Gjykimi për krime lufte ndaj Milorad Zajiq, dëshmitari thotë se e kishte parë atë duke zbarkuar armatim

milorad foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Shkurt 8, 2019

Pejë – Dëshmitari Ali Marmullaku, ka deklaruar se kishte parë, tani të akuzuarin për krime lufte, Milorad Zajiq në ditën e 19 qershorit 1998, të veshur në pjesën e mësipërme me uniformë ushtarake duke shkarkuar armatim tek shtëpia e tij.

Këtë deklaratë, dëshmitari Marmullaku e ka dhënë të premten, në Gjykatën Themelore në Pejë, ku po zhvillohet gjykimi ndaj Milorad Zajiq, i cili akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) se gjatë periudhës qershor-korrik 1998, aktivisht kishte marrë pjesë si ushtar dhe paramilitar serb në ofensivat kundër popullatës shqiptare në fshatin Dush të Klinës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, me këtë deklaratë, dëshmitarin e ka ballafaquar mbrojtësi i të akuzuarit Zajiq, avokati Dejan Basiq, i cili ka kërkuar nga ai të sqaronte ndryshimin e deklaratës që kishte dhënë në polici.

Sipas avokatit Basiq, dëshmitari kishte deklaruar se asnjëherë nuk e kishte parë të akuzuarin të armatosur dhe të ketë qenë me uniformë ushtarake.

“Nuk e di të kem thënë kështu, kurrë deklarata të tilla nuk kam dhënë”, ka thënë dëshmitari Marmullaku.

Ai sërish është ballafaquar nga avokati lidhur me deklaratat e tij të mëparshme.

Avokati e ka pyetur atë nëse e kishte parë direkt të akuzuarin duke shtënë me armë, derisa dëshmitari është përgjigjur se nuk e dinte si t’i përgjigjej kësaj pyetjeje.

Dëshmitari ka thënë se kush tjetër mund të ketë qenë duke gjuajtur me armë, pos Milorad Zajiqit.

Ai e ka vazhduar dëshminë e tij, duke thënë se i akuzuari Zajiq me 19 qershor 1998, kishte hyrë në shtëpinë e tij dhe kishte gjuajtur me armë duke u fshehur.

“A mund të themi se ju po supozoni se ai ka qenë në shtëpi, apo jeni i sigurt se ai ka qenë në shtëpi duke gjuajtur”, e ka pyetur avokati Basiq dëshmitarin Marmullaku.

Ky i fundit është përgjigjur duke thënë se në shtëpinë e të akuzuarit nuk  mund të ketë pasur ndonjë person tjetër, përpos tani të akuzuarit Milorad Zajiq.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, Kreshnik Radoniqi i ka thënë dëshmitarit se e kuptonte se kishte kaluar një kohë e gjatë prej rastit, por ia ka bërë me dije se ishte rëndësishme që të jetë sa më i saktë në deklarimin e tij.

Në pyetjen tjetër të gjykatësit Radoniqi, se a e kishte raportuar të pandehurin Milorad Zajiq në polici, pasi e kishte parë pas luftës, dëshmitari ka thënë se të akuzuarin e kishin raportuar pasi kishin mbajtur mbledhje me fshatarët në fshatin Dush.

Një dëshmitar tjetër, i cili ka dhënë dëshminë e tij gjatë kësaj seance ka qenë edhe Ramiz Marmullaku.

Ai ka thënë se si pasojë e luftës ishte plagosur, mirëpo që ka deklaruar se kishte qëndruar shumë pak në fshatin Dush.

Duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarit Zajiq, dëshmitari ka thënë se më 19 qershor 1998, nuk e kishte parë atë.

Pas përfundimit të këtyre dy dëshmive, kryetari i trupit gjykues, Kreshnik Radoniqi, ka vendosur të mos dilet në vendngjarje, për shkak se raportet e dorëzuara në polici ishin të detajuara dhe të qarta.

Ndërkaq, avokati Dejan Basiqu, ka tërhequr nga propozimet e tij të bëra në shqyrtimin e dytë,  për thirrjen e dëshmitarëve, Milia Malevic Zoran Jankovic dhe Hidajete Bajraktari dhe Dërvisht Krasniqi për shkak se është sqaruar mjaft faktet se i pandehuri kishe punuar në “Jugo banka” në Klinë.

Seanca e radhës është caktuar më 25 shkurt 2019, ora 10:00.

Ndryshe, Më 25 tetor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Pejë, ka refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës në rastin e të akuzuarit për krime lufte ndaj popullatës shqiptare, Milorad Zajiq, ndërsa ankesa e mbrojtësit të akuzuarit ndaj këtij vendimi, është refuzuar nga Gjykata e Apelit.

Për këto akuza i akuzuari Milorad, ishte deklaruar i pafajshëm, në seancën fillestare të 22 gushtit 2018.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Milorad Zajiq, akuzohet për krime lufte, pasi pretendohet se gjatë periudhës kohore qershor-korrik të vitit 1998, në fshatin Dush të Komunës së Klinës, aktivisht kishte marrë pjesë si ushtar dhe paramilitar serb në ofensivat kundër popullatës shqiptare.

Në aktakuzë përshkruhet se i akuzuari Milorad, kishte përgatitur shtëpinë e tij që të shërbente si bazë e forcave serbe dhe  nga shtëpia e të pandehurit ishin dhënë urdhra për ofensivë.

“Me datë 19 qershor 1998, rreth orës 12:00 në fshatin Dush, i pandehuri i veshur në pjesën e epërme me uniformë ushtarake dhe në pjesën e poshtme me pantollë civil, nga vetura e tij  ‘Zastava’, ngjyrë e verdhë, shkarkoi tek shtëpia e tij në Dush, armë të kalibrit të ndryshëm”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri më pas ka shtënë prej shtëpisë së tij, me automatik në drejtim të shtëpive të shqiptarëve.

Ndërsa, në pasditen e së njëjtës datë, siç thuhet në aktakuzë, filluan sulmet e serbëve në drejtim të fshatit Dush, dhe  nga shtëpia e të pandehurit u dhanë urdhra për ofensivë.

Gjithmonë sipas aktakuzës, si pasojë e këtyre sulmeve, në tërësi u dogjën shtëpitë e shqiptarëve në fshatin Dush dhe u dogjën Zade, Osman dhe Haradin Marmullaku, i cili ishte i paralizuar.

Sipas aktakuzës, pjesë e këtyre sulmeve ofensive ishte edhe vet i pandehuri Milorad Zajiq.