Gjykimi për mashtrim 176 blerësve të banesave drejt fundit, PSRK kërkon që të akuzuarit të obligohen t’i kthejnë afër 2 milionë euro

Raporton: Driton NOCAJ

Pejë- Pas një gjykimi maratonik të filluar në vitin 2018, ka përfunduar në shkallë të parë procesi gjyqësor ndaj gjashtë të akuzuarve se duke vepruar si grup kriminal, kishin mashtruar 176 blerës të banesave prej 1 milionë e 872 mijë e 719 euro dhe më pas kishin shpëlarë paratë. Prokuroria Speciale kërkoi nga gjykata që të akuzuarit të obligohen ta kthejnë shumën në fjalë.

Në këtë rast, PSRK ngarkon Estrida Bunjakun, Vigan Bunjakun, Burim Vokrrin, Xhemail Arifin, Faton dhe Valon Orllanin, për përfshirje në veprat penale “Krim i organizuar”, “Mashtrim”, “Shpëlarje e parave”, “Shkaktim i falimentimit” dhe “Shmangie nga tatimi’’, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja speciale Habibe Salihu kërkoi nga Gjykata që të pandehurit përveç që të shpallen fajtorë, njëherësh të detyrohen t’ua paguajnë të dëmtuarve shumën prej 1 milionë e 872 mijë e 719 euro, në emër të pagesës për banesat që u ishin premtuar, por nuk ishin ndërtuar.

Sipas prokurores Salihu, është vërtetuar nga deklaratat e të dëmtuarve se e pandehura Bunjaku përmes kompanive ndërtimore  NSHN “Era” dhe “Venis –Group”, kishte paraqitur oferta të volitshme për blerjen e banesave, kishte lidhur parakontrata me të dëmtuarit, mirëpo banesat nuk ishin ndërtuar plotësisht dhe paratë nuk i kishte kthyer.

“Të dëmtuarit vërtetuan faktin se të njëjtit kohë pas kohe kërkuan kthimin e të hollave që të njëjtit i kishin paguar në emër të pagesës së këstit të banesës, por asnjëherë nuk kanë arritur të bindin të akuzuarën Estrida që t’ua kthejë të hollat”, tha prokurorja Salihu.

Ajo shtoi se kishin të bënim me një grup kriminal, pasi të dëmtuarit kishin vërtetuar se të pandehurit Vigan Bunjaku dhe Burim Vokrri kishin bërë transportimin e të dëmtuarve nga kompania deri tek punishtja, për të parë vendin gjoja se do të ndërtoheshin banesat.

Sipas prokurores, përmes parave të fituara me anë të mashtrimit të blerësve, të pandehurit kanë blerë pasuri të ndryshme me qëllim fshehjes së burimit të parave.

Prokurorja theksoi se i akuzuari Burim kishte pranuar nga e akuzuara Estrida një banesë, automjet “Volvo”, një dhome fjetje, shpenzime për dasmë dhe shpenzimet për pushimet verore.

Kurse, shtoi se i pandehuri Valon Orllani kishte pranuar në Danimarkë përmes Wester Union shuma prej 16 mijë euro, pastaj veturën “Hundai” në vlerë prej 35 mijë euro dhe nga mjetet e përfituara nga Estrida i njëjti kishte blerë një truall në fshatin Llukar në sipërfaqe prej 5 ari.

Prokurorja Salihu tha se të pandehurit Faton dhe Valon Orllani kishin tentuar të fshehin gjurmët e parave duke bartë në pronësi të vetën truallin në lagjen “Qendresa”, e cila ishte blerë nga e pandehura Estrida Bunjaku.

Kurse, sa i përket lidhjes me të pandehurin Xhemjal Arifi, ajo tha se e pandehura Bunjaku së bashku me të pandehurin Arifi përmes parave të përfituara me aktivitet kriminal kishin filluar të ndërtonin objektin banesore, e i njëjti sipas saj heq dorë nga kontrata dhe lidhë kontratë për investime me kompaninë “Alko Gruop” për ndërtimin e banesave.

Të dëmtuarit të cilët ishin prezent theksuan se përveç dëmeve materiale, atyre u ishte shkaktuar edhe vuajtje si pasojë e mashtrimeve nga e akuzuara Bunjaku, andaj ata kërkuan kthimin e të gjitha mjeteve me kamatë ligjore.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të pandehurës Estrida Bunjaku, avokati Liridon Tafa theksoi se Prokuroria Speciale nuk kishte provuar asnjë element të veprës penale të krimit të organizuar.

Sipas tij, të gjithë të dëmtuarit me të pandehurën Bunjaku kishin lidhur parakontrata në mënyrë të rregullt dhe asnjë person tjetër nuk kishte qenë pjesë krijimin e raporteve kontraktuese me të dëmtuarit përveç të pandehurës Bunjaku.

E këto kontrata, sipas avoaktit Tafa vërtetonin se e mbrojtura e tij nuk kishte mashtruar të dëmtuarit, mirëpo deri të mosndërtimi i banesave kishte ardhur për shkak të pengesës nga një gypi të ujit.

“Si mundet dikush që ka për qëllim mashtrimin të përpilonte kontrata me personat”, u shpreh avokati Tafa.

Në anën tjetër, e pandehura Bunjaku para trupit gjykues dhe të dëmtuarve tha se do t’i përmbahet marrëveshjes për kthimin e mjeteve të të dëmtuarve së bashku me dëshmitarin Bashkim Muharremaj.

Edhe mbrojtësi i të pandehurit Vigan Bunjaku, avokati Murat Demolli kundërshtoi akuzën e prokurorisë që e ngarkon atë se ishte pjesë e grupit kriminal që bëri mashtrime me banesa.

Demolli shtoi se i pandehuri Bunjaku kishte qenë në marrëdhënie pune tek motra e tij, Estrida Bunjaku dhe kishte zbatuar detyrat që kishte pasur në kontratë.

Avokati Demolli dekaroi se i pandehuri Bunjaku asnjëherë nuk kishte nënshkruar ndonjë kontratë me të dëmtuarit për blerjen e banesave dhe sipas tij nuk mund të cilësohet veprim inkriminues fakti se i pandehuri ua kishte prezentuar të dëmtuarve vendin e punishtes ku parashihej të ndërtohej banesa.

Avokati i të pandehurit Burim Vokrri, Fitim Limani tha se nuk mund të qëndrojë cilësimi juridik i krimit të organizuar pasi i mbrojturi i tij nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim mashtrues.

Sipas avokatit Limani, prokuroria nuk kishte provuar se si dhe kënd e kishte mashtruar i pandehuri Vokrri dhe se nuk kishte treguar se ku gjendet banesa që pretendohet se i mbrojturi i tij e kishte fituar.

Mbrojtësi i të pandehurit Xhemaj Arifit, avokati Naim Rudari kundërshtoi cilësimin juridik që ngarkoheshin të pandehurit, pasi sipas tij për të ekzistuar krimi i organizuar duhet të kryheshin veprat penale të dënueshme së paku me 4 vite burgim, kurse mashtrimi, sipas Rudarit dënohej deri në tri vite.

Sipas tij, prokuroria kishte dështuar të vërtetonte para gjykatës përtej çdo dyshimi të bazuar mirë se i mbrojturi i tij kishte kryer veprën penale.

Ai shtoi se i mbrojturi i tij kishte marrë autorizimin nga e pandehura Bunjaku vetëm që i njëjti të realizonte kompensimin e tij pasi i kishte dhënë para hua të pandehurës.

Sipas tij, e pandehura Bunjaku nuk e kishte kompensuar vetëm të mbrojturin e tij, por edhe shumë të dëmtuar të tjerë dhe kjo ishte vërtetuar në proces gjyqësor.

Avokati Rudari deklaroi se të gjitha pretendimet e prokurorisë kishin të bënin vetëm me raporte civile dhe assesi penale.

Kurse, mbrojtësi i të pandehurit Valon Orllani, avokati Ramiz Krasniqi theksoi se aktakuza e prokurorisë nuk kishte prova që do të vërtetonte atë që shkruante në aktakuzë.

Sipas Krasniqit, prokuroria kishte tentuar që gjithë pasurinë e familjes së Valonit, ta cilësonte si të blerë nga paratë e fituara nga e pandehura Bunjaku.

Ai shtoi se i mbrojturi i tij nuk kishte bërë shpëlarje të parave, pasi shuma prej 16 mijë euro që e pandehura Bunjaku ia kishte dhënë të pandehurit Orllani, ishte dhënë në emër të huasë.

Mbrojtësi i të pandehurit Faton Orllani, avokati Selman Bogiqi deklaroi se Prokuroria Speciale nuk kishte paraqitur para gjykatës asnjë provë shfajësuese për të mbrojturin e tij.

Sipas avokatit, janë të paqëndrueshme pretendimet se i mbrojturi i tij kishte fshehur pasurinë e të pandehurës Bunjaku, duke blerë prona.

Bogiqi theksoi se  i mbrojturi i tij nuk e kishte njohur të pandehurën Bunjaku dhe tokën që i mbrojturi i tij e kishte blerë në vitin 2009 në lagjen “Qendresa” në Prishtinë, ai e bleu me paratë nga biznesi i tij dhe paratë i kishte paguar në të njëjtën ditë kur kishte vërtetuar kontratën e shitblerjes.

Sipas tij, prona ishte blerë në vitin 2009 kur po në këtë vit në llogarinë bankare të Estridës kishin qenë vetëm 15 mijë e 360 euro dhe kishte vetëm një kontratë me një palë që sipas avokatit  kjo rrethanë vërtetonte që i mbrojturi i tij nuk kishte bërë shpëlarje të parave.

Ndryshe, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova gjatë seancës kërkoi nga prokurorja Salihu të sqaronte se cila ishte ndërtesa që në aktakuzë për të pandehurin Xhemajl Arifi ishte lëshuar urdhër afatgjatë.

Kjo pasi sipas gjykatëses, në bazë të përgjigjes nga Drejtoria e Kadastrit ishte njoftuar prokuroria se në regjistrimin kadastral nuk kishin evidentuar ndërtesë në Lagjen “Mati 1”, në pronësi të të pandehurit Arifi, andaj kërkoi nga prokurorja sqarime se për cilën ndërtesë bëhej fjalë, duke qenë se ishte konstatuar se nuk ekzistonte ndërtesë në emër të pandehurit Arifi.

Prokurorja Salihu tha se nuk ka ndonjë përgjigje tjetër përveç përgjigjes që u kishte dhënë Drejtoria për Kadastër.

Po ashtu, pas kërkesës së gjykatës, prokurorja precizoi kohën e kryerjes së veprës penale “Shkaktimi i falimentimit”, pasi nuk përmbante kohë të kryerjes së veprës penale dhe e njëjta e precizoi kohën nga viti 2009-2014.

Seanca e shpalljes së aktgjykimit do të bëhet më 15 qershor 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2016, të pandehurit Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, dhe Burim Vokrri ngarkohen me veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Mashtrim”, pasi që sipas aktakuzës, nga 2 shtatori i vitit 2009 e deri më 15 maj 2014, të tre duke vepruar në formë të grupit kriminal, kanë përfituar mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej rreth 2,000.000,00 euro.

Një gjë e tillë, sipas aktakuzës, ishte arritur përmes paraqitjes së rreme, duke i fshehur faktet, gjë që i ka shtyrë personat e tjerë të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, dhe ka sjellë në lajthim rreth 176 qytetarë duke iu paraqitur oferta të volitshme për shitjen e banesave, në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se fillimisht Estrida Bunjaku, e ka regjistruar kompaninë e biznesit NSHN “ERA”, ndërkohë më 14 tetor 2009, ka regjistruar edhe kompaninë “Venis-O-GR”, SHPK, sipas të cilës kjo kompani ka pasur për veprimtari primare ndërtimin e lartë dhe të ulët, përmes të cilës, sipas prokurorisë ka filluar aktiviteti i grupit të organizuar kriminal, i udhëhequr dhe mbikëqyrur nga Estrida Bunjaku.

Prokuroria pretendon se këta tre të pandehur fillimisht, të dëmtuarve iu kanë ofruar nënshkrimin e para-kontratave me të gjitha të drejtat dhe obligimet, me premtimin e ndërtimit dhe dorëzimit të banesave, në afatin e paraparë si në para-kontratë 12-18 muaj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, paraprakisht të dëmtuarit kanë qenë të detyruar që mjetet financiare në shumë më të vogël prej 5 mijë euro e deri në shumën më të madhe prej 200 mijë euro, t’i paguajnë në xhirollogarinë e kompanisë “Venis O – Group” dhe në xhirollogarinë personale të të pandehurës Estrida Bunjaku, e që përmes zyrtarëve të vet këto shuma i ka tërhequr brenda ditës.

Ndryshe, Estrida Bunjaku, Xhemail Arifi, Burim Vokrri, Valon Orllani dhe Faton Orllani, akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shpëlarja e parave”, ashtu që mjetet financiare në shumën e lartcekur, duke ditur se burojnë nga aktiviteti kriminal, duke tentuar t’i konvertonin, transferonin, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë.

E pandehura Estrida Bunjkau, në pikën e tretë të aktakuzës ngarkohet edhe për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i falimentimit”, ashtu që si person përgjegjës në organizatën e biznesit, duke ditur paaftësinë paguese të organizatës së biznesit, me shpenzim joracional të mjeteve apo transferimin e tyre me çmim tejet të ulët, ngarkim të tepruar me borxh, apo marrjen përsipër të detyrimeve joproporcionale, ka shkaktuar falimentimin e subjektit të saj biznesor “Venis O – Group” sh.p.k, biznes ky që, sipas aktakuzës, është themeluar me qëllim të përfitimeve financiare të kundërligjshme.

Ndërsa, po e njëjta, në pikën e katërt të aktakuzës, ngarkohet me kryerjen e veprës penale “Shmangie tatimi”, në vlerë prej 80 mijë e 610 euro e 50 centë, ashtu që me qëllim të fshehjes së pjesshme të obligimeve buxhetore, në emër të pagesës së tatimit të të gjitha llojeve që kërkohen me ligj ka dhënë të dhëna të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të saj dhe fakteve të tjera relevante rreth gjendjes financiare. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë