Gjykimi për lajmërim të rremë, dëshmitari thotë se i akuzuari u keqtrajtua nga zyrtarët policorë

Raporton: Donjeta AJVAZI

Prishtinë- Në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dëgjuar dëshmitari K.H, i cili tha se i akuzuari L.B u keqtrajtua nga zyrtarët policorë

Në këtë rast, L.B akuzohet kishte inskenuar një ngjarje për të ikur nga vendi i ngjarjes, pasi që kishte shkaktuar aksident rrugor dhe ishte frikësuar se i dëmtuari mund ta sulmonte fizikisht, andaj ngarkohet se ka bërë deklarim apo lajmërim të rremë në polici, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Atë ditë që kena dalë, më tregoi që e ka lajmëru rastin në polici, tani më ka tregu që e kan rreh dhe janë kon policë civilë, ku më ka thanë që ti duhesh me ardhë si dëshmitar se du me çu rastin në gjykatë, domethënë rastin e aksidentit që ka ndodhë”, tha dëshmitari.

Dëshmitari K.H, në seancën e së premtes rrëfeu se si ndodhi rasti në fjalë, pasi i njëjti në natën kur kishte ndodhur ngjarja ishte bashkë me të akuzuarin në veturë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të autorizuar të të akuzuarit B., avokatit Asdren Bytyqi, dëshmitari tha se në natën kur kishte ndodhur ngjarja gjatë kohës sa ishin në veturë, janë goditur nga një veturë tjetër.

Si rezultat i kësaj, tek i njëjti thotë se ishte shkaktuar frikë e madhe pasi që drejtuesi i veturës tjetër i kishte përndjekur në qytet dhe kishte tentuar të hapë derën e tyre të makinës me forcë.

Dëshmitari deklaroi së pas pothuajse gjysmë ore, kishin arritur t’i evitojnë dhe të ikin nga vetura që ishin duke u përndjekur.

I njëjti pohoi se për herë të fundit ishte takuar me të akuzuarin një ditë pas ngjarjes, ku ky i fundit i kishte treguar se ka qenë në polici për të raportuar rastin, mirëpo i njëjti është keqtrajtuar nga zyrtarët policorë civilë.

Kjo pasi që sipas tij, zyrtarët policorë nuk i kishin besuar fjalëve të të akuzuarit dhe kanë dyshuar se i njëjti po bën kallëzim të rremë, për të ikur nga vendi i ngjarjes ku është shkaktuar aksidenti.

Dëshmitari gjithashtu deklaroi se arsyeja që po iknin nga ajo veturë ishte fakti se sipas tani të akuzuarit B., drejtuesi i veturës nga e cila ishin duke u përndjekur kishte armë me vete, mirëpo dëshmitari nuk kishte parë diçka të tillë.

Në seancën e shqyrtimit gjyqësor, i pranishëm ishte edhe i akuzuari, mirëpo i njëjti ia dorëzoi gjykatës një dëshmi se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore për t’u deklaruar në lidhje me rastin.

Pas deklarimeve të dëshmitarit, prokurorja e rastit Fatmire Cacaj i propozoi gjykatës që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet edhe zyrtari policor F.V, i cili kishte hartuar raportin në lidhje me rastin e raportuar nga tanimë i akuzuari B.

Një propozim të tillë e kundërshtoi avokati Bytyqi, pasi që sipas tij dëshmitari i propozuar nuk mund të provojë asgjë të re dhe nuk ka asnjë relevancë lidhur me rastin, sepse ai nuk është dëshmitar i çështjes por vetëm ka qenë polic në detyrë zyrtare për të pranuar kallëzimin e të pandehurit.

Megjithatë, gjykatësi i rastit Eroll Gashi aprovoi propozimin e prokurores dhe seanca e radhës u caktua për 24 qershor 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur në prill të vitit 2018 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 2 korrik 2016, i pandehuri L.B, me dashje ka bërë lajmërim të rremë te personi zyrtar i ngarkuar për të hetuar apo ndjekur, në atë mënyrë që shkakton fillimin e procedurës penale për vepër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare.

Tutje, sipas aktit akuzues i pandehuri gjatë drejtimit të veturës së tij ishte goditur nga një veturë tjetër, për çka ka ikur nga vendi i ngjarjes, me ç ‘rast është vërtetuar se kjo ishte inskenuar nga i pandehuri pasi që kishte shkaktuar aksident trafiku rrugor dhe ishte ikur nga vendi i ngjarjes nga frika se i dëmtuari do ta sulmonte fizikisht.

Me ketë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Lajmërim apo kallëzim i rremë” nga neni 390, par.1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në ketë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë