Gjykimi për krim të organizuar, i dëmtuari tregon se ishte ndërtuar një ndërtesë tjetër  në tokën ku parashihej të merrte banesën

11 janar 2021 foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Janar 11, 2021

Pejë – Vendi ku ishte kontraktuar të ndërtohej banesa, i dëmtuari ka treguar  se ishte ndërtuar një objekt tjetër banesor.

Një gjë të tillë, para trupit gjykues e ka rrëfyer i dëmtuari Ajet Mustafa, në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Pejë,  i cili kishte paguar të pandehurës Estrida shumën prej 13 mijë euro për blerjen e banesës të cilën nuk e kishte marrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, Burim Vokrri, Xhemail Arifi, Faton dhe Valon Orllani akuzohen nga Prokuroria  Speciale për krim të organizuar në mashtrimin e blerësve të banesave të cilët sipas akuzën thuhet se kanë përfituar 2 milionë euro duke u shitur 176 blerësve banesa të cilat nuk i kanë shfrytëzuar kurrë.

Ata nga PSRK po akuzohen për kryerjen e veprave penale ”krim i organizuar”, “mashtrim”, “shpëlarje e parave”, “shkaktim i falimentimit”, dhe “shmangie tatimi”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari tregoi se vëllau i tij, Rafet Mustafa, pas kontaktit me të pandehurin Burim Vokrri i cili sipas tij kishte qenë urëlidhëse deri tek e pandehura Estrida Bunjaku, kishte bërë marrëveshje për blerjen e një banese.

“Unë personalisht nuk jam takuar me Estridën deri në momentin kur i kam dhënë parat sepse vëllau im me Burimin dhe Estridën kanë bërë marrëveshjen për banesë sepse unë kam qenë në punë”, tha dëshmitari.

Ai tutje sqaroi se kishte shkuar tek Estrida vetëm të bënte pagesën e të hollave, kur në zyrën e saj i kishte dhënë 10 mijë euro kesh në dorë, kurse pjesën tjetër në emër të kësteve, i kishte paguar 3 mijë euro përmes xhirollogarisë bankare.

“Banesën nuk e kemi marrë asnjëherë dhe është ndërprerë puna e ndërtimit. Kemi patur shqetësime si familje dhe vëllau ka kontaktu disa herë me Estridën dhe arsyjet e saj kanë qenë se ka probleme financiare dhe probleme me lejen e ndërtimit”, tha dëshmitari.

Në pyetjen e mbrojtësit të pandehurit Burim Vokrri, avokatit Fitim Nimani se nëse i mbrojturi i tij e kishte mashtruar ndonjëherë, dëshmitari tha se ai nuk ishte mashtruar nga i pandehuri Burim.

Në këtë seancë u dëgjua edhe i dëmtuari Skender Begolli i cili përshkruaji se si kishte lidhur kontratë me të pandehurën Estrida për blerjen e një banese.

Dëshmitari sqaron se kishte bërë deponimin e 10 mijë eurove avans për blerjen e banesës dhe 1500 euro për blerjen e garazhit, mirëpo dëshmitari nuk kishte gëzuar banesën për të cilat kishte dhënë të hollat.

“Ndërtesa ka qenë e paraparë të realizohet brenda viteve mirëpo kjo nuk ka ndodhur. Ajo ka hapur një temel dhe kam besu se po ndërton”, tha dëshmitari.

Dëshmitari Begolli tregoi edhe takimin e fundit që kishte pasur me Estridën e cila i kishte thënë se ishin dezinformata se ndërtimi nuk kishte ndërtuar, ndërsa mjetet të cilat i kishte dhënë e njëjta nuk i kishte kthyer.

“Kthimin e mjeteve kurrë s’na ka kthyer, edhe pse ka thënë se do të na kthejë në afat prej 60 ditësh”, tha dëshmitari.

Seanca e radhës pritet të vazhdoj nesër më 12 janar 2021, duke filluar prej orës 10:00.

