, Zana Kotorri dhe Hana Berishës nuk e kishin pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat i ngarkon akuza, ndërsa e akuzuara Gorani kishte pranuar fajësinë për njërën pikë të aktakuzës, përkatësisht për veprën penale të mashtrimit.

Ndryshe, gjykimi ndaj ish-sekretares së përgjithshme në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete, Zana Kotorri dhe dy të akuzuarave tjera, Hana Berisha dhe Ardiana Gorani, është përballur me shtyrje të shumta të seancave.

Vetëm në periudhën maj-gusht të vitit të kaluar, pesë herë me radhë ishin shtyrë seancat për arsye të ndryshme.

Aktakuza e ngritur nga prokurori Besim Kelmendi, e ngarkon Zana Kotorrin, që në cilësinë e sekretares së përgjithshme në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, në bashkëpunim me Hana Berishën, kanë marrë pjesë në bashkim kriminal.

Sipas aktakuzës, Kotorri dhe Berisha ishin marrë vesh që të gjejnë persona të interesuar për subvencione nga kjo ministri dhe pastaj, shumën e subvencioneve të ndajnë përgjysmë, ashtu që gjysmën e shumës ta marrë e pandehura Kotorri dhe gjysmën tjetër, e pandehura Berisha.

Sipas aktakuzës, përmes Hana Berishës, e pandehura tjetër Ardiana Govori, kishte rënë në kontakt me Zana Kotorrin, e ku kjo e fundit duke tejkaluar kompetencat e saj, ia kishte përgatitur dokumentet për aplikim për subvencione, të pandehurës, Govori.

66.465.00 euro ishte shuma e subvencionit të projektit të shoqatës SHIPPL, me emër “Duam dhe mundemi së bashku”, e të cilat mjete pas ndarjes nga ana Ministrisë, të pandehurat i kishin ndarë mes tyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, 33.232.00 euro i kishte marrë e pandehura Kotorri, 15.00.00 euro i kishte marrë Hana Berisha dhe pjesën tjetër e kishte marrë, Ardiana Govori.

Në aktakuzën që tashmë e përfaqëson, prokurori Haki Gecaj, theksohet gjithashtu se të pandehurat, për çdo përfitues të subvencioneve kërkonin përqindje që shkonte nga 30 deri në 50 %, nga shuma e subvencioneve.

Mbi këto fakte, prokuroria akuzon të pandehurat, Kotorri, Berisha dhe Govori, se në bashkim kriminal, kanë kryer veprën penale të mashtrimit lidhur me subvencionet, ndërsa Zana Kotorri akuzohet edhe për veprat “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje ryshfeti”. Hana Berisha dhe Ardiana Govori, ngarkohen gjithashtu edhe me veprën penale “dhënia e ryshfetit”.