Gjykimi për makinën e barit: Menaxheri i prokurimit thotë se shefi i kabinetit të kryetarit të Pejës nuk kishte të drejtë  të nënshkruante pranimin e makinës

24 korrik 2020 foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Korrik 24, 2020

Pejë – Dëshmitari Faik Zekaj ka deklaruar se nuk e kishte nënshkruar raportin për pranimin e makinës së tenderuar për fushën e futbollit në fshatin Brestovik të sjellë nga operatori ekonomik.

Deri tek refuzimi i tillë, sipas Zekaj i cili ka qenë kryesues i komisionit për pranimin e mallit dhe menaxher i prokurimit, kishte ardhur pasi makina e barit nuk kishte përmasat sipas specifikimeve të tenderit, ku kërkohej që makina të ishte për bari artificial e jo natyral.

Mirëpo nënshkrimin për pranimin e makinës së barit sipas Zekaj e kishte bërë i pandehuri Durim Sheremti, fakt të cilin sipas tij, e kishte mësuar pasi kishte dhënë deklaratë në prokurori.

Kur u pyet nga prokurori sa a kishte të drejtë që dikush tjetër, në vend të tij, të nënshkruante pranimin e mallit, dëshmitari Zekaj tha se logjikisht askush nuk e ka pasur atë të drejtë dhe nuk kishte dhënë një autorizim të tillë.

Pas ballafaqimit me deklaratën e tij të dhënë në prokurori, dëshmitari rikujtoi momentin e vitit 2017 kur ishte takuar me të pandehurin Ilir Kelmendi, pronarin e operatorit ekonomik i kishte thënë “u kry ajo punë”, kur dëshmitari e kishte pyetur se a kishte kthyer makinën.

Zekaj theksoi se kur kishte shkuar të verifikojë makinën të sjellë nga operatori ekonomik, kishte qenë në pushim vjetor. Lidhur me këtë, mbrojtësi i të pandehuri Sheremeti, avokati Labinot Murati kërkoi nga dëshmitari të dinte nëse i njëjti kishte patur të drejtë të bëjë vlerësimin gjersa kishte qenë në pushim vjetor.

Dëshmitari Zekaj u përgjigj se ligjërisht këtë fakt nuk e dinte, mirëpo përkundër pushimit vjetor kishte shkuar t’a verifikonte makinën.

Duke qenë se dëshmitari Zekaj ishte me profesion aktor, avokati Murati pyeti se si kishte konstatuar se makina e sjellë nga operatori ekonomik nuk i kishte përmasat me tender përderisa nuk ishte ekspert i lëmisë përkatëse.

Lidhur më këtë Zekaj shtoi se verifikimin e makinës e kishte bërë në bashkëpunim me dëshmitarin Idriz Zekaj, i cili sipas tij kishte njohuri lidhur me makina. Ai shtoi se nuk ishte problem të konstatohej se makina nuk ishte me specifikat, të cilat kërkoheshin në tender.

Zekaj tha se edhe përkundër faktit se i njëjti nuk e kishte nënshkruar pranimin e mallit, ai nuk kishte rekomanduar zyrës së prokurimit ndërprerjen e kontratës me operatorin ekonomik, pasi sipas tij ai kishte insistuar që makina të dorëzohet sipas parametrave të kërkuar.

Zekaj shtoi se nuk kishte njohuri për një rregullore të tillë që parashihte ndërprerjen e kontratës.

Në këtë seancë poashtu ka dëshmuar dëshmitari Idriz Zekaj.

Menaxheri i fushës së futbollit në fshatin Brestovik, ku ishte destinuar të dorëzohet makina, ka rikuajtuar se pasi e kishin kontrolluar makinën së bashku me dëshmitarin Faik Zekaj, kishte vlerësuar se makina e kosjes ishte për fushë natyrale dhe jo për bar artificial.

Sipas këtij dëshmitari, makina i kishte plotësuar vetëm 2 prej pesë kritereve të kërkuara në tender.

Makina e re, e cila është sjellë në vitin 2019, sipas dëshmitarit, kishte një dallim të madh me makinën e cila ishte sjellë nga operatori ekonomik në vitin 2017.

Dëshmitari tjetër që është ndëgjuar në seancën e së premtës, ishte zyrtari i sportit Valdet Shoshi.

Dëshmitari Shoshi sqaroi se në këtë tender nuk kishte qenë i kyçur mirëpo vetëm kishte përgatitur specifikat dhe paramasat se si duhet të ishte makina e barit për fushën e futbollit.

Këto specifika sipas dëshmitarit, i kishte përgaditur pas komunikimit me shumë persona përfshirë edhe ekspertë të sportit.

Shoshi shtoi se makina ka qenë e destinuar për bar artificial dhe dokumentet me speficika të makinës e kishte dorëzuar tek Drejtori i Sportit, Engelbert Zefaj.

Sipas mendimit të këtij dëshmitari, makina e sjellur nga operatori ekonomik, ishte për kositje të barit natyral, dhe kjo mund të vërhej me sy.

I pandehuri Sheremeti pati vërejtje në deklarimin e këtij dëshmitari pasi sipas tij i njëjti kishte përpiluar përmasën me pesë pika në vitin 2017, kurse në kontratën për makinën e re kishte kundërthënies mes specifikave të vitit 2018.

Ndërsa i pandehuri Ilir Kelmendi shtoi se operatori ekonomik, i cili e ka fituar tenderin e makinës së barit për vitin 2018, kishte bashkëpunuar në krijimin e specifikave me dëshmitarin Shoshi e që sipas tij paraqiste konflikt interesi.

Seanca e radhës u caktua me 28 shtator 2020, duke filluar prej orës 10:00.

Ndryshe në fillim të gjykimit i akuzuari për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Durim Sheremeti,  dhe  tre zyrtarë të tjerë komunalë, Gëzim Shala, Gëzim Lajqi dhe Ruzhdi Zhara, si dhe pronari i operatorit ekonomik, Ilir Kelmendi, që akuzohet për mashtrim, janë deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 maj 2019, Durim Sheremeti akuzohet se ka nënshkruar raportin për pranimin e mallit, lidhur me tenderin për blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik në Pejë, në vlerë prej 11 mijë e 929.41 euro, pa pasur mandat dhe kompetencë për të nënshkruar.

Në aktakuzë thuhet se ai kishte nënshkruar pranimin e mallit në emër të Organit Mbikëqyrës –menaxherit të projektit Faik Zekaj, pa pasur kompetencë për këtë edhe pse me vendim të Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, menaxher i projektit për këtë tender ishte Faik Zekaj.

Sipas aktakuzës, menaxheri i projektit për tender Faik Zekaj, kishte refuzuar të nënshkruajë këtë pranim, pasi ai kishte qenë në dijeni se makina e barit që është sjellë nga operatori ekonomik nuk është sipas projektit të kërkesës, parametrave dhe specifikave të përcaktuara në tender.

Aktakuza përshkruan se makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik, ishte në vlerë prej dymijë euro dhe me këtë veprim është dëmtuar buxheti i Komunës për shumën prej 9.929.41 euro, duke i mundësuar përfitim operatorit ekonomik, këtu të pandehurit Ilir Kelmendi, shumën prej 9 mijë 929.41 euro.

Dispozitivi i dytë i aktakuzës i ngarkon zyrtarët komunalë Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala, se me 19 shtator 2017, si zyrtarë komunalë në Komunën e Pejës, në cilësinë e anëtarëve të komisionit për pranimin e mallit, lidhur me tenderin për makinën e barit, me dashje nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare.

Sipas aktakuzës, ata pa pasur një vendim në formë të shkruar se janë caktuar anëtarë të komisionit për pranimin e mallit lidhur me tenderin “Kontratë, Blerja e Makinës për Mirëmbajtje të Barit Artificial për Qendrën Sportive Brestovik” dhe të njëjtit nuk kishin kontrolluar fare nëse malli (furnizimi) i pranuar i plotësonte kushtet e specifikuara në kontratë dhe atë pa prezencën e menaxherit të projektit Faik Zekaj dhe pa prezencën e operatorit fitues, nënshkruajnë pranimin e mallit të makinës.

Sipas aktakuzës, të pandehurit nënshkruajnë pranimin e mallit edhe pse kanë qenë në dijeni se ata duhet të bëjnë verifikimin nëse makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik i plotësonte kushtet në kontratë dhe në vlerë monetare, me ç’ rast i shkaktojnë dëm Komunës se Pejës, 9 mijë e 929.41 euro, kurse përfitimin biznesmenit Ilir Kelmendi, në shumë prej 9 mijë 929.41 euro.

Kurse, i pandehuri Ilir Kelmendi, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Pejë se ka kryer veprën penale të mashtrimit, ashtu që si pronar  firmës “Green Construcion-Shpk”, duke  paraqitur fakte të rreme të me qëllim të përfitimit ë kundërligjshëm të dobisë pasurore.

Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri Kelmendi kishte fituar tenderin nga Komuna e Pejës, ai nuk i përmbahet kushteve të tenderit ku në shënimin e Komunës së Pejës është paraparë vendi i origjinës së makinës të jetë Turqia dhe firma e makinës së barit të jetë prodhuese e “Uçegen Firça”, ashtu që ai nuk e ka sjellë makinën sipas kontratës së firmës “Uçegen Firça”, por të firmës “Alpina”, e cila sipas aktakuzës, makina e barit e sjellë nga i pandehuri ishte me çmim të tregut prej dy mijë euro dhe nuk ka ofruar as dorëzuar dëshmi për blerjen e makinës dhe me këtë veprim i ka shkaktuar dëm Komunës së Pejës, prej 9.929.41 euro. /BetimipërDrejtësi