Fillimisht, ky rast ka qenë duke u gjykuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por që më pas ai është deleguar në kompetencë të Gjykatës në Pejë, për shkak të numrit të madh të të dëmtuarve, si dhe në mesin e tyre ka edhe gjykatës dhe për t’i ikur ndonjë konflikti eventual, rasti është transferuar për gjykim në Pejë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2016, të pandehurit Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, dhe Burim Vokrri, ngarkohen më veprat penale “krim i organizuar” dhe “mashtrim”, pasi që, sipas aktakuzës, nga 2 shtatori i vitit 2009 e deri më 15 maj 2014, të tre duke vepruar në formë të grupit kriminal, kanë përfituar mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej rreth 2,000.000,00 euro.

Një gjë e tillë, sipas aktakuzës, ishte arritur përmes paraqitjes së rreme, duke i fshehur faktet, gjë që i ka shtyrë personat e tjerë të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, dhe ka sjell në lajthim rreth 176 qytetarë duke ju paraqitur oferta të volitshme për shitjen e banesave, në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se fillimisht Estrida Bunjaku, e ka regjistruar kompaninë e biznesit NSHN “ERA”, ndërkohë më 14 tetor 2009, ka regjistruar edhe kompaninë “Venis-O-GR”, SHPK, sipas të cilës kjo kompani ka pasur për veprimtari primare ndërtimin e lartë dhe të ulët, përmes të cilës, sipas prokurorisë ka filluar aktiviteti i grupit të organizuar kriminal, i udhëhequr dhe mbikëqyrur nga Estrida Bunjaku.

Prokuroria është duke pretenduar se këta tre të pandehur fillimisht, të dëmtuarve iu kanë ofruar nënshkrimin e para kontratave me të gjitha të drejtat dhe obligimet, me premtimin e ndërtimit dhe dorëzimit të banesave, në afatin e paraparë si në para kontratë 12-18 muaj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, paraprakisht të dëmtuarit kanë qenë të detyruar që mjetet financiare në shumë më të vogël prej 5000 euro e deri në shumën më të madhe prej 200.000 euro, t’i paguajnë në xhirollogarinë e kompanisë “Venis O – Group”, dh në xhirollogarinë personale të të pandehurës Estrida Bunjaku, e që përmes zyrtarëve të vet këto shuma i ka tërhequr brenda ditës.

Ndryshe, Estrida Bunjaku, Xhemail Arifi, Burim Vokrri, Valon Orllani dhe Faton Orllani, akuzohen për kryerjen e veprës penale “shpëlarja e parave”, ashtu që mjetet financiare në shumën e lartcekur, duke ditur se burojnë nga aktiviteti kriminal, duke tentuar t’i konvertonin, transferonin, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë.

E pandehura Estrida Bunjkau, në pikën e tretë të aktakuzës ngarkohet edhe për kryerjen e veprës penale “shkaktim i falimentimit”, ashtu që si person përgjegjës në organizatën e biznesit, duke ditur paaftësinë paguese të organizatës së biznesit, me shpenzim jo racional të mjeteve apo transferimin e tyre me çmim tejet të ulët, ngarkim të tepruar me borxh, apo marrjen përsipër të detyrimeve jo proporcionale, ka shkaktuar falimentimin e subjektit të saj biznesor “Venis O – Group” sh.p.k, biznes ky që, sipas aktakuzës, është themeluar me qëllim të përfitimeve financiare të kundërligjshme.

Ndërsa, po e njëjta, në pikën e katërt të aktakuzës, ngarkohet me kryerjen e veprës penale “shmangie tatimi”, në vlerë prej 80.610, 50 euro, ashtu që me qëllim të fshehjes së pjesshme të obligimeve buxhetore, në emër të pagesës së tatimit të të gjitha llojeve që kërkohen me ligj ka dhënë të dhëna të pa vërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të saj dhe fakteve të tjera relevante rreth gjendjes financiare. /BetimipërDrejtësi