Gjykimi për marrje ryshfeti ndaj hetuesve të Krimeve Ekonomike, dëshmitari thotë se njërit prej tyre i kishte dhënë para 

IMG-0498
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Prill 27, 2021

Prishtinë – Dëshmitari Driton Berisha ka treguar se hetuesit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Lavdim Osmani, i kishte dhënë para për lojëra të fatit.

Osmani së bashku me Lutfi Menxhiqin po akuzohen se kishin marrë ryshfet shuma të ndryshme të parave, që të mos ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së martës, dëshmitari Berisha ka thënë se kishte punuar me Mentor Maqanin në kasino, i cili në aktakuzë përmendet si personi që ia kishte dorëzuar paratë prej 3,000 euro dëshmitarit bashkëpunues D.H.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Rafet Halimi, ai ka thënë se dëshmitari Maqani i kishte kërkuar që të takohet me disa persona së bashku me dëshmitarin bashkëpunues D.H., për tu dhënë disa para.

Sipas tij, me D.H., ishin takuar përballë një kafiterie në Prishtinë dhe së bashku ishin takuar me dy persona të tjerë të cilët nuk i kishin njohur, ku ua kishte dhënë 1,500 euro, por sipas dëshmitarit, nuk i kujtohet se cilit person ai kishte dhënë këto para.

Pasi dëshmitari ka deklaruar se nuk kishte pasur njohuri për qëllimin e dhënies së këtyre parave, prokurori Halimi e ka ballafaquar me deklaratën e dhënë në prokurori në qershor 2020, në të cilën kishte deklaruar se Maqani ia kishte dhënë paratë për lojëra të fatit.

“Po, fillimisht edhe unë kam mendu se që diçka për lojëra të fatit ka qenë për shkak se në atë kohë me ligj janë ndërprerë, ndërsa sot nuk e di hala qëllimin e saktë se për çka janë dhënë ato para”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka deklaruar edhe për një rast tjetër në të cilin ishin takuar së bashku me dëshmitarin bashkëpunues D.H., dhe me të akuzuarin Lavdim Osmani, ku tha se se derisa të tre kishin qenë në veturë, ia kishte dhënë Osmanit 3,000 euro.

Sipas tij, pasi ia kishte dorëzuar këtë shumë të parave të akuzuarit Osmani, ai e kishte njoftuar Mentor Maqanin.

I pyetur nga prokurori Halimi se a kishte qenë në dijeni edhe për raste të tjera kur dy të akuzuarve iu ishin dhënë para, dëshmitari e ka përmendur edhe një rast tjetër në restorantin “Marigona”, në Lipjan, në të cilin kishin qenë edhe D.H., dhe Mentor Maqani, i cili sipas tij, ia kishte dhënë shumën prej 3,000 euro D.H-së.

Ai po ashtu, ka thënë se ka mundësi që e kishte kontaktuar D.H., për t’i dhënë informata lidhur me bastisjet në lojërat e fatit.

Pasi dëshmitari e ka përmendur vetëm të akuzuarin Osmani, mbrojtësi i të akuzuarit Menxhiqi, avokati Skender Musa e ka pyetur të njëjtin në lidhje me një ballafaqim mes tij dhe të akuzuarit në prokurori.

“Nuk e kam njohur përpara, deri kur jam ballafaquar, nuk muj me konstatu se nuk jam takuar me të…e ceka se herën e parë nuk e di se kush i ka marrë paret, nuk muj me than se ia kam dhënë këtij ose atij”, ka thënë dëshmitari.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 18 maj 2021, në ora 13:15, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së përpiluar me 30 qershor 2020, Osmani dhe Menxhiqi, në fillim të muajit nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, në cilësinë e hetuesve në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kishin pranuar ryshfet.

Siç përshkruhet në aktakuzë, të akuzuarit paraprakisht ishin takuar në kafiterinë  “Central”, me D.H dhe kishin arritur marrëveshje, që në këmbim të ryshfetit mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit, ku posa kishin dalë nga kafiteria dhe kishin shkuar afër Gjykatës Kushtetuese, ishin takuar me Driton Berishën dhe nga ai kanë pranuar ryshfet në vlerë 1,500 euro, në prezencë të D.H.

Tutje në aktakuzë thuhet se me 26 nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, dy të akuzuarit kishin pranuar ryshfet, në atë mënyrë që paraprakisht i akuzuari Menxhiqi e kishte organizuar takimin duke i kërkuar të akuzuarit Osmani që të takohet me D.H., i cili ishte takuar me Driton Berishën dhe D.H në lokalin “Central”, derisa me veturë e kishin dërguar tek banesa e tij, e më pas Berisha ia kishte dhënë 3,000 euro Osmanit, me qëllim që të mos pengojnë veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit.

Sipas aktakuzës, ky ryshfet ishte ndarë në mes të akuzuarve në dy pjesë nga 1,250 euro, ndërsa 500 euro ia kishin dërguar kolegut të tyre Faton Zabergja për një rast tragjik që i kishte ndodhur.

Osmani po dyshohet edhe se me 9 janar 2020, në rrugën C, në Prishtinë, nga dëshmitari bashkëpunues D.H., kishte pranuar 3,000 euro ryshfet, para të cilat dëshmitari Mentor Maqani, në restorant “Marigona”, afër QMI-së, ia kishte dorëzuar dëshmitarit bashkëpunues D.H.

Po ashtu, me 5 shkurt 2020, Osmani po dyshohet se në “Mati 1”, në Prishtinë, nën masat e simulimit të  veprës penale të korrupsionit, paraprakisht dëshmitari Mentor Maqani ia kishte dorëzuar paratë prej 3,000 euro dëshmitarit  D.H., pastaj ky i fundit ishte nisur menjëherë dhe gjatë rrugës një pjesë të kartëmonedhave i kishte ndërruar, 1,300 euro ia kishte dorëzuar Osmanit dhe të tjerat i kishte ndalë për vete, ndërsa Osmani ishte arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe në xhepin e tij ishin gjetur paratë të cilat ishin nën masën e simulimit.

Menxhiqi po dyshohet se me 4 dhjetor 2019, pasi ishin marr vesh paraprakisht në një takim në fillim të muajit nëntor 2019 në Prishtinë, afër kafiterisë “Central”, me dëshmitarin Driton Berishën dhe D.H, për t’i njoftuar për aksionet e policisë, i kishte dërguar informata dëshmitarit D.H me qëllim që të përfitojë dobi pasurore.

Këtë thuhet se e kishte bërë me 4 dhjetor 2019, kur dëshmitari D.H., i kishte kërkuar informata nëse kishte filluar ndonjë kontroll nga policia ndaj lojërave të fatit, Menxhiqi përmes rrjetit “Viber”, i kishte dërguar mesazh D.H., duke e njoftuar se policia kishte filluar kontrollin në Fushë Kosovë duke i shkruar: ”D po dal vet, po kqyri se si i Fushë Kosovës pom doket paska hi s’ju kishin dhan kompetencë edhe stacioneve mo me hi në do raste tani i dorëzojnë te na, po unë po nisna menjëherë po kqyri çka ka”.

Menxhiqi po akuzohet edhe se me 5 shkurt 2020, në fshatin Stanoc i Poshtëm, Komuna e Vushtrrisë,  në shtëpinë e tij, gjatë kontrollit sipas urdhër kontrollit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda dhe zbatuar nga IPK, ishin gjetur armë automatike të zjarrit, 2 pushkë automatike AK-47, me dy karikatorë dhe të gjitha ishin konfiskuar nga IPK-ja.

Për këto veprime, prokuroria dy të akuzuarit po i ngarkon se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “marrje ryshfeti”, ndërsa Menxhiqin po e ngarkon edhe me veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndryshe në aktakuzë, prokuroria kishte propozuar që të pandehurve tu ndalohet ushtrimi i funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike pas mbajtjes së dënimit me burgim, të konfiskohen 9,000 euro të gjetura në shtëpinë e të pandehurit Menxhiqi dhe ato të gjetura në xhepin e Lavdim Osmanit në vlerë prej 1,300.00 euro gjatë arrestimit.

Gjithashtu, prokuroria ka propozuar që të konfiskohen paratë e dëshmitarit bashkëpunues, D.H në vlerë prej 4,339,43 euro dhe 48-.00 FR, edhe pse sipas prokurorisë, D.H., kishte qenë i pandehur, mirëpo me urdhër të gjykatës kishte marrë cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues, ka bazë të mjaftueshme që vërtetohet se gjatë pranimit dhe dorëzimit të ryshfetit paratë e veta personale i ka ndërruar me paratë  të cilat kanë qenë të destinuara për ryshfet.

Sipas prokurorisë, për këtë me nenin 281 është paraparë se edhe pse procedura penale nuk përfundon me aktgjykim me të cilën i akuzuari shpallet fajtor, (ku në këtë rast Kodi i Procedurës Penale i referohet Kodit Penal të Kosovës që ka qenë në fuqi në atë kohë, mirëpo me Kodin e ri Penal i miratuar me 13 dhjetor 2018, i referohej nenit 422), sendet e fituara me vepër penale nga neni 429 të KPRK-së, e që ka të bëjë me dhënien e ryshfetit, të konfiskohen. /BetimipërDrejtësi