Gjykimi për lëndim të rëndë trupor, dëshmitari thotë se i dëmtuari e ka sulmuar i pari të akuzuarin

Jasmin Neziraj
Author

Raporton: Dhurata RAMOJA

Prill 11, 2019

Gjakovë – Dëshmitari Luan Rama ka deklaruar se i dëmtuari Ukë Quni, e kishte sulmuar i pari tani të akuzuarin për lëndim të rëndë trupor, Jasmin Neziraj.

Dëshminë e tij, Rama e ka dhënë në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Gjakovë, në rastin ku Jasmin Neziraj akuzohet se më 10 shtator 2017, i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor të dëmtuarit Ukë Quni.

Dëshmitari Rama, ka thënë se ka qenë i pranishëm tek lokali i basteve “Loto Sport”, në momentin kur kishte ndodhur ngjarja.

Ai ka deklaruar se prezent ka qenë i dëmtuari Quni dhe personi me emrin Besimir nga Shqipëria dhe sipas tij, pas një kohe ka ardhur edhe tani i akuzuari Neziraj.

“Saktësisht mas 10 minutave kur ka filluar loja kam dëgjuar të dëmtuarin dukë thënë “Jasmin hajde njëherë qitu, pse s’po don me mi kthy paret” dhe në atë moment ka ndodhur përleshja. I dëmtuari ka qenë i pari i cili e ka qëlluar fizikisht të akuzuarin Jasmin dhe pastaj edhe Jasmini e ka qëlluar të dëmtuarin”, ka thënë dëshmitari Rama.

Pas dëshmisë së Ramës, prokurori i rastit Ramiz Buzhala, ka propozuar që të bëhet leximi i deklaratës së dhënë në polici nga dëshmitari Besmir Brici, meqenëse sipas tij, nuk mund të sigurohet prezenca e këtij dëshmitari pasi që ai gjendet në Angli.

Këtë propozim, e ka kundërshtuar mbrojtësi i të akuzuarit Neziraj, avokati Muharrem Hadri, me arsyetimin se një gjë e tillë, nuk mund të shërbejë si provë.

Një propozim të tillë, e ka refuzuar edhe gjykatësi Gëzim Pozhegu, i cili seancën e së enjtes e ka shtyrë për kohë të pacaktuar, derisa sipas tij, të sigurohet prezenca e dëshmitarit Besmir Brici.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 23 nëntor 2017, Jasmin Neziraj, akuzohet se më 10 shtator 2017, rreth orës 21:30 në Gjakovë, tek lokali i basteve “Te Cella”, personin tjetër në këtë rast, tani të dëmtuarit Ukë Quni, i ka shkaktuar lëndim trupor, me dëmtime të përkohshme të shëndetit.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që pasi kishin pasur një mosmarrëveshje ka ardhur deri tek momenti i përleshjes fizike ndërmjet tyre dhe për një moment i pandehuri me një thikë të mprehtë e godet të dëmtuarin në anën e majtë të shpinës dhe në regjionin e shpatullës së djathtë duke i shkaktuar plagë shpuese.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndim të rëndë trupor” nga neni 189 par.5 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